VAKSINAT


VAKSINAT
✤ Pezulli mikroorganizmash (bakterie, viruse etj.) të dobësuar ose të ngordhur dhe toksina (helme) mikrobesh të inaktivuara, që përgatrten dhe përdoren për parandalimin dhe në disa raste për mjekimin e sëmundjeve që shkaktohen po nga këta mikroorganizma.

Para Çlirimit përveç një sasie të vogël V. kundra tërbimit (1926) në vend nuk prodhohej asnjë V. tjetër. Ndonjë V. është importuar dhe përdorur në shkallë shumë të kufizuar. Pas Çlirimit (1947) pranë Laboratorit Qendror të Prodhimeve dhe Kërkimeve Mikrobiologjike, sot Instiiuti i Higjienës dhe Epidemiologjisë (shih) filloi prodhimi i V. kundra tifos së zorrëve dhe paratifos A e B (vaksinës TAB), përdorimi i saj ndihmoi për uljen graduale të këtyre sëmundjeve dhe ndërprerjen e epidemive. Më 1950 u prodhua V. kundra etheve të Maltës, më 1954 V. kundra lijës, më 1956 anatoksina difterike e lëngët që

shërbeu si bazë për prodhimin e serumit antidifterik dhe më 1959-1960 anatoksina difterike e purifikuar dhe e adsorbuar, e cila hyri në përdorim për vaksinimin e të gjitha moshave fëminore. Më 1960-1961 u prodhua anatoksina tetanike e lëngët dhe më vonë ajo e purifikuar e adsorbuar, që u përdor për vaksinimin e popullatës më të ekspozuar ndaj tetanosit dhe shërbeu si bazë për prodhimin e serumit antitetanik. Më 1967 filloi prodhimi i V. BCG për mbrojtjen kundër tuberkulozit, më 1968 filloi kombinimi i V. dhe u rrit prodhimi i divaksinës diftero-tetanike të purifikuar të adsorbuar dhe më 1972 u realizuan dy preparate të tjera vaksinash të kombinuara, trivaksina diftero-tetano-pertussike (kundra difterisë, tetanosit dhe kollës së mirë) dhe polidina. Më 1971 u prodhua V. kundra fruthit, duke qenë kështu Shqipëria në radhën e atyre pak vendeve që e prodhojnë këtë vaksinë. Sot tek ne prodhohen rreth 22 lloje V. dhe mbi 80 lloje serumesh diagnostikuese, ndërmjet tyre V. me stabilitet më të mirë dhe afat ruajtjeje më të gjatë.

Vaksinimi është injektimi ose marrja nga goja e V. për të fituar një gjendje imune (mbrojtje). Me prodhimin e V. në vend u krijuan kushte për vaksinimin e përgjithshëm dhe falas të gjithë popullatës.

(Jo.K.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Vaksinat


[cite]