Sa kohë më parë
Zakonisht gjeologut i intereson më shumë mosha relative e shtresave sesa mosha e tyre absolute. Ai nuk ka aq shumë nevojë të marrë vesh nëse një shtresë e caktuar është pesëdhjetë ose shtatëdhjetë milion vjeçare, sesa të dijë se në çpikë të historisë së Tokës duhet përfshirë ajo. Natyrisht, do të ishte me interes të dihej me saktësi se sa vite janë dashur për formimin e asaj shtrese dhe kur ka ndodhur kjo gjë, por në shumë raste këto të dhëna është e vështirë të përcaktohen.
Fundërresat jo vetëm që grumbullohen me shpejtësi të ndryshme në vende të ndryshme, por kjo shpejtësi ndryshon edhe në të njëjtin vend. Shpejtësia mesatare e erozionit, shndërrimet e vërejtura në bimët dhe në kafshët si edhe regjistrimi i aktivitetit vullkanik, sigurojnë pak të dhëna për të përcaktuar datat me saktësi. Nganjëherë mosha e një formacioni mund të përcaktohet me ndihmën e «orës atomike», e cila nuk është një orë e vërtetë, por një metodë me anën e së cilës një specialist mund gjejë moshën e përafërt të disa mineraleve radioaktive që hasen aty-këtu nëpër shkëmbinjtë shpërthimorë. Mosha e mineralit përcakton edhe moshën e shkëmbit në të cilin ai ndodhet. Në disa shkëmbinj shpërthimorë, për shembull, mund të gjendet uranit. Uraniti përmban elementin radioaktiv uranium. Atomet e uraniumit janë te paqëndrueshme. Disa nga thërrmijat që i përmbajnë ato shkëputen rregullisht dhe kështu atomet fillestare të uraniumit shndërrohen në atome plumbi, që është një element më i lehtë por më i qëndrueshëm. Duke ditur shpejtësinë mesatare me të cilën atomet e uraniumit shndërrohen në atome plumbi dhe duke matur sasinë e plumbit që përmbahet në uranit, gjeologu mund të llogarisë se sa vjet më parë është formuar vetë uraniti. Kjo datë përfaqëson ndofta moshën e shkëmbit në të cilin gjendet uraniti, sepse uraniumi ka filluar të shndërrohet në plumb menjëherë sapo është formuar uraniti në magmën që vazhdonte të ftohej. Sipas këtyre llogaritjeve, ndërmjet shkëmbinjve më të vjetër shpërthimorë të botës dalin shkëmbinjtë e Manitobës, një zonë e Kanadasë: uraniti i tyre është formuar 2 miliardë e 400 milionë vjet më parë. Por këta shkëmbinj janë formuar nga magma që ka shpërthyer përmes shtresash të tjera shkëmbinjsh metamorfikë që ekzistonin para saj, shtresa që janë formuar ndofta përpara se mbi planet të ekzistonte ndonjë formë jete. Se cila është mosha e këtyre shkëmbinjve më të vjetër, kjo vetëm mund të merret me mend. Akoma më të vjetër se shkëmbinjtë shpërthimorë të Manitobës janë disa formacione afër Sollsbërit, në Rodezi (në Afrikën Qendrore-Jugore). Llogaritjet e bëra me uranitin japin për këta shkëmbinj një moshë prej 2 miliardë e 700 milionë vjetësh.