5.4 Shkrimtarë minorë të periudhës
Njihen një numër poetësh të tjerë të hershëm myslimanë, veprat e të cilëve kanë ardhur
vetëm pjesërisht deri në ditët tona ose nuk kanë ardhur fare. Dervish Hasani nga Krusha e
Vogël afër Rahovecit në Kosovë, që ka jetuar aty nga fundi i shekullit të shtatëmbëdhjetë, është
autori i poezisë më të vjetër shqipe me shkrim arab të shkruar në Kosovë. Ai qe dervish në
teqenë e madhe halvetie në Rahovec, të ngritur nga sheh Sulejman Ejup Dede i Potoçanit në
vitet 1680. Nga vargjet e tij mistike pak gjë ka mbetur. Sulejman Temani, poet dhe sheh
halveti nga Berati, është gjithashtu autor i disa vjershave me temë fetare. Haxhi Ymer Mustafa
Kashari nga Tirana, lindur në fillim të shekullit të tetëmbëdhjetë, ka shkruar vjersha me temë
fetare në shqipe dhe turqishte. Vargjet e tij, edhe pse të mbingarkuara me orientalizma, përbëjnë
dokumentin më të vjetër të dialektit tiranas. Ka ardhur deri në ditët tona një ilahi me
tetëmbëdhjetë vargje nga Mulla Beqiri, myfti i medresesë së Vushtrrisë në Kosovë, që ka jetuar
nga mesi i shekullit të tetëmbëdhjetë apo fillimi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, po kështu edhe
dy vjersha dashurie nga Omer efendi Sadedini prej Shqipërisë jugore. Nga qendrat kulturore
myslimane të lulëzuara të Beratit e Elbasanit kemi informacione mbi disa bashkëkohës të
Nezim Frakullës. Ismail pashë Velabishti nga Berati, të cilin e kemi përmendur më sipër si
patron të Nezimit e që është vrarë më 3 gusht 1764 në Vlorë, na ka lënë një vjershë me vargje
tetërrokëshe të shkruar gjatë kohës që ishte komandant i kalasë në Lepanto, e ku shpreh mallin
për atdheun. Nga Elbasani kemi vjershat e Ibrahim Elbasanit dhe Sulejman pashë Vërlacit,
i njohur edhe si Sulejman Pashë Elbasani. Nga Shkodra njihet Mulla Salih Pata, i cili shkëlqeu
në gjysmën e dytë të shekullit të tetëmbëdhjetë si poet në oborrin e Bushatllinjve. Ai është autor
bejtesh satirike, dy prej të cilave ia kushton Kara Mahmud pashës. Po në oborrin e Bushatllinjve
ishte pa dyshim bashkëkohësi i tij Mulla Hysen Dobraçi nga Shkodra, që ndoshta është i njëjtë
me një Hysen efendi Shkodra, autori i poezisë kushtuar qëndresës shqiptare kundër sundimit
turk. Folkloristi dhe shkrimtari Zef Jubani (1818-1880), i cili ka botuar një pjesë të vargjeve të
Dobraçit në librin e tij Raccolta di canti popolari e rapsodie di poemi albanesi, Trieste 1881
(Përmbledhje këngësh popullore e rapsodish shqiptare), e quan atë ‘Anakreoni shqiptar’. Vjersha
më e mirënjohur e Dobraçit i këndon betejës së Kara Mahmud pashës kundër forcave turke të
komanduara nga Ahmed pasha në Berat më 1785. Një autor anonim nga Gjirokastra27 gjithashtu
na ka lënë një vjershë për mësymjen që i bëri qytetit Ali pashë Tepelena (1741-1822) aty nga
viti 1793.
Edhe në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë u krijuan shumë vjersha sipas traditës
myslimane me tema fetare e disa historike nga autorë për të cilët kemi shumë pak të dhëna.
Elmaz Gjirokastriti28 ka qenë autori i një vjershe me nëntëdhjetë e dy vargje me titullin
turqisht Evvel hastalik (Sëmundja e parë), e cila flet për epideminë që përfshiu krahinën e
Gjirokastrës më 1817. Është shkruar më 1820 dhe ruhet në një dorëshkrim të ardhur nga
Gjirokastra. Haxhi Etëhem bej Tirana (1783-1846), i njohur edhe si Etëhem bej Mollai, ka
qenë autor poezie mistike bektashiane e i një divani shqip, nga të cilat nuk ka mbetur kurrgjë,
si dhe i katër divanëve turqisht. Ai ka vdekur në Tiranë dhe është varrosur në xhaminë që edhe
sot mban emrin e tij në qendër të kryeqytetit shqiptar. Një poet tjetër me frymëzim bektashian
ka qenë Baba Abdullah Melçani (vd. 1852), që ka themeluar teqenë e madhe të Melçanit afër
Korçës dhe ka marrë pjesë aktive në lëvizjen kombëtare. Nga vjershat e tij mistike shqip, vetëm
njëra kushtuar legjendarit Sari Salltëk Baba29 ka ardhur deri në ditët tona. Mulla Dervish Peja,
i njohur edhe me emrin Dervish efendiu i Pejës, ka qenë një figurë fetare e nderuar në fillimin
e shekullit të nëntëmbëdhjetë, i njohur në traditën gojore për urtësinë e shprehur në bejtet dhe
thëniet e tij. Ka mbetur vetëm një nga vjershat. Kurse nga vargjet fetare të Ahmet Elbasanit,
sheh nga Elbasani, nuk është gjetur asgjë. Hysen Bitri, një poet nga kryeqendra bektashiane e
Krujës, ka qenë autori i tri vjershave fetare shqip të shkruara para vrasjes së udhëheqësit
shpirtëror Shemsedin Shemimiu (1748-1831) nga Fushë Kruja më 1831. Poeti Asllan bej Puçe
(1807-1830) ishte djali i Ago Myhyrdarit, sekretar i Ali pashë Tepelenës. Ai vdiq njëzet e tre
vjeç në masakrën e Manastirit më 30 gusht 1830 bashkë me krerët e tjerë shqiptarë. Asgjë nuk
ka mbetur nga krijimet e tij. Po nga Shqipëria e jugut ka qenë Abdullah Sulejman Konispoli,

autor i një mevludi në dialektin çam, të shkruar rreth vitit 1831 e që ruhet në Arkivin Qendror
të Shtetit në Tiranë, si dhe i vjershave të tjera përfshirë përkthime poezish nga arabishtja dhe
turqishtja. Ahmet Tusi, një sheh i sektit rufai, ka lënë disa vargje me tema fetare aty rreth vitit
1836. Pak gjë dihet për Ismail Floqin nga krahina e Korçës, përkthyes i një mevludi30, dhe për
poetin Jonuz efendi Sabriu. Tahir Nasibiu (vd. 1835) ka qenë themeluesi i teqesë bektashiane
të Frashërit më 1824-1825. Për të thuhet se ka shkruar poezi shqip, persisht dhe turqisht, por
asgjë nuk ka ardhur deri në ditët tona. Poezi me interes historik ruhen nga Mulla Fejzo
Abdalli31 prej Gjirokastre, autor i një vjershe të datuar 1841 [1257 A.H.] për luftën kundër një
pashai turk gjatë mbretërimit të Sulltan Mahmudit II (sundoi 1808-1839), dhe nga Demir
Vlonjati (vd. 1845), i njohur edhe me emrin Demir aga Vlonjakasi, autor i një vjershe me
vargje tetërrokësh me nëntëmbëdhjetë strofa katërshe të datuar 1845 [1261 A.H.], në të cilën ai
dënon një masakër të kryer atë vit nga forcat turke dhe vuajtjet që pësoi Shqipëria nga reformat
e Tanzimatit.
Një traditë letrare e çuditshme në Orient ka qenë ajo e fjalorëve në vargje. I pari fjalor
i tillë shqip-turqisht, sikundër thamë, ka qenë ai i shkruar nga Nezim Frakulla. Në vitin 1835
[1251 A.H.], Shemimi Shkodra apo Shemimiu nga Shkodra përfundoi një fjalor shqipturqisht32
me rreth 1000 zëra me titull Nytkë (Ligjërim). Sipas autorit, ishte hartuar për t’u
shërbyer nevojave të ushtarëve turq në Shqipëri dhe të shqiptarëve që nuk dinin turqisht.
Dialekti i shqipes është ai i Shkodrës i përzier me elemente nga e folmja e Beratit, gjë që na bën
të hamendësojmë se autori ka jetuar në Berat për ca kohë. Këtë interes për leksikografinë ndjek
në traditën e shekullit të tetëmbëdhjetë Myslim Hoxha nga fshati Levan afër Fierit, i cili ka
qenë autor i një përshtatjeje në gjuhën shqipe e Tyfhe-i Shâhidî (Dhuratë e Shahidiut), një fjalor
persisht-turqisht i hartuar më 1514 [920 A.H.] nga Ibrâhîm Shâhidî Dede, një dervish mevlevi
nga Mughla, që vdiq më 1550 [957 A.H.]. Ai përmbante disa mijëra zëra.
Tekstet shqipe në prozë me shkrim arab kanë qenë jashtëzakonisht të rralla. Një i tillë,
që mban datën 1840 [1256 A.H.], është përkthim i një teksti fetar nga arabishtja prej Mehmet
Iljaz Korçës. Kjo vepër është një dorëshkrim me prejardhje nga Korça dhe u zbulua më 1953,
kurse tani ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë.
_________
27 kr. Myderrizi 1959.
28 kr. Myderrizi 1957b.
29 Mbi legjendën e Sari Salltëkut, kr. Kaleshi 1971a.
30 kr. I. Floqi 1938.
31 kr. Myderrizi 1957b.
32 kr. Myderrizi 1951b dhe Rossi 1951.

Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia

[cite]