HIPOFIZA

Hipofiza është një gjëndër e vogël, në madhësinë e një bizeleje dhe ndodhet në kafkë, poshtë trurit. Ajo cilësohet si gjendra kryesore, sepse me anën e disa hormoneve që ajo prodhon, kontrollon dhe rregullon veprimtarinë edhe të gjëndrave të tjera. Një nga hormonet më të rëndësishme që prodhon hipofiza, është hormoni somatotrop, i cili kontrollon drejtpërdrejt rritjen e të gjitha qelizave të trupit. Hormoni somatotrop kontrollon rritjen e organizmit.

Nëse në periudhën e rritjes së organizmit, shtohet prodhimi i këtij hormoni, shfaqet një sëmundje që njihet me emrin gjigantizmi: të gjitha pjesët dhe organet, e organizmit rriten jashtë mase; gjatësia e njerëzve që preken nga kjo sëmundje, arrin në mbi 2 m. Në të kundërt, nëse në periudhën e rritjes pakësohet prodhimi i këtij hormoni, shfaqet nanizmi: njerëzit që preken nga kjo sëmundje mbeten shkurtabiqë. Nëse prodhimi i këtij hormoni shtohet pasi ka mbaruar rritja e organizmit, shfaqet një lloj sëmundjeje tjetër që quhet akromegalia: njerëzve që preken nga kjo sëmundje, u rriten kockat e duarve, të fytyrës, hunda etj. Hormonet e tjera që prodhon hipofiza, kontrollojnë presionin e gjakut, jashtëqitjen e urinës, muskujt e lëmuar etj.

Trupi — Ynë

[cite]