Roma
Roma në fillim ishte një shtet i vogël i themeluar në vitin 753 para Krishtit nga bashkimi i disa fiseve baritore, por me kalimin e kohës, pasi u forcua mundi të sundonte mbarë gadishullin Apenin dhe Siçilinë. Mbas luftrave të përgjakshme, mundi të shkatërronte kartagjenasit, maqedonët, galët, spartët dhe të zotëronte toka deri në Afrikën e Veriut. Më pas pushtoi Spanjën, Greqinë Palestinën dhe Sirinë. Që nga viti 753 dhe deri në vitin 509 para Krishtit, Roma sundohej prej mbretërve. Ndërsa prej vitit 509 para Krishtit deri në vitin 46 para Krishtit, ka qenë republikë që udhëhiqej nga patrikët, senati e dy konsuj të cilët emëroheshin çdo vit. Në vitin 46 para Krishtit Jul Qezari shpallet Perandor. Pas vrasjes së Jul Qezarit në vitin 44 para Krishtit në pushtet vjen Oktaviani, i cili në betejën e Aktit në vitin 31 para Krishtit mundi Antonion dhe Kleopatrën dhe mundi të pushtojë Egjiptin. Sipërfaqja e tokës nga Spanja e deri tek Tigri e Eufrati, dhe nga Britania, Rini e Danubi deri tek kufijtë e Etiopisë, u gjendën në sundimin e Perandorisë Romake. Të gjitha vendet e pushtuara ndryshonin ndërmjet tyre si nga gjuha, qytetërimi, feja dhe mënyra e qeverisjes. Roma në çdonjerin nga këto vende ushtronte forma të ndryshme qeverisje. Zonat e pushtuara i qeveriste një epitrop perandorak (Procurator). Qendra e gjithë perandorisë ishte Roma me banorët e shumtë, monumentet dhe Pazarin Romak (Forum Romanum). Bashkimin e perandorisë e ruante e drejta romake e cila buronte nga Perandori dhe përcaktonte me rreptësi çështjen e gjykimit dhe të qeverisjes.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Edvin E. Jaques, Shqiptarët, Vol I, Kartë e pëndë, Tiranë 1995, faqe 194-195.