Tradita e Shenjtë

Tradita e Shenjtë

Tradita e Shenjtë Shkrimet e Dhiatës së Re (Testamentit të Ri) nuk përfshijnë të gjitha mësimet e Jezu Krishtit dhe të apostujve. Krishti nuk shkroi asgjë, por vetëm predikoi gojarisht, ndërsa ungjillorët nuk shkruan gjithçka predikoi Ai. Shumë nga mësimet e tij u ruajtën dhe u trasmetuan gojarisht nga një gjeneratë në tjetrën. E njëjta gjë ndodhi edhe me predikimet e apostujve. Shumë prej tyre nuk shkruan asgjë, ose mund të themi se nuk u ruajt asgjë e shkruar prej tyre, por ata përhapën fjalën e Perëndisë. Mësimet e tyre ishin gojore, ashtu siç na e thotë qartë Shën Irineu: “Popujt besuan në Jezu Krishtin pa bojë dhe pa letër, sepse Ai ishte shkruar në zemrat e tyre.” Madje edhe ata pak apostuj që na lanë shkrime, ku përfshihet dokrina kristiane, dhe sidomos apostull Pavli, që shkroi më shumë se të gjithë, nuk shkruajtën gjithçka. Ungjijtë nuk u shkruan menjëherë pas Ngjitjes në Qiell të Krishtit, por më vonë dhe u shkruan për komunitete të caktuara ose rrethe lexuesish. Gjithashtu Letrat e Apostujve janë shkruar për kristianët e komuniteteve të caktuara ose për provinca të veçanta, të cilëve apostujt u kishin bërë të njohur mësimet e ungjillit me anë të predikimit gojor. Mund të kuptohet me lehtësi se ka shumë mësime dhe praktika ku nuk përfshihet tërësia e mësimeve dhe e praktikave, të cilat u transmetuan nga Krishti dhe nga apostujt në mënyrë gojore. Këto përbëjnë Traditën e Shenjtë.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)

Besimi — Ortodoks

[cite]