RRAPI
✤ (Platanus orientalis L.). Dru i zonave me lagështirë dhe i shtretërve të lumenjve e përrenjve, i familjes së rrapeve (Platanaceae), me trung që arrin lartësinë 30-40 m, dhe trashësinë 3-4 m, me lëvore të hollë e të lëmuar që del cefla-eefla të mëdha, me degët e reja të mbuluara me shumë qimëza. Ka gjethe të mëdha, të trasha, pëllëmbore me 5-7 vriguj e me push, lule shumë të vogla, të grumbulluara në kaptinëza që çelin në prill-maj. Bën fryte akenë, të cilët janë të bashkuar në një kokërr të rrumbullakët me bisht të gjatë, e që piqen në vjeshtë. Rr. ndeshet pothuajse në të gjitha vendet e Ballkanit, si dhe në shumë krahina të Shqipërisë. Gjatë Vjosës e Shkumbinit formon pyje të vegjël.

Rr. do klimë të ngrohtë mesdhetare, ai rritet në çdo lloj toke të freskët ose me lagështi, por më tepër pëlqen tokat e pasura e të shkrifëta. Shumëzohet me farë, rrënjoma, shpatulla si edhe me copa 2-3 vjeçare. Druja e Rr. që është me blanë të kuqërremtë dhe nyjë me ngjyrë gështenjë merr lustër dhe nuk çahet, përdoret në zdrukthëtari për pjesë të brendshme mobiljesh, për sende të gdhendura etj. Është dru zjarri me vlerë. Në pyllëzimet vlen për forcimin e buzëve të lumenjve e përrenjve gjatë rrugëve e nëpër parqe si dru zbukurues etj. Lloj me rritje të shpejtë Rr. është edhe një nga drurët më jetëgjatë të vendit, deri 3000-4000 vjet. Prandaj në mjaft fshatra rritet në qendër dhe disa drurë Rr. janë monumente natyre. (Rrapi i Mashkullorës, i Libohovës, i Leskovikut, Rrapi Trish etj.).

(A. Pos.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Rrapi


[cite]