RRYMA LETRARE E BEJTEXHINJVE
✤ Prodhimi letrar i autorëve shqiptarë në shek. XVIII-XIX, i shkruar me alfabetin arabo-turk. Kjo letërsi qe pasojë në një anë e trysnisë ideologjike e kulturore të pushtuesit, në anën tjetër e qëndresës së popullit shqiptar, e përpjekjeve të tij për zhvillimin e një kulture në gjuhën amtare. Gjatë shek. XVII-XVIII gjuhët orientale. kishin nisur të njiheshin nga disa shtresa, sado të kufizuara, veeanërisht në klerin mysliman dhe ndër feudalët e shtresat e pasura, që kishin funksione në administratën e ushtrinë osmane. Në këtë mjedis nisi të krijohej një letërsi shqiptare në gjuhët orientale. E mbyllur në rrethe shumë të ngushta, ajo ishte e pakuptueshme prej popullit. Shpejt, krahas saj ose në vend të saj, u formua dhe u zhvillua një letërsi në gjuhën shqipe së pari nën ndikimin e fuqishëm të letërsive orientale më pas, në një pjesë të mirë, ku më shumë ku më pak disi e mëvetësuar prej këtyre. Në rrymën letrare të bejiexhinjve gjeti pasqyrim në masë të ndryshme edhe realiteti shqiptar i kohës ose aspekte të tij, mbi të u ndie edhe veprimi i poezisë popullore dhe i të folmes së gjallë popullore. Ky prodhim Jetrar pati disa karakteristika të përbashkëta në frymën e përgjithshme edhe në formë, si: shprehja e ideologjisë islame, ndjekja e modeleve të letërsisë orientale, sidomos persiane e turke, leksiku poetik i ngarkuar me orientalizma. Por tematika e problematika, mënyra e trajtimit, gjuha qenë shpesh të ndryshme. Një pjesë e këtij prodhimi letrar pati tematikë fetare ose moralizuese-fetare, kurse pjesa më e madhe karakter laik. Në përgjithësi krijimet e bejtexhinjve nuk u shtypën. Ato qarkulluan në kopje „të shumëzuara si dorëshkrime, vjershat më shumë edhe në formë gojore, duke u përhapur si këngë sidomos në popullsinë e qyteteve, duke u përzier herë-herë me folklorin. Një pjesë e mirë e kësaj letërsie edhe u zhduk. Pas Çlirimit u bë nië punë e madhe për gjurmimin, grumbullimin, transkribimin e saj. Ka sjellë ndihmesë për këtë Osman Myderrizi.
U lëvrua kryesisht poezia. Të pakta qenë shkrimet në prozë, kryesisht të karakterit didaktik. Kjo letërsi pati shtrirje si në Shqipërinë VP e VL, ashtu dhe në Shqipërinë e Mesme dhe në Shqipërinë J, prej Vuçiterne në Gjirokastër, prej Gjakove në Tiranë, prej Ulqini në Konispol. Qendra të rëndësishme ku lulëzoi poezia e bejtexhinjve qenë Berati, Elbasani, Shkodra, Gjakova, Prizreni etj. Ajo njohu lulëzimin e saj në shek. XVIII-XIX. Si krijimi më i vjetër njihet gjer më sot një vjershë shkruar në Gjirokastër më 1724. Si cak i fundit ishte pak a shumë mesi i shek. XIX, sado që në disa mjedise si në Kosovë vijoi në një farë mase edhe më pas, madje edhe në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit tonë, me autorë si Hilmi Maliqi (Rahoveci) e të tjerë. Ndër autorët e periudhës së parë shquhen Nezim Frakulla (shih) dhe Sulejman Naibi nga Berati. Krijimtaria e të parit dallohet për pasurinë e tematikës, të mjeteve artistike e të llojeve letrare, e të dytit për frymëzimin e vetvetishëm, intonacionin popullor të këngës së tij dhe gjuhën relativisht të pastër. Në dhjetëvjetëshit e fundit të shek. XVIII dhe në fillim të shek. XIX pjesa më e madhe e krijimtarisë së Hasan Zyko Kamberit (shih) nga Starja e Kolonjës lidhet me realitetin shqiptar, më shumë .me jetën e fshatit, merr një përmbajtje mjaft realiste dhe një mëvetësi më të madhe në frymë, në motive, në mjetet artistike e në gjuhë nga modelet orientale. Hysen Dobraçi e Salih Pata nga Shkodra hartuan i pari këngë për luftërat antiosmane të Bushatllinjve, i dyti satira të lehta. Në shek. XIX në letërsinë me alfabet arab u lëvrua për një kohë më të gjerë tematika fetare islame, u shkruan mevlude, himne fetare dhe dy histori të gjata në vjershë në formë eposi: «Hadikaja e Dalip Frashërit (1842), dhe «Muhtarnameja» (1868) e vëllait të tij Shahinit. Figura më e shquar e letërsisë së kësaj periudhe qe Muhamet Kyçyku. Në rrugën e realizmit të Hasan Zyko Kamberit në këtë kohë hartoi vjersha Zenel Bastari (gjysma e parë e shek. XIX i rrethit të Tiranës. Problematika e mprehtë shoqërore e një pjese të tyre jep shkas më se një herë për shprehje të revoltës kundër shtypjes e shfrytëzimit. Letërsia e bejtexhinjve solli në letërsinë e vjetër shqiptare tematikën laike, zgjeroi problematikën e saj, e pasuroi atë me gjini letrare e mjete të reja shprehëse, megjithëse në realizimin artistik pati edhe dobësi të ndjeshme. Në prozodi u lëvruan lloje të tilla të përhapura në letërsinë orientale si divani, poema e gjatë tregimtare, gazelet e kasidetë, u përveiësuan prej tyre edhe mjete poetike. Por gjithashtu u morën edhe mjaft elemente prej poezisë popullore shqiptare, si vargu tetërrokësh, figura të ndryshme etj. Në këtë letërsi gjetën pasqyrim edhe aspekte të ndryshme të jetës shqiptare të kohës, herë-herë edhe ndonjë problem e motiv shoqëror. Por i krijuar dhe i zhvilluar kryesisht nën trysninë e fortë ideologjike të pushtuesit, ky prodhim letrar zakonisht qëndroi pasiv ndaj shqetësimeve të mëdha të popullit, që vuante nën robërinë osmane, ndaj aspiratave çlirimtare të tij. (M. D.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Rryma Letrare E Bejtexhinjve