VARGMALET NËNUJORE

(deti)

Male e vargmale nuk ka vetëm mbi tokë, por edhe mbi fundin e oqeaneve. Bile ka vargmale nënujore, siç është ai në fund të Oqeanit Atlantik, që kanë një gjatësi më të madhe e maja më të larta sesa vargmalet më të mëdha të tokës. Vargmalet nënujore u zbuluan gjatë matjeve të thellësive oqeanike. Në një ekspeditë të tillë u vu re se thellësia në pjesën e mesit të Oqeanit Atlantik ishte më e vogël se thellësia në të dy anët e saj. Kuptohej pra se këtu në mes, fundi i oqeanit vinte më i ngritur. Matjet e thellësive bëhen zakonisht me valë zanore (ultratinguj). Duke matur kohën që i duhet valës për të zbritur gjer në fund të oqeanit e për t’u ngjitur prapë në sipërfaqe, si dhe duke ditur shpejtësinë e përhapjes së valëve zanore në ujë, gjendet fare lehtë thellësia e fundit të oqeanit në vendin ku bëhet matja. Nga matjet e shumta është vërtetuar se i gjithë Oqeani Atlantik përshkohet nga një vargmal i gjatë, që u quajt Kreshta Nënujore Mesatlantike. Majat e saj ngrihen rreth 2700 metra mbi niveli e fushave nënujore, që shtrihen në të dyja anët e saj. Gjerësia e Kreshtës është 1100 km, pra ajo zë rreth 1/3 e gjerësisë së Oqeanit Atlantik. Majat e saj zakonisht gjenden 1600 m nën sipërfaqen e ujit, por vende-vende ato ngrihen gjer në sipërfaqe duke formuar ishuj të ndryshëm si Ishujt Azore, Ashension, Tristan da Kunja etj.

Qielli – Deti – Toka

[cite]