ÇIKA
✤ Mal në Bregun e Detit, midis Jonit në P dhe luginës së Shushicës në L, me shtrirje JL-VP e me majat më të larta të Çikës (2040 m) e të Qorres (2018 m). Përfshin malet e Vetëtimës (shih), malet e Mesofijes (1694 m), Lepietrën (1100 m, mbi Himarë e Pilur) e Bogonicën (1672 m. mbi Kallarat) dhe vazhdon në V me Lungarën (shih). Përhën një antiklinal të madh të ndërtuar nga gëlqerorë mesozoikë të Zonës Jonike, që janë ngritur në lartësinë e sotme nga lëvizjet neotektonike. Shpati P është i koklavitur nga një shkëputje tektonike e madhe, prej së cilës mjaft blloqe gëlqerorësh kanë rrëshqitur njëra mbi tjetrën dhe kanë bërë që ky shpat të bjerë shkallë-shkallë mbi detin Jon, duke formuar Rivierën e Himarës, pjesa më piktoreske e gjithë Rivierës Sbqiptare. Shpati L është më i butë dhe bie mbi luginën e Shushicës. Format e relievit të sotëm janë shumë të ashpra. me maja të mprehta, shpate me gremina e rrëpira shumë të thella, si pjesa më e lartë e Ç. që bie thikë mbi fshatin Palasë. Akullimet e kuaternarit kanë lënë gjurmë në lartësitë mbi 1700-1800 m në anën VP në irajiën e cirqeve në majën e Çikës, të Qorres etj. ku bora qëndron deri nga mesi i verës. Mjaft të përhapura janë edhe dukuritë e format karstike, si shkrepa, guva, shpella, dolina, hinka e vrima. Dukuri e rëndësishme karstike janë burimet nëntokësore, të sbumta sidomos rrëzë faqesP (burimet e Palasës, Dhërmiut etj.). Shumë burime dalin drejtpërdrejt në buzë të detit ose nën det (burimet nëndetare). Faqja P e Ç. është e çarë nga shumë përrenj malorë (sele) që zhvillojnë veprimtari të fuqishme gjeomorfologjike, duke gërryer e depozituar sasi shumë të mëdha materialesh të ngurta (përroi «Rrugët e Bardha», përroi i Palasës, i Dhërmiut, i Gjipesë, i Vishnjës,. i Spilesë etj.). Disa prej tyre formojnë kanione shumë të thella e të bukura (kanioni i Gjipesë). Deri në 600-800 m shpatet nga të dy anët e Ç. janë të veshura me shkurre tipike mesdhetare (xinë, mare, shqopë, përrallë, xhixhibanos, sherbelë, hamocfakë etj.) dhe vende-vende me valanidh, që në Himarë e Pilur formon masive të dendura. Në lartësitë 800-1500 m bimësia është e varfër, rriten aty-këtu bredha mesdhetarë e pisha e zezë. Mbi 1500-1600 m rriten vetëm gëmusha e barëra livadhore. Në këmbët P të Ç., nga Palasa në Qeparo shtrihet Bregdeti i sipërm, ku janë mbjellë pemë subtropikale (agrume, ullinj, fiq, bajame, shegë etj.), popullsia është e dendur dhe ka vise me vlera të mëdha turistike.

(Me.K.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Çika


[cite]