3. LINDJA E LETËRSISË SË SHKRUAR NË SHQIPËRI
3.1 Traditat humaniste të Rilindjes evropiane
Shqiptarët u kishin dhënë ndihmesën e tyre modeste letërsisë dhe kulturës perëndimore
shumë kohë më parë se ndokujt t’i kishte vajtur mendja që ta përdorte shqipen për të shkruar.
Afërsia me Italinë, djepi i qytetërimit evropian, dha mundësi që mjaft prej tyre të përfitonin
drejtpërdrejt nga kultura humaniste plot jetë e Rilindjes evropiane dhe të merrnin pjesë në të. Në
transmetimin e kësaj kulture ndërmjetës ishte Republika e Shën Markut, Venediku.
Me fillimin e shekullit të pesëmbëdhjetë, fuqia politike e ekonomike plot dinamikë e
‘Serenissima-s’ e kishte shndërruar Adriatikun në një liqen venedikas dhe kishte përhapur
kulturën e idetë e Rilindjes evropiane nëpër bregdetin dalmat e deri në Shqipëri. Ndonëse
Shqipëria vetë mbetej një vend malor i ashpër e i thyer, siç kishte qenë gjithmonë, si dhe për
shkaqe historike, politike e ekonomike nuk do të zhvillonte një kulturë qytetëse të lulëzuar si
ajo në Dubrovnik (Ragusa), Shibenik (Sebenico), Split (Spalato), Trogir (Traù) dhe Zadar
(Zara) sipër në veri të bregdetit dalmat, një numër shqiptarësh që jetonin në Itali, do të linin
gjurmët e tyre në kulturën latine të Rilindjes evropiane. Shumë nga këto figura qenë pasardhësit
e asimiluar të refugjatëve nga Shqipëria veriore katolike, që kishin ikur nga vendi gjatë
pushtimit turk e ishin vendosur në fillim në territoret e ‘Serenissima-s’, pjesa më e madhe në
stabilimenti brenda dhe përreth Venedikut. Në historinë e letërsisë shqiptare këto figura
përgjithësisht përmenden si “humanistë shqiptarë”1. Megjithatë, që në fillim, duhet të themi se
për arsye historike është mjaft e vështirë të përcaktohet se kush apo çfarë është shqiptare në
shekullin e pesëmbëdhjetë e, për rrjedhojë, prejardhja e saktë etnike e këtyre figurave mbetet
deri diku e hamendët.
Gjon Gazulli2 (1400-1465), i njohur në lat. si Johannes Gazulus (Gazoli) dhe në serbokroatisht
si Ivan Gazuliƒ, ka qenë astronom e matematikan i njohur me prejardhje shqiptare, që
studioi në Padovë dhe jetoi në Dubrovnik, ku dha mësime filozofie, matematike e astronomie
dhe iu përkushtua shpikjes së instrumenteve astronomike. Astronomi dhe matematikani
bashkëkohës gjerman Johanes Myler (Johannes Müller, 1436-1476), i njohur edhe si
Regiomontanus, e përmend në veprën e vetë. Gazulli gjithashtu kryesoi një numër misionesh
diplomatike në shërbim të Dubrovnikut e Venedikut dhe ishte aleat i heroit kombëtar shqiptar
Skënderbeut (1405-1468).
Historiani Marin Barleti3 (rreth 1450-1512), i njohur në lat. si Marinus Barletius,
mendohet të ketë lindur në Shkodër, ku ai përjetoi nga afër rrethimin e dytë të qytetit nga turqit
më 1478. Kur Shkodra më në fund ra, Barleti, si shumë bashkatdhetarë, iku në Itali e u vendos
në Venedik e më pas në Romë. Atje ra në kontakt me kulturën dhe idetë e Rilindjes italiane, të
cilat e frymëzuan për të dokumentuar historinë e turbullt të Shqipërisë gjatë pushtimit turk dhe
qëndresën kombëtare të saj nën udhëheqjen e Skënderbeut. Barleti është autor i tri veprave në gjuhën latine: De obsidione Scodrensi, Venedik 1504 (Rrethimi i Shkodrës); Historia de vita et
gestis Scanderbegi, Epirotarum Principis, Romë, rreth 1508-1510 (Historia e jetës dhe bëmave
të Skënderbeut, princit të Epirit); dhe Compendium vitarum summorum pontificium et
imperatorum romanorum usque ad Marcellum II, Romë 1555 (Përmbledhje e jetës së papëve
dhe perandorëve romakë deri te Marceli II).
‘Historia e Skënderbeut’ e Barletit është lexuar e përkthyer gjerësisht në shekujt e
gjashtëmbëdhjetë dhe shtatëmbëdhjetë4 dhe përbën për ne një burim themelor të dhënash mbi
Shqipërinë e shekullit të pesëmbëdhjetë. I ndikuar fort në stil e në mendim nga historianët
romakë, sidomos nga Livi (vitet 59 para erës sonë – 17 të erës sonë), Barleti e frymëzoi lexuesin
e shekullit të gjashtëmbëdhjetë, pikërisht kur turqit ishin në portat e Vjenës më 1529 dhe që
përherë e më shumë po e zinte ankthi i mundësisë së një pushtimi turk të Evropës Perëndimore.
Barleti gjithashtu hodhi themelet e asaj çka vetëm mund të quhet kult i Skënderbeut për
shqiptarët brenda vendit dhe në diasporë, duke shprehur një nderim të thellë, pothuajse si
shenjtor për heroin kombëtar shqiptar, si simbol dhe thelb i qëndresës ndaj sundimit të huaj.
Një poet latin i Rilindjes evropiane për të cilin është thënë se ka prejardhje arvanitase
ishte Mikel Maruli5 (Michele Marullo Tarchaniotes, 1453-1500), i njohur në latinishte si
Michaelis Marullus. Mendohet se ka lindur nga një familje greko-shqiptare me prejardhje nga
Moreja pak muaj pas rënies së Konstantinopojës. Familja e tij iku në Raguzë (Dubrovnik), ku
që në vogëli, ndjeu së pari ndikimin e qytetërimit të Rilindjes italiane. Më 1470 ai i hyri një
karriere ushtarake dhe shërbeu dhjetë vjet si ushtar energjik i fatit në vise të ndryshme të Italisë.
Më 1491-1492 ai rivalizoi me Politianin (1454-1494) në Firence dhe më 1495 u martua me
poeteshën Alesandra Skala (Alessandra Scala, 1475-1506), ndonëse martesa nuk zgjati shumë.
Neaera, së cilës ai i drejtonte vargjet e tij katuliane të dashurisë, duket se ka qenë personifikimi
kolektiv i shumë marrëdhënieve pasionante. Maruli është autor i katër librave me epigrame
latine, mjaft prej tyre të mbrujtura me një notë melankolie, si dhe i katër librave me ‘himne për
natyrën’, në të cilët ai, me një stil lukrecian, ngre lart forcat mitologjike të natyrës. Maruli, për
të cilin Sandro Botiçeli (Sandro Botticelli, 1444-1510) na ka lënë një portret klasik rilindës, u
mbyt aksidentalisht në lumin Cecina më 11 prill 1500.
Leonik Tomeu6 (Leonicus Thomeus, 1456-1531), i njohur në italishte si Niccolò
Leonico Tomeo, lindi në Venedik nga një familje prej Durrësi. Ai studioi letërsi klasike dhe
filozofi në Firence dhe u bë profesor i filozofisë në Padovë, ku thuhet se i ka dhënë mësim, mes
të tjerëve, edhe Kopernikut. Më pas u vendos në Venedik dhe dha mësim në Scuola degli
Albanesi (Shkolla e shqiptarëve). Tomeu qe një dijetar i shquar klasik, i çmuar mjaft nga
Erazmi, dhe përktheu veprat e Aristotelit e të filozofëve të tjerë të Greqisë së Lashtë.
Një tjetër dijetar latin me prejardhje arvanitase pa dyshim ishte Maksim Greku7 (rreth
1480-1556), i njohur edhe me emrat Michael Trivolis, Maksim Hagioriti, në shqipe Maksim ose
Mihal Artioti, dhe në italishte Massimo d’Arta. Ai pati lindur në Artë, një qytet në Epir i
populluar mjaft nga shqiptarë, dhe studioi latinisht, greqisht, filozofi dhe teologji në Ferrarë,
Firence dhe Padovë. Rreth dhjetë vjet ai jetoi si murg në Malin Atos dhe më 1518 u thirr në oborrin e Vasilit III (sundoi 1505-1533) në Moskë për të përgatitur përkthimet sllave të teksteve
liturgjike greke. Maksim Greku luajti një rol të madh në ringjalljen e kishës ortodokse ruse,
duke bërë të njohur në Rusi arritjet e filologjisë dhe të studiuesve bizantinë. Ai është autori i më
se 150 veprave, ndër to traktate filozofike, teologjike e gramatike, predikime morale dhe
përkthime.
Marin Beçikemi8 (Marinus Becichemus Scodrensis, 1468-1526), i njohur në italishte
Marino Becichemi, ishte nga Shkodra dhe qe mësues në Dubrovnik e në Breshie para se të
bëhej profesor i retorikës në Universitetin e Padovës. Ai është autor i një numri veprash
latinisht, ndër to një panegjirikë që merret me rrethimet e vendlindjes së tij, Shkodrës, më 1474
dhe 1478.
‘Humanistët shqiptarë’ të përmendur më sipër, shkrimtarë dhe mendimtarë të shekujve
të pesëmbëdhjetë dhe gjashtëmbëdhjetë, patën pak rëndësi të drejtpërdrejtë për lindjen e
letërsisë shqiptare. Ata ishin produkt i kulturës humaniste të Rilindjes italiane dhe, me talentin
e tyre, dhanë ndihmesë në zhvillimin e kësaj ringjalljeje të madhe kulturore, që do të kishte një
ndikim të tillë mbi qytetërimin evropian. Duke përdorur latinishten si gjuhë universale të
shkollës, shkencës dhe artit, ata nuk patën lidhje të tjera me Shqipërinë përveç atyre të krijuara
ndoshta nga rrënjët e tyre etnike.
Megjithatë, pikërisht në këtë periudhë energjia krijuese e intelektualëve shqiptarë brenda
dhe jashtë vendit filloi për herë të parë të kanalizohej drejt përdorimit të gjuhës së tyre për të
shkruar. Një letërsi e re ishte në prag të agimit të saj.
_______
1 kr. Prenushi 1981, dhe Pipa 1991b.
2 kr. Prenushi 1981, f. 34-59, dhe Drançolli 1984.
3 kr. Pall 1938, dhe Shuteriqi 1979a, f. 44-85.
4 Për përkthimet e para kr. Petrovitch 1881/1967.
5 kr. Bruns 1893, Sainati 1919, vëll. 1, ff. 69-161, Zakythenos 1928, Croce 1945, vëll. 2, f. 267-380, Perosa 1951, dhe Prenushi 1981, f. 60-76.
6 kr. Prenushi 1981, f. 117-130.
7 kr. Denissoff 1943, A. I. Ivanov 1969, dhe Prenushi 1981 f. 149-164. Veprat e tij janë botuar në rusisht, kr. Maksim Grek 1894-1897.
8 kr. Cosenza 1962, Prenushi 1981, f. 131-148, dhe Shuteriqi 1987, f. 40-72.
Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia