Vasili i Madh
(greqisht: Βασίλειος ο Μέγας) Vasili i Madh (329-379) ka lindur në vitin 320 në Qezare të Kapadokisë, në një familje të shquar. Prindërit e tij, Vasili dhe Emelia, qenë fisnikë dhe shpresëtarë, prandaj fëmijës i vunë emrin Vasil që do të thotë mbretëror. Vëllezër kishte Naukratin, Pjetrin e Sebastisë dhe Grigorin e Nisës, ndërsa motër Oshënare Makrinën. Studimet e para i kreu në vendlindje dhe më pas në Nikomedi. Në vitin 351 vajti në Athinë ku studioi filozofi, retorikë, filologji, astronomi dhe mjekësi. Gjatë viteve të studimeve zuri miqësi të ngushtë me Grigor Teologun. Në vitin 356 Vasili u kthye në Qezare, ku punoi si mësues retorike. Një ndikim vendimtar në formimin e tij shpirtëror pati vizita që bëri nëpër manastiret e Sirisë, Palestinës dhe Egjiptit. Vasili u dorëzua dhjak dhe asketoi në shkretëtirën e Pontit rreth viteve 360-365. Pasi u hirotonis prift, Vasili u vendos në Qezare, ku u përball me herezinë arianiste. Në vitin 370 u dorëzua episkop. Mësuesi ekumenik shkroi vepra të rëndësishme: apologjitike, komentuese, dogmatike etj. Më e rëndësishmja prej tyre është Liturgjia Hyjnore, e cila mban emrin e tij. a) Dogmatike. Mbi Shpirtin e Shenjtë, u shkrua në vitin 375, Kundër Eunomit në vitin 363. b) Pedagogjike. Drejtuar të rinjve, e cila është edhe nga më të rëndësishmet prej veprave të tij. Deri në vitin 1500 është ribotuar 20 herë. c) Komentarë. Rreth gjashtë ditëve, që përbëhet prej nëntë ligjëratash etj.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1- Shën Vasili i Madh, Kryepeshkop i Qezaresë së Kapadoqisë, Mbi Shpirtin e Shenjtë, përkthyer nga At Joan Pelushi, botim i KOAShit, Tiranë 1996. 2–Kujt i përket lavdia, përktheu Dhimitër Vasho, faqe 15-18.