Theofania
(greqisht: Θεοφάνια) Theofania ose siç quhet ndryshe Uji i Bekuar, na kujton manifestimin e Trinitetit të Perëndisë, Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë. Kjo e kremte shënon edhe fillimin e misionit publik të Krishtit mes njerëzve, tashmë jo si zdrukthëtar, por si mësues me autoritet për të hapur dyert e Mbretërisë së Perëndisë. Gjithashtu kujtojmë Pagëzimin e tij në lumin Jordan nga Joan Pararendësi. Kur turmat e njerëzve shkonin te Joani për t’u pagëzuar, ai u predikonte mesazhin e Pendimit dhe pagëzimin për ndjesën e mëkateve. Meqenëse Krishti ishte pa mëkat, ai nuk kishte nevojë që të pagëzohej. Megjithatë Krishti pranoi të pagëzohej për të treguar se ai e aprovonte pagëzimin, si një përgatitje për në Mbretërinë e Perëndisë. Ai donte që njerëzit të kuptonin se pagëzimi ishte një portë, nëpërmjet së cilës gjithsecili hyn në Mbretërinë e Qiejve.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)