Shkëmbinj koralorë
Në ujërat e ngrohta të botës shumë ishuj oqeanikë, si edhe thellësitë që gjenden gjatë brigjeve të kontinenteve, janë të rrethuara nga depozita koralesh, të forta dhe të mprehta. Këto janë mbeturinat e miliarda e miliarda kafshëve detare. Disa brigje shkëmbore bregdetare prej korali kanë qenë në fillim në formë unaze që rrethonte ishullin, në afërsi të bregut. Më vonë, kur ishulli u fundos nën sipërfaqen e detit, ose kur u mbulua nga uji, si rezultat i një rritjeje të nivelit të oqeanit, koralet vazhduan të punojnë, duke ndërtuar një stoli që është një unazë koralesh përqark një lagune.
Në një vend tjetër gjejmë barriera vigane shkëmbore larg brigjeve, si Barriera e Madhe Australiane, e gjatë 1900 kilometra. Koralet që krijojnë brigjet shkëmbore janë në përgjithësi aktive kur ndodhen në zonën që gjendet në një nivel pak më të lartë se niveli i ujit të detit gjatë zbaticës dhe atje ku thellësia e detit është rreth 50 metra, pra atje ku baza e bregdetit shkëmbor gjendet rreth 50 metra thellë. Por baza e bregdetit shkëmbor mund të jetë më e thellë atje ku niveli i detit, duke e krahasuar me nivelin që ka pasur në kohën kur koralet kanë nisur punën e tyre ndërtimtare, është rritur. Brigjet prej korali, gjerësia e të cilave shkon nga disa centimetra në më shumë se një kilometër, në sipërfaqe përmbajnë shumë lloje organizmash detare, ndërsa në thellësi të tyre nuk janë veçse masa shkëmbore.