Sinodi i Firences
Sinodi i Firences u mbajt më 26 shkurt në sallën e madhe të Manastirit Santa Maria Nobela. Në seancën e parë nga ana e grekëve foli perandori, ndërsa nga latinët përshëndeti Julian Çezarini. Më pas u vazhdua me diskutimet e Marko Evgjenikut dhe Joanit të Raguzës mbi burimin e Shpirtit të Shenjtë. Më në fund perandori, pasi siguroi një vërtetim me shkrim nga papa për ndihmë filloi të ushtronte presion mbi hierarkët që të pranonin bashkimin. Në atë kohë Patriku Josif qe i sëmurë rëndë dhe në agoni e sipër e firmosi dekretin e bashkimit. Disa ditë më vonë Patriku Josif vdiq dhe e varrosën në Kishën Santa Maria Nobela. Testamenti që la nuk dihet nëse është origjinal. Punimet e Sinodit u mbyllën, më 6 korrik të vitit 1439 me një ceremoni solemne në katedralen Santa Maria. Edhe sot e kësaj dite në këtë Kishë ekziston një pllakë përkujtimore prej mermeri, e cila përmend se aty u bë bashkimi i kishave. Kisha e Lindjes, nuk e njohu bashkimin e arritur në Sinodin e Firences. Kur u kthyen delegatët në Kostandinopojë, u quajtën si tradhtarë të besimit ortodoks. Lajmi i bashkimit, u prit me protesta dhe indinjatë nga ana e popullit bizantin. Papa dërgoi në Kostandinopojë Kardinalin Isidor, i cili bëri një liturgji në Kishën e Shën Sofisë, duke shpallur dekretin e bashkimit, mirëpo populli ishte kaq i indinjuar saqë thërriste: “Më mirë të shohim çallmën turke nëpër rrugët e Kostandinopojës, sesa kapuçin e kardinalit”. Menjëherë mbas largimit të Kardinalit Isidor, më 29 maj 1453, Kostandinopoja ra në duart e turqve.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)