Therini
Therini (+250) është martirizuar në Butrint gjatë përndjekjes së shtatë ndaj të krishterëve nga perandori romak Decius (249- 251). Therini ishte shumë shpresëtar dhe shquhej për virtytet. Ai ishte njeridashës duke i ndihmuar njerëzit që kishin nevojë. Gjatë persekutimit ndaj të krishterëve, perandori i Romës Decius dërgoi në Butrint guvernatorin Filip, me qëllim që t’i detyronte të krishterët që t’u bënin fli idhujve. Disa të krishterë iu bindën, por Therini filloi të fliste se perënditë pagane nuk qenë të vërteta por mashtrim prej djallit. Për këtë e kallëzuan te Perandori i cili urdhëroi që t’ia sillnin të lidhur. Por edhe përpara guvernatorit Therini qëndroi me trimëri duke pohuar të vërtetën që predikonte krishterimi. Mbas torturave të shumta Shën Therinin e hodhën në hipodrom në mesin e egërsirave, por për çudinë e spektatorëve ato nuk e prekën. Më në fund Shën Therinit i prenë kokën me shpatë në Butrint në vitin 250 pas Krishtit. Kisha jonë e përkujton më 23 prill.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Dhimitër Beduli, Shën Terini i Butrintit, Ngjallja, prill 1995, faqe 9.