Tërheqja e fundit
Në disa vende liqenet akullnajore kanë zënë vend në gropat e hapura nga akullnajat; në vende të tjera, aty ku më parë kishte vetëm shkëmb dhe shkreti, janë krijuar shtresa toke pjellore, që është sjellë nga akullnajat. Më në fund, grumbujt e rërës dhe të gurëve, që gjithashtu janë sjellë nga akullnajat, kanë formuar kepe, gjuhëza toke, ishuj dhe male. Në kohën tonë akujt vazhdojnë të tërhiqen. Tashmë të gjitha ultësirat e gjysmërruzullit jugor janë çliruar nga akujt, të cilët mund ti hasësh vetëm nëpër majat e maleve. Ka mbetur vetëm mbulesa e akujve të Grënlandës, e cila ngrihet plot dy kilometra e gjysmë mbi ishull dhe prej së cilës shkëputen ajsbergë të panumërt. Çdo vit shkëputen me mijëra syresh dhe pushtojnë oqeanin Atlantik në pjesën veriore të tij, deri në gjerësinë e ishujve Azore.
Klima e Tokës bëhet gjithmonë e më e butë. Pjesa më e madhe e akullnajave ndodhet në tërheqje. Akujt e Grënlandës copëtohen dhe ajsbergët e formuar prej tyre jetojnë për një kohë më të shkurtër se një herë e një kohë. Bile edhe në Alpet dhe në malet e Norvegjisë mund të vësh re, sesi çdo vit akujt tërhiqen paksa në krahasim me verën e vitit të kaluar. Uji që formohet nga shkrirja e akujve e ngre nivelin e detit m° pesë centimetra në vit.