FOLKLORI
✤ Krijimtaria artistike gojore, muzikore dhe koreografike kolektive e masave punonjëse, krijimtari e cila pasqyron anët e realitetit që u interesojnë masave, me forma artistike në përshtatje me kërkesat ideoestetike e mundësitë e praktikimit dhe të asimilimit krijues prej tyre. Termi Folklor në disa vende përdoret me kuptimin e gjerë, për tërësinë e traditave, zakoneve, krijimeve artistike etj. popullore, si sinonim i termit kulturë popullore.

Folklori shqiptar është i pasur, i larmishëm, me vlera të shquara ideore dhe artistike. Ai është një thesar i çmuar i trashëguar nga e kaluara, por që vazhdon të bëjë jetë të gjallë edhe në ditët tona. Në Folklorin tonë dallojmë: Folklori letrar (poezia, përrallat, legjendat ose gojëdhënat, anekdotat, proverbat, gjëegjëzat popullore); Folklori muzikor; Folklori koreografik (vallet popullore) dhe Folklori dramatik (shih). Nga ana e përmbajtjes dhe e formës artistike krijimet folklorike shqiptare u përkasin tri gjinive kryesore: epike (epika legjendare dhe historike), lirike (ninullat, këngët e dasmës, vajet, këngët e dashurisë, të mërgimit, lirike sociale etj.), epiko-lirike (kryesisht balada, shih).

Folklori dallohet për karakterin e tij kolektiv. Ai është fryt i energjisë dhe përvojës së një shumice njerëzish, që përbëjnë të njëjtin subjekt krijues: rriten dhe edukohen në .mjedise të caktuara, veprojnë si përfaqësues të masave, ndjekin, në vijat më të përgjithshme dhe thelbësore, disa ligje e parime krijuese karakteristike, mbështeten në traditën folklorike. Me karakterin kolektiv të folklorit lidhen dhe masiviteti, anonimia, karakteri gojor e sinkretik i tij. Që një krijim të jetë folklorik, ka nevojë të miratohet, të përkrahet, të përhapet te masat e të shërbejë si model për krijime të reja. Krijimet folklorike zakonisht qarkullojnë pa emrin e autorit të parë, si krijime të të gjithëve. Ato transmetohen drejtpërdrejt, jetojnë në mendjen e në gojën e masave, pa qenë e domosdoshme të botohen, të regjistrohen etj. Në to shkrihen forma, mjete, elemente, funksione etj. të ndryshme. Në kohët tepër të hershme folklori ka qenë jo vetëm art, por edhe shkencë, fe, magji, mjet ndihmës gjatë punës. Me kohë erdhi duke u mënjanuar funksioni i tij praktik-utilitar, në dobi të funksionit artistik. Sot folklori ynë ka kryesisht funksion artistik, por mbetën, madje në ndonjë drejtim po forcohen, forma të tilla, si: sinkretizmi poezi-melodi-lëvizje koreografike-elemente dramatike, epizëm-lirizëm, poezi-prozë, folklor-elemente etnografike (kostume, mjete karakteristike pune), ekzekutues-dëgjues etj.

Folklori ynë dallohet për karakterin e tij popullor dhe kombëtar. Në të pasqyrohet lufta, puna, përpjekjet, mendimet, ndjenjat, mënyra e jetesës, zakonet dhe karakteristikat e shqiptarit, të gjitha problemet e mëdha që i kanë dalë gjatë historisë popullit e kombit shqiptar. Edhe mjetet shprehëse poetike, muzikore etj. kanë tipare kombëtare.

Populli ynë e ka përdorur folklorin për riprodhimin artistik të jetës dhe të ndërgjegjes kombëtare, si mjet vetedukimi dhe vetësanksionimi artistik dhe ka aftësinë për t’u pasuruar, për t’u ndryshuar e për t’u zhvilluar vazhdimisht bashkë me shijet dhe kërkesat ideoartistike të masave.

Tematika e folklorit është zgjeruar, praktikohen forma të reja ekzekutimi (formacione më të gjera e më komplekse instrumentore, valle të përziera dhe masive etj.); është rritur elementi spektakolar; janë zgjeruar mjediset shoqërore në të cilat krijohet e qarkullon; janë rritur lidhjet me artin amator e të kultivuar etj. Për shkak të veçantive, disa zhanre e forma folklorike kanë shkuar drejt rënies. Zhvillohen në mënyrë të dukshme e bëjnë një jetë shumë të gjallë forma të tilla folklorike, si: këngët epike historike, këngët lirike shoqërore, anekdotat, fjalët e urta, vallet epike, meloditë instrumentore etj.
Me studimin e folklorit merret folkloristika (shih).

(J.P.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Folklori

[cite]