EKINOKOKOZA


EKINOKOKOZA
✤ Sëmundje ngjitëse e rrezikshme e kafshëve dhe e njeriut, e shkaktuar nga paraziti Ecinococeus granulosus. Përhapësit kryesorë të këtij paraziti janë mishngrënësit (qentë), ndërsa kafshët e tjera e njerëzit janë bartësit e ndërmjetëm. Tek organet e brendshme (në mëlçi e në mushkëri) zhvillohen mëshikëzat e ekinokokut. Studimet biologjike të parazitit në Shqipëri kanë treguar se dhentë e pas tyre derrat paraqesin burimin më të zakonshëm e më të rrezikshëm për përhapjen e E. prandaj aty përqendrohet lufta për ta kufizuar e çrrënjosur këtë burim sëmundjeje. Për luftimin e E. merren një seri masash: kontrolli veterinar i rreptë i të gjitha kafshëve që theren e përpunimi i organeve të prekura me solucion kripe (NaCl) ose me formalinë, zhdukja e vazhdueshme e qenve endacakë dhe dehelmintizimi i qenve të shërbimit. (Al.K.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Ekinokokoza


[cite]