Shkrimet e Shenjta

Shkrimet e Shenjta

Shkrimet e Shenjta Doktrina dhe jeta e Krishtit, si edhe veprat dhe jeta e disa prej apostujve përfshihen në librat e Shenjta ose në Testamentin e Ri. Ungjijtë (Mateu, Marku, Lluka dhe Joani), Veprat e Apostujve, katërmbëdhjetë letrat e apostull Palit, një letër e apostull Jakobit, dy letra të apostull Pjetrit, tre letra të apostull Joanit si dhe Apokalipsi i Joanit. Të gjitha këto vepra u shkruan nga apostujt ose prej dishepujve të tyre nën ndikimin e Shpirtit të Shenjtë, prandaj nuk përmbajnë gabime. Hartimi ose redaktimi i tyre nuk u bë përnjëherë, por gradualisht dhe sipas nevojave të kishës. Aty nga fundi i shekullit të parë ishin shkruar të gjitha dhe aty-këtu madje gjendeshin të përmbledhura në një libër të vetëm. Përmbledhja e tyre në një libër të vetëm ose kodifikimi i të gjithë shkrimeve të shenjta të Testamentit të Ri, si dhe pohimi se të gjitha u takojnë autorëve përkatës, u përcaktua shumë më vonë, sepse akoma deri në gjysmën e parë të shekullit IV vazhdohej të diskutohej nëse disa prej tyre ishin apostolike apo jo. Emërimi “Testamenti i Ri” u përdor për herë të parë nga Tertuliani dhe mandej u përgjithësua në gjithë kishën. Përveç Testamentit të Ri u pranuan si të shenjta dhe shkrimet e Testamentit të Vjetër dhe të gjitha së bashku morën emërtimin Shkrimet e Shenjta ose Bibla.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)

Besimi — Ortodoks

[cite]