Teodor Papapavli

Teodor Papapavli

shqiptar ortodoks Teodor Papapavli (1925-2000) ka lindur në qytetin e Beratit në vitin 1925. Në vitin 1938 shkoi për studime në Rumani, ku, pasi përfundoi Seminarin Central të Bukureshtit, dha provimet në liceun rumun. Në vijim vazhdoi Fakultetin e Teologjisë, të cilin nuk arriti që ta përfundonte sepse u detyrua që të ndiqte Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Bukureshtit. Pasi mbaroi studimet universitare u kthye në Shqipëri dhe filloi punë në sektorin administrativ të Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa në vitin 1968, kaloi në Presidencën e Shtetit, ku punoi si inspektor. Në kuadrin e qarkullimit të kuadrove, u transferua në Radio Tirana si përkthyes dhe folës i gjuhës rumune. Pas katër vjetësh atë e transferuan përsëri në Presidencë si inspektor të marrëdhënieve me publikun. Gjatë kohës që ai punoi në administratën shtetërore, njëkohësisht ai dha kontributin e tij intelektual dhe profesional edhe si pedagog i jashtëm në Universitetin e Tiranës ku zhvilloi lëndën e së Drejtës Kushtetuese pranë Fakultetit të Drejtësisë dhe lëndën e Gjuhës Rumune pranë Fakultetit të Filologjisë të këtij Universiteti. Mbas rilejimit të besimit, në vitin 1992 ai mundi të vinte në shërbim të komunitetit ortodoks njohuritë e tij fetare. Zoti Papapavli punoi si pedagog në Akademinë Teologjike duke dhënë kontributin e tij në lëndën e Historisë së Krishtërimit. Profesor Teodori u detyrua të ndërpresë aktivitetin e tij pedagogjik si rezultat i gjendjes së rënduar shëndetësore. Ai ishte njeri me kulturë, folës i frëngjishtes, italishtes dhe rumanishtes, i dashur dhe i respektuar nga studentët dhe kolegët e mbi të gjitha njeri i së vërtetës. Me shkrimet e tij apologjitike, Papapavli mbrojti interesat e Kishës Ortodokse duke thënë gjithmonë të vërtetën. Artikujt e tij qenë konkretë, bindës e me fakte nga historia e kishës. Ndër to mund të veçojmë: “E vërteta rreth fronëzimit të Kryeepiskopit Anastas”, “Letër e hapur shkrimtarit Ismail Kadare”, “Letër e hapur drejtuar Atë Artur Liolinit” etj. Ndër përkthimet e Papapavlit mund të veçojmë: 1-Historia universale e kristianizmit. (përkthim nga rumanishtja), Tiranë 1993. 2-Historia e Krishterimit. (Dispencë) Tiranë 1994. 3-Kisha ortodokse dje dhe sot. (përkthim nga frëngjishtja), Tiranë 1994. Papapavli ka ditur të përfaqësojë me dinjitet Kishën Ortodokse në shumë aktivitete ndërkombëtare, si në: Rodos, Liban, Kostandinopojë, etj. Ai u largua nga kjo botë duke na lënë imazhin e njeriut të së vërtetës, kurdoherë besnik e shpirtëror. Ishte pikërisht besimi, që erdhi si pasojë e martirizimit të tij, nga vuajtjet e lëndesa e gjatë, nga sëmundja, për të dhënë më vonë frytet e bollshme, ashtu si kokrra e grurit e rënë në tokë, që kur “vdes” sjell më shumë fryte.(Joani 12:24)

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Andrea Llukani, Gjithmonë i përkushtuar, Ngjallja, shkurt 2000, faqe 2

Besimi — Ortodoks
Persona

[cite]