SHKËMBINJTË SEDIMENTARË


SHKËMBINJTË SEDIMENTARË
✤ Shkëmbinj që paraqiten zakonisht në shtresa paralele, përmbajnë fosile, kanë ngjyra të ndryshme dhe që janë formuar kryesisht nga sedimentimi i lëndës së ngurtë në një mjedis ujor, në pjesën e sipërme të kores së Tokës. Sipas prejardhjes, mënyrës së formimit dhe përbërjes ka lloje të shumta Sh. S. si shkëmbinj karbonatikë, terrigjenë, autigjenikë, karbonikë etj.

Në Shqipëri Sh. S. të llojeve të ndryshme dhe kryesisht me prejardhje detare, janë të përhapur në shumë vise, duke zënë më se dy të tretat e territorit. Zona e Alpeve Shqiptare, ajo e Krastë-Cukalit, ajo e Krujës, Zona Jonike dhe ajo e Sazanit janë të ndërtuara gati tërësisht nga Sh. S. Ndër llojet e ndryshme të këtyre shkëmbinjve shquhen shkëmbinjtë karbonatikë, që janë mjaft të përhapur në viset malore, përfaqësohen nga gëlqerori dhe dolomiti. Shkëmbinjtë autigjenikë përfaqësohen në radhë të parë nga evaporitet, ku përfshihen gjipsi e anhidriti, si dhe kripa e gurit. Ndër shkëmbinjtë që formohen në rrugë kimike është edhe silicori ose stralli, sidomos radiolariti, si dhe shkëmbi fosfatik ose fosforiti. Në Shqipëri ka edhe Sh. S. të pasur me hekur-nikel, mangan, alumin, të eilët përbëjnë herë-herë xeherorë sedimentarë të hekurit, të hekurnikelit dhe boksite. Me rëndësi të madhe ekonomike janë edhe shkëmbinjtë karbonikë, në të cilët përfshihet qymyrguri. Më të përhapurit ndër Sh. S. të Shqipërisë, duke zënë mbi 60% të sipërfaqes janë shkëmbinjtë terrigjenë, që e kanë prejardhjen nga shkatërrimi i steresë gjatë së kaluarës gjeologjike dhe depozitimi i grimcave të saj në pellgje ujore. Sipas madhësisë së grimcave që i përbëjnë shquajmë disa lloje kryesore Sh. S. terrigjenë si deltinat, ranorët, konglomeratët etj. Këta shkëmbinj përdoren si lëndë ndërtimi, në ind. e qelqit, të qeramikës etj.

(P.The.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Shkëmbinjtë Sedimentarë


[cite]