FUNDI I OQEANIT BOTËROR

FUNDI I OQEANIT BOTËROR

(deti)

Fundi i oqeaneve nuk është aspak i rrafshët dhe as në formën e një grope të madhe me faqe të lëmuara. Në fund të oqeaneve ka vende të ngritura e të ulura, male e vargmale të tëra, rrafshina e humnera, që nuk mbeten aspak prapa atyre që vërehen mbi tokë. Ka rreth një shekull që lundërtarët mësuan të masin thellësitë e mëdha oqeanike dhe të përcaktojnë fundin e oqeaneve. Megjithëse përcaktimi i relievit të fundit të oqeaneve paraqet vështirësi më të mëdha sesa përcaktimi i relievit të sipërfaqes së Tokës, sot është bërë një studim i gjerë dhe janë përpiluar harta mjaft të sakta të fundit të oqeaneve të ndryshme. Në përgjithësi, gjer në thellësinë 200 m fundi i oqeanit vjen si vazhdim i kontinentit, duke ruajtur një pjerrësi të përafërt me të. Kjo pjesë e fundit të oqeanit është e mbuluar me rërë e gurë, që janë gërryer nga brigjet ose janë sjellë nga lumenjtë. Më tej relievi pëson një thyerje të fortë dhe zbret në thellësinë rreth 2000m në formën e një shpati që quhet shpat kontinental. Pastaj pjerrësia bëhet më e butë. Në njëfarë vendi ndodh një rënie e thiktë, që përfundon me një humnerë të vërtetë, e cila shkon 6-7 km thellë e, në ndonjë vend, gjer afër 11 km thellë. Por fundi i oqeanit nuk ka në çdo rast këtë pamje. Vende-vende trualli, pasi pjerrësohet poshtë gjer në njëfarë thellësie, ngrihet përsëri lart e nganjëherë arrin edhe të dalë mbi sipërfaqen e oqeanit, duke formuar ishuj.

Qielli – Deti – Toka

[cite]