VËLLAMËRIA


VËLLAMËRIA
✤ Zakon i lashtë për vendosjen e marrëdhënieve të njëjta si ato midis dy vëllezërve, që bëhej duke pirë nga një pikë gjaku ndërmjet dy vetave. Me këtë nënkuptohej përzierja e gjakut dhe për pasojë krijimi i lidhjeve të ngushta midis vëllamëve e familjeve të tyre, që çonte në krijimin e një gjinie artificiale dhe në ndalimin e martesave midis tyre. Me pirje gjaku lidheshin edhe femrat, të cilat e quanin njëra-tjetrën motërma. V. me pirje gjaku dëshmohet si institucion i ilirëve dhe i shqiptarëve të kohës së Skënderbeut. Ndeshet ende në fund të shek.XIX e në fillim të shek.XX, si dhe tek arbëreshët e Italisë e të Greqisë. Formë interesante ishte V. kolektive, në rastet kur shqiptarët duhej të lidheshin kundër ndonjë sulmi të jashtëm. Luftëtarët, pavarësisht nga besimi hidhnin nga një pikë gjak në një gotë dhe e pinin me radhë, duke e quajtur veten vëllemër ose kryqëzonin armët, duke thënë: «Jeta ime është jeta jote dhe jeta jote është jeta ime», Ai që hynte në lidhje të tillë quhej vëllam, vëllath, vëllazënor, probatin, byrazer, vëlla. Në disa krahina të Shqipërisë së Jugut vëllam quhej më pas edhe personi që shkonte për të marrë nusen. Pas Çlirimit V. pak nga pak mbeti si një zakon i së kaluarës.

(Y.Se.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Vëllamëria


[cite]