GJOLEKA ZEJNEL


GJOLEKA ZEJNEL
✤ (?-1852). Udhëheqës i lëvizjeve fshatare në Shqipërinë e Jugut në vitet 30-40 të shek.XIX në Kuç të Kurveleshit. Në fillim të veprimtarisë së tij ushtarake Z.Gj. shërbeu si komandant rrogtarësh shqiptarë në ushtrinë osmane. Me zbatimin nga Porta e Lartë edhe në trojet shqiptare të politikës centralizuese të Tanzimatit (shih), ai u bashkua me qëndresën popullore kundër forcimit të shtypjes kombëtare dhe ekonomike.

Kur shpërtheu Kryengritja e Madhe Fshatare e vitit 1847, Kuvendi i Mesaplikut (Vlorë, qershor) e zgjodhi Z.Gj. komandant të forcave kryengritëse. Udhëhoqi trimërisht kryengritjen në zonën midis Kurveleshit, Delvinës, Çamërisë, Gjirokastrës dhe Vlorës. Me shtypjen e kryengritjes Z.Gj. u kap tradhtisht dhe u internua në vise të thella të Anadollit. Më vonë, qeveria osmane e fali, dhe ai hyri përsëri në shërbim ushtarak deri sa më 1852 u vra në luftime me forcat malazeze, që shkelnin vazhdimisht truallin shqiptar-

(L.Mi.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Gjoleka Zejnel


[cite]