Perimorja dhe kriteret e ngritjes së saj

Për ngritjen e perimores dy janë momentet kryesore, zgjedhja e vendit dhe përgatitja e tij për mbjellje.Zgjedhja e vendit për ngitjen e perimores duhet të plotësojë disa kritere të caktuara.Ai duhet:

  • të jetë i rrafshët të mundësojë thithje të lehtë të ujit dhe lehtësi në përdorimin e mjeteve të mekanizuara;
  • të ketë ekspozim jugor për prodhim të lartë cilësor të prodhimeve, prandaj zgjidhen terrenet me ekspozim sa më të mirë kah dielli.
  • të jetë i mbrojtur nga erëra të ftohta e të fuqishme pasi ato ndikojnë negativisht mbi bimët dhe shkaktojnë demë në prodhimtarinë e tyre.
  • të jetë me pjerrësi të ulët 1-2%.Mjediset me pjerrësi mbi 15% nuk shfrytëzohen, por kur nuk ka mjedise më të mira ndërhyhet duke i rrafshuar.
  • të ketë shtresë të përpunuar mirë të tokës e trashë të paktën 20-25cm, zgjidhen toka të zeza, aluvionale të cilat janë pjellore, të thella dhe të shkrifta, me pH neutral deri në të lehta acide ose të lehta bazike, me strukturë të imët kokrrizore dhe kapacitet të mirë ujor.
  • të ketë nivel të thellë të ujit nëntokësor pasi niveli i lartë i tij çon deri në çarje të tokës.Në këto toka është vështirë të kultivohen perimet, prandaj kryhet drenazhimi.
  • të jetë afër burime ujore për ujitje pasi uji i ndotur me mikroorganizma të dëmshëm ose lëndë helmuese për tokën, bimën ose njeriun, nuk lejohet të përdoret për ujitjen e tokave të mbjella me perime.
  • të ketë infrastrukturë rrugore vendi të jetë i arritshëm dhe i lidhur me rrugë që mundësojnë furnizimin pa pengesa me materialet e nevojshme, transportin e fuqisë punëtore dhe të jenë të lidhura me sistemet kryesore të komunikacionit dhe me tregjet e shitjes.
  • të jetë afër vendbanimit të punëtorëve pasi kjo ul shpenzimet e transportit të fuqisë punëtore.

Gjetja e një vendi që t’i plotësojë të gjitha kriteret e mësipërme është e vështirë, por nëse vendi siguron shumicën e kushteve dhe të tjerat mund të përmirësohen, atëherë mund të shfrytëzohet për ngritjen e perimores.

Përgatitja e vendit për ngritjen e perimores përfshin një varg masash si më poshtë:

Rrafshimi dhe nivelimi bëhet kur vendi nuk është i rrafshët. Gjatë rrafshimit i jepet vendit një pjerrësi e vogël që të pengohet qëndrimi i ujit në siperfaqe të tij. Pastrimi i vendit nga gurë, mbetje të bimëve etj., që të mos ketë pengesë gjatë masave agroteknike. Kalcifikimi bëhet me shtimin e gëlqerës në tokë kur duan të zvogëlojmë aciditetin e tokave me reaksion acid. Gjipsimi bëhet kur duam të zvogëlojmë reaksionin bazik të tokave. Shtimi i plehut organik në tokë bëhet  pothuajse çdoherë gjatë kalcifikimit.Sasia e gëlqeres, gipsit dhe materieve organike, të cilat do të shtohen në tokë, varet nga rezultatet e analizës kimike të tokës. Drenazhimi i vendit bëhet në tokat ku ka tepricë lagështie për largimin e ujërave të tepërta dhe tharjen e tyre. Furnizimi me ujë për ujitje është e domosdoshëm për kultivimin e perimeve.Si burime për ujitje mund të shfrytëzohen liqenet, lumenjtë, përrenjtë, puset etj.. Mbrojtja nga vërshimet duke ngritur diga, hapur dhe pastrimi i kanaleve për drenazhim, rregullimi i shtratit të lumit nëse vendi ekspozohet ndaj rrezikut i vërshimeve dhe masa të tjera, mbjellja e drurëve etj. Mbrojtja nga erozioni bëhet me përpunim e ripërpunim të vendit apo territorit dhe me hapjen e kanaleve mbledhese dhe drenazhuese të ujit.Mbrojtja nga erërat e fuqishme dhe të ftohta me ngritjen e brezave mbrojtës natyral ose artificial të erës.Rrethimi i vendit/territorit bëhet për shkaqe të ndryshme: të pengohet hyrja e personave të padëshiruar, të pengohet hyrja e kafshëve shtepiake dhe të egra etj.Parcelëzimi bëhet për lehtësi në mbjellje alternative të kulturave.Numri i parcelave varet nga madhesia e sipërfaqes, numri i kulturave, mekanizmi që është në dispozicion dhe fuqia punëtore.

 

Shtretërit dhe ngritja e tyre

 

Ka lloje të ndryshëm të shtretëve në varësi nga mënyra e ngrohjes, konstruksionit dhe drejtimit të prodhimit.Mënyra e ndërtimit dallohet dhe varet nga lloji i hapësirës.Gjatë ndërtimit të shtretërve ndiqen hapat e mëposhtëm: përgatitja e vendit, përgatitja e materialeve për ngrohje, dezinfektimi i vendit dhe materialeve për ndërtim, ngritja e shtratit.Shtretërit e nxehtë janë objekte që shfrytëzohen një ose më shumë vite.Zgjedhja e vendit për ndërtimin e shtratit të nxehtë bëhet me kujdes.Shtrati i nxehtë mund të ndërtohet në hapësirë të hapur, por edhe në hapësirë të mbyllur, në serrë apo tunele të larta.Vendi për shtretër të nxehtë duhe të jetë i mbrojtur nga ndikimet e erërave të forta dhe të ftohta, kullimi, vendet e rrafshëta ose me pjerrësi të vogël kah jugu ose jug-lindja dhe ekspozimi i drejtpërdsrejtë i dritës së diellit, gjatë tërë ditës.

Përgatitja e materialeve për ngrohje të lehes varet nga lloji i materialit.Plehu më i mirë për përgatitjen e shtretërve të nxehtë është plehu i kalit megjithatë me shpesh shfrytëzohet plehu i gjedheve mqs gjendet në sasi më të mëdha.Plehu i gjedheve përdoret i vetëm ose i kombinuar me shtimin e mbeturinave të bimëve ose me shtim te plehrave të kafshëve të tjera.Nxehtësia që çlirohet nga plehu nxit veprimtarinë e mikroorganizmave të cilët e zbërthejnë lëndën organike në pleh.Para se të vendoset plehu në shtrat, ai grumbullohet dhe lihen 1-2 javë që të kryhet “djegia”/dekompozimi i tij.Renditja e plehut të dekompozuar bëhet gradualisht me shtimin e shtresave të plehut.Nëse shfrytëzohet plehu i gjedheve, pas ngjeshjes te plehut shtohet shtresë me trashësi 1-1.5cm gëlqere, hi ose material tjetër, për të penguar zhvillimin e kërpudhave të dëmshme. Mbi shtresën e plehut shtrohet një shtresë dheu.Përgatitja e tokës duhet të sigurojë kushte për kultivim të rasatit ose bimëve në shtretër të nxehtë.Për këtë, përgatitet dherishtja, ku dheu duhet me strukturë të mirë, i pasur me lëndë ushqyese, i pastër nga farat e barërave të këqija, mikroorganizma e dëmtues të dëmshëm.Dherishtja përgatitet në sipërfaqen e shtratit ose në afërsi të tij.Pastaj bëhet ngjeshja e mirë e sipërfaqes.Para se të shtrohet dherishtja bëhet edhe dezinfektimi i tokë dhe i saj.Në tokë ka shumë mikroorganizma, dëmtues dhe fara të barishteve të këqija.Me dezinfektimin e tokës zvogëlohet mundësia për paraqitjen e tyre dhe shkaktimin e dëmeve në rasat dhe në kulturat e kultivuara.Prodhimi i fidanëve bëhet shtretërit e nxehtë, serrat plastike apo prej xhami, tunele të mbrojtura etj.Përgatitja cilësore e fidanit është ndër faktorët kyç në prodhimin e perimeve.Fidani i shëndoshë i cili arrin për ndërrim në kohën e planifikuar është kusht për arritjen e rendimenteve të larta.Fidani paraqet fazën e hershme të rritjes dhe zhvillimit të bimëve, fazë e cila veç të tjerash karakterizohet me një ndjeshmëri mjaft të madhe ndaj kushteve të ambientit të jashtëm.Prodhimi i fidanëve të perimeve bëhet në mënyra të ndryshme.

Mënyra tradicionale zbatohet ende sidomos për prodhimin e fidanit për ndërrim në vendin e përhershëm.Zakonisht, fidani  i prodhuar përmes kësaj metode, ndërrohet me rrënjë të zhveshura, të cilat pësojnë ndërprerje të rritjes në momentin e ndrrimit në vendin e përhershëm.Fidanët e prodhuar në sistemet tradicionale rezultojnë me humbje të larta në periudhën e pas mbjelljes, rezultat i së cilës është prodhimtaria relativisht e ulët e bimës.Një pjesë e madhe e fidanëve të perimeve prodhohet në mënyrën tradicionale në shtretër të nxehtë të mbushur me pleh të freskët të shtallës, i përzier me kashtë.Në shtretër fidanët qëndrojnë 70-80 ditë në periudhën e dimrit, që do të thotë se duhet të fillohet me mbjellje të farës, sidomos  të farave të specit më së voni në fund të janarit deri në fillim të shkurtit.

Përgatitja e masës për ngrohje.Shtresa për ngrohje duhet e një cilësie të lartë dhe për këtë qëllim më i miri është  plehu i kalit dhe i gjedhit (lopëve), ku i fundit përmban 80% lagështi dhe 0,45% azot.Plehu përzihet me kashtën e imtësuar dhe pesë deri më gjashtë ditë para se të radhitet nëpër lehë, duhet të grumbullohet në grumbull që të inicohet procesi i fermentimit.Në muajit e dimrit vendoset shtresë më e trashë prej 40-60cm, ndërsa në muajit jo shumë të ftohtë 20cm.Duke e përdorur plehun e gjedheve e tërë sipërfaqja e tij në lehë laget me qumësht gëlqereje ose me gëlqere të pashuar dhe kështu pengohet zhvillimi i kërpudhave.Pastaj montohet korniza dhe leha mbyllet me dritare qelqi, folje  ose rogozë dhe pas dy-tri ditësh, pasi që të ndizet ngrohtësira, radhitet dherishtja.

Përgatitja e dherishtes duke përzier një shtresë e dheut me plehun organik të djegur mirë në raporti 1:1.Përzierja sitet që të mënjanohen plisat e dheut dhe të fitohet strukturë sa më e mirë. Dherishtja e përgatitur në këtë mënyrë shtrohet nëpër lehë në shtresë prej 10-12cm.

Mbjellja e farave.Pas 4-5 ditësh kur dherishtja të ngrohet, mund të fillohet me mbjelljen e farave.Norma e mbjelljes varet nga lloji i perimeve dhe nëse do të bëhet trapiantimi apo jo.Farat shpërndahen dhe pastaj bëhet mbulimi i tyre me 1-1.5cm dherishte të përgatitur 2:1 pleh dhe dhe.Pastaj dherishtja butë shtypet që të vjen në kontakt me farën, dhe bëhet  një ujitje e  lehtë e lehës përkatësisht e farave të mbjella.Mbi korniza mbyllen dritaret dhe vendosen rogozet që të mundësohen kushte të errëta deri në mbirje.Temperatura e ajrit nëpër lehë duhet të mbahet në 20-22°C, ndërsa e dherishtes rreth 25°C. Në kushte të tilla fara duhet të mbijë për 5-6 ditë.Si rezultat i fermentimit intensiv nga ngrohja formohen gazra të cilat mund të dëmtojnë fidanët, prandaj lehët rregullisht duhen ajrosur.Rrogozet, plasmasët largohen kur një e treta e farave ka mbirë, largohen dritaret-kornizat dhe zvogëlohet temperatura në 10-12°C dhe kështu qëndron në 12-15 ditët e ardhshme.Ky “trajtim i ftohtë” nxit formimin më të shpejtë të kërcellit të parë dhe pengon tejzgjatjen e fidanëve.Deri në trapiantimin e fidanëve, temperatura mbahet në 18-22°C.Sipërfaqja ku janë mbjellë fidanët, pastrohet nga barërat e këqija dhe të trajtohet me herbicide nëse është e nevojshme.Norma e mbjelljes së farave, me trapiantim dhe pa trapiantim, si dhe numri i bimëve për m² për disa kultura kryesore perimesh jepen në tabelën e mëposhtme:

Lloji Norma e mbjelljes g/m² Numri i bimëve për m²
Me trapiantim Pa trapiantim Me trapiantim Pa
trapiantim
Speci 10-12 4-6 170-200 600-1200
Domatja 6-8 0.8-1 100-125 350-600
Trangulli 4-5 150-200
Sallata 5-8 2-3 150-200 900-1000

 

Trapiantimi i fidanëve kur bimët e vogla formojnë dy gjethet e para të vërteta në saksi me dimensione 10x10cm, të ujiten me sasi të vogël uji, e të vendosen drejtpërdrejt  nëpër lehë të markuar në distancë 12x12cm.Preferohet që 2-3 ditët e para pas trapiantimit, fidanët të mbrohen nga ndikimi i drejtpërdrejtë i rrezeve të diellit me rogozinë apo materiale të ndryshme për hijezim.Temperatura nëpër lehë duhet të mbahet në 18-25°C.Të ushqyerit e fidanëve nëse është e nevojshme mund të bëhet me tretje prej 10-20gr nitrat të amoniumit dhe 20-40gr superfosfat në 10l uji, me normë prej 2-4l/1m², e pastaj bimët në mënyrë të bollshme ujiten me ujë të pastër.

Mënyrat e përmirsuara të prodhimit të fidanit ka përparësi nga prodhimi tradicional i tij.Në këto raste zakonisht fidani mbillet në shtretër.Në fazën e dy gjetheve të vërteta ai trapiantohet në saksi plastike, në qeska të materialeve të ndryshme me qëllim që fidanit t’i afrohen kushte më të favorshme për rritje dhe zhvillim deri në momentin e ndërrimit në serrë.

Prodhimi i fidanëve në module është mënyra më bashkëkohore e prodhimit të fidanit.Kjo metodë bazohet në prodhimin e fidanëve në module të cilat prodhohen kryesisht nga plastika dhe stiropori.Kanë disa përparësi:

–   fidanët mbahen të pastër dhe dezinfektohen më lehtë.

  • kushte optimale për mbirjen e farërave.
  • redukohet sasia e farave që përdoret për njësi të sipërfaqes.
  • kohëzgjatja e prodhimit të fidanit është më e shkurtër.
  • racionalizim i kostos së prodhimit të fidanit.
  • hershmëri  e daljes së prodhimit në treg.
  • transporti më i lehtë dhe në distanca më të mëdha.

Substratet që përdoren për prodhimin e fidanit duhet të kenë cilësi të larta kimike dhe fizike që:

  • të ketë stukturë të mirë.
  • të ketë lagështi optimale.
  • mos të dëmtohet si rezultat i ujitjeve të fidanit.
  • të ruaj uniformitetin e tijë fizik.
  • të siguroj një mjedis uniform për rritjen.
  • të ketë karakteristika shumë të mira ujëmbajtëse.
  • mundësisht të ketë kosto sa më të ulët.

Në 1m³ substrat mund të mbushen 850-10000 vrima ushqyese në module varësisht nga madhësia e vrimave prej 4x4cm deri 10x10cm.

Mbjellja e farës bëhet në afatin e caktuar, sipas kohës kur planifikohet të bëhet ndërrimi i fidanëve në serrë.Fidanët prodhohen:

Në mjedise të mbyllura për prodhim

–     të hershëm

  • gjysëm të hershëm
  • të vonshëm të perimeve.

Fushë të hapur për prodhim

  • të vonshëm.
  • farë me cilësi të mira biologjike.
  • farërat duhet të kenë aftësi dhe energji të lartë të mbirjes.
  • mbushja e kasetave bëhet me dorë ose në mënyrë të mekanizuar.
  • numri i vrimave në module dhe madhësia e tyre varen nga shumë faktorë.
  • bimët e familjes cucurbitace duhet të mbillen në module me vrima më të mëdha.
  • në prodhimin bashkëkohor të fidanit mbulimi i fidanit bëhet me minerale të bluara (vermikulit) të cilat pasi bluhen dhe trajtohen në temperatura shumë të larta fitojnë një strukturë shtresore me aftësi të lartë ujëmbajtëse.

Masat e përkujdesit gjatë përgaditjes së fidanit.Nga mbjellja deri tek mbirja temperatura duhettë jetë sa më afër optimales dhe të ketë lagështi të mjaftueshme.Pas mbirjes, kujdes i posaçëm duhet kushtuar ajrosjes së objekteve në të cilat kultivohet fidani.Gjatë kohës së ftohtë ajrosja bëhet për një kohë më të shkurtër, kryesisht në mesditë kur temperatura e ambientit të jashtëm është më e lartë.Në serra me plastmas, përmes ajrosjes rregullohet edhe lagështira relative e ajrit, sasia e O2 dhe e gazrave tjerë.Cilësia e fidanit varet nga zbatimi i masave të përkujdesit pas mbirjes. Këto masa bazohen në:

Sigurimi i temperaturës optimale gjatë prodhimit  të fidanit është një kusht i rëndësishëm për prodhimin cilësor të fidanit.Temperaturat duhet përshtatur kërkesave të kulturës së caktuar dhe fazat e rritjes së fidanit.Temperaturat e larta  në fazat e hershme ndikojnë në zgjatjen e tepërt të fidanit dhe si të tillë këto bëhen shumë të ndjeshëm, prandaj është e preferuar që menjëherë  pas mbirjes ato të jenë 8-10°C më të ulëta se sa optimalja.Gjatë periudhës së kalitjes së fidanit, e cila fillon 10-15 ditë para ndërrimit të fidanit, temperaturat janë më të ulëta dhe i përshtaten temperaturave të vendit të përhershëm ku do të mbillet fidani.

Ujitja e fidanëve.Uji duhet të jetë i pastër në aspektin kimik dhe biologjik.Temperatura e tij duhet të jetë përafërsisht e njejtë me temperaturën e ambientit në të cilin ndodhin fidanët.Ujitjet duhet të jenë të rregullta dhe sipas nevojës.Para ndërrimit të fidanit në vendin e përhershëm, ujitjet duhet që të rrallohen në mënyrë që bimët të përshtaten më mirë me regjimin ujor të tokës.

Të ushqyerit e fidanëve  është shumë i rëndësishme në këtë fazë.Substratet industriale që shfrytëzohen në prodhimin e fidanëve, zakonisht përmbajnë elementë të ndryshëm ushqyes dhe mund të sigurojnë të ushqyerit normal të fidanëve për pjesën më të madhe të qëndrimit të tyre në kaseta.Në raste të caktuara ndërhyhet me plehra të tjerë për të korigjuar.Riplehrimi i parë fillon në fazën e gjetheve të vërteta.Për ushqimin e bimëve  përmes gjetheve përdoren plehrat e lëngshme që janë të tretshëm, disa prej të cilave  mund të kombinohen edhe me preparate për mbrojtjen e bimëve.Plehrat mund të shpërndahen edhe nëpër ujitjes me anë të sistemeve të ndryshme.Para ndërrimit të fidanit në vendin e përhershëm fidanët duhet dalngadalë t’i përshtaten kushteve të ambientit të ri në serra e sidomos nëse ndërrimi bëhet në fushë të hapur, pra bëhet kalitja e fidanit.

Ndriçimi është masë e rëndësishme pasi në mungesë të tij edhe nëse janë të siguruara të gjitha kushtet tjera, fidani thjesht zgjatet, është i zbehtë dhe më i ndieshëm ndaj sëmundjeve dhe faktorëve të tjerë.Gjatë  prodhimit të fidanit në mjedise të mbyllura, intensiteti i ndriçimit mund të rregullohet përmes ndriçimit artificial.

Mbrojtja e fidanëve nga sëmundjet dhe dëmtuesit është e rëndësishme për prodhimtarinë cilësore të fidanit të kulturave perimore.Kushtet optimale që krijohen gjatë prodhimit të fidanit në mjedise të mbrojtura, njëkohsisht janë shumë të favorshme edhe për zhvillimin e sëmundjeve dhe dëmtuesve.Mbrojtja duhet bazuar në masa parandaluese.Përdorimi i preparateve mbrojtëse gjatë përgatitjes së fidanit bëhet në varësi të gjendjes së bimëve dhe problematikave.Gjatë prodhimit të fidanëve të kulturave perimore paraqiten sëmundje të shkaktuara nga këpurdhat e ndryshme. Gjatë punës me fidanë duhet që mjetet e punës të dezinfektohen, që të mos infektohen fidanët.

Karakteristikat standarde të fidanit sipas kulturave

Lloji    Mosha e fidanit

    ditë

    Numri i

   gjetheve

Gjatësia e

Fidanit / cm

    Masa e

   Bimëve /gr

Domatja e hershme 60-65 7-9 25-35 12-15
Domatja gjysëm e hershme 40-45 5-6 20-25 8-10
Speci 55-65 6-8 15-25 8-10
Trangulli 20-25 3-5 15-25 10-12
Sallata 30-35 4-5 10-12 3-6
Lakra e hershme 50-55 5-7 12-15 5-8
Lakra e vonshme 35-45 4-5 15-20 8-10

 

 

 

[cite]
Comments
All comments.
Comments