SHTETËZIMI


SHTETËZIMI
✤ Kalimi në mënyrë të detyrueshme i pronës private në pronësi të shtetit. Sh. në RPSSH është zbatuar pa shpërblim menjëherë pas vendosjes së pushtetit popullor si masë me karakter revolucionar për shpronësimin e shpronësuesve dhe për krijimin e pronës socialiste. Sh. gjeti sanksionim në Kushtetutën e RPSH të miratuar më 14.3.1946, në bazë të së cilës konsideroheshin pronë shtetërore të gjitha minierat dhe pasuritë e tjera të nëntokës, ujërat, burimet natyrore, pyjet dhe kullotat, mjetet e komunikacionit ajror, postat, telegrafat, telefonat, radiostacionet dhe bahkat (neni 5). Kushtetuta parashikonte gjithashtu mundësinë e Sh. kur e donte interesi i përgjithshëm. Në zbatim të këtij ligji themelor janë shtetëzuar më vonë, me ligje të veçanta, makinat bujqësore, kantieret e materialeve të ndërtimit, stabilimentet tipografike, fabrikat e vajit, sapunit, lëkurave, miellit, makaronave, orizit, tisazhit, këpucëve, farmacitë private etj. Me miratimin e Kushtetutës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë më 28 dhjetor 1976 u shtetëzua edhe toka, e cila deri atëherë ndodhej në pronësi të shtetit, të kooperativave dhe të shtetasve.

(P.H.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Shtetëzimi


[cite]