TRAKTATI I FSHEHTË I LONDRËS


TRAKTATI I FSHEHTË I LONDRËS
✤ (26 prill 1915). Marrëveshje e fshehtë e përfunduar midis Fuqive të Antantës dhe qeverisë italiane për të plotësuar pretendimet e imperializmit italian në Shqipëri dhe lakmitë ekspansioniste të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Sipas pikës 5 të T. F. L. bregdeti shqiptar prej derdhjes së Bunës në V deri në derdhjen e Drinit në J, përfshirë Shëngjinin, do t’i kalonte Serbisë dhe Malit të Zi, sipas pikës 6 Vlora dhe ishulli i Sazanit i kalonin Italisë. Sipas pikës 7 Italia detyrohej të mos e kundërshtonte dëshirën eventuale të Francës, Anglisë dhe Rusisë që pjesët V e J të Shqipërisë të ndaheshin midis Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë, ndërsa në Shqipërinë e Mesme do të formohej shteti shqiptar «autonom», i cili do të ishte nën protektoratin e Italisë.

Me T. e F. të L. Fuqitë e Antantës dhe Italia merrnin nëpër këmbë të drejtat sovrane të popullit shqiptar, duke krijuar premisat edhe për likuidimin e pavarësisë së Shqipërisë. Traktati u botua për herë të parë nga qeveria e kryesuar prej V. I. Leninit në shtypin sovjetik dhe pastaj në organet e tjera jashtë dhe brenda Shqipërisë. Ai u bë i njohur në të gjitha qarqet patriotike shqiptare, u cilësua prej tyre «Qefini i Shqipërisë», ngjalli një valë zemërimi që u pasua nga protesta energjike dhe nga një lëvizje e fuqishme antiimperialiste. Ai u hodh poshtë nga Kongresi i Lushnjes (shih).

(K.X.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Traktati I Fshehtë I Londrës


[cite]