SKËNDERBEU GJERGJ KASTRIOTI
✤ Monument skulpturor (11 m i lartë), në sheshin me të njëjtin emër në qendër të Tiranës. U përurua më 1968 me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, vepër e Skulptorit të Popullit Odhise Paskali dhe e Skulptorëve të Merituar Andrea Mano e Janaq Paço. Statuja ekuestre në bronz rri mbi një bazament të ulët prej blloqesh te mëdhenj gurësh gëlqerorë. Me dinamizëm të brendshëm e një farë tendosje Skënderbeu qëndron mbi kalin që eeën me hap, duke mbajtur në dorën e djathtë shpatën me dorezë mbështetur në ije dhe në dorën e majtë frerin e kalit, duke u nisur në luftë. Përfytyrimi është realist. Me kokën lart, vështrimin përpara, përkrenaren karakteristike, pajimet ushtarake të lehta e pelerinë, ai është edhe ushtar i fortë, burrë shteti i urtë dhe udhëheqës popullor. Statuja me kalë ka një trajtim të thelluar plastik, që ndalet hollësisht në detalet, duke dhënë silueta mjaft të thyera e në lëvizje. Monumenti lidhet mirë me sheshin si një vepër solemne përfaqësuese.
(A. Ku.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Skënderbeu Gjergj Kastrioti
[cite]