SHPELLA E BËNJËS


SHPELLA E BËNJËS
✤ Vendbanim shpellor prehistorik në luginën e Lengaricës, pranë fshatit Bënjë të Përmetit. Shpella ka trajtën e një korridori të gjatë rreth 160 m, i eili degëzohet duke formuar disa mjedise të përshtatshme për banim. Gërmimet janë bërë më 1983. Shtresa më e hershme kulturore i takon epokës së bakrit dhe riprodhon tërësisht tiparet e kulturës së Maliqit II (shih). Shtresa tjetër dhe më e pasur kuiturore i takon epokës së bronzit me të tri periudhat e zhvillimit të saj. Qeramika e bronzit të hershëm karakterizohet nga qeramika barbotine (me sipërfaqe të ashpër) si dhe nga qeramika me lustër të zezë, karakteristike për periudhën paraardhëse. Në shumicën e enëve bashkëjetojnë të dy teknikat, fakt që mund të dëshmojë për vijimësinë kulturore dhe etnike të bartësve të saj. Gjatë bronzit të mesëm e të vonë Sh. e B. pati një jetë intensive. Qeramika e bronzit të mesëm është e pikturuar e stilit devollit. shquhet për nivelin e lartë të punimit. Shpella vazhdoi të banohej me të njëjtin intensitet edhe gjatë hekurit të hershëm dhe qeramika e stilit devollit vazhdoi të prodhohej e të qarkullonte gjerësisht. Vazhdoi të mbetej si pikë e banuar edhe në kohën e vonë antike e në fillimet e mesjetës. (M.Ko.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Shpella E Bënjës


[cite]