5.5 Përfundime
Bejtexhinjtë shqiptarë, në përgjithësi, nuk qenë poetë të nivelit të klasikëve persianë e
arabë, aftësia e lartë letrare artistike e të cilëve vinte pas një mijëvjeçari qytetërimi oriental të
zhvilluar. Megjithatë, ata qenë rapsodë me talent e me forcë krijuese që shkruan një letërsi të re
shqiptare të mbështetur në traditat islamike të Orientit, por edhe një gjuhë letrare të re, sado
ende të papërpunuar.
Letërsia shqiptare u shkrua me shkrim arab për më se dy shekuj. Ajo lulëzoi gjatë gjithë
shekullit të tetëmbëdhjetë dhe gjysmës së parë të shekullit të nëntëmbëdhjetë derisa dalëngadalë
u zëvendësua nga letërsia e romantizmit e periudhës së Rilindjes Kombëtare, e shkruar kryesisht
me alfabetin latin. Në fazat e para, poezia e bejtexhinjve, ashtu si një pjesë e mirë e vjershërimit
divan osman, ishte kryesisht letërsi e dijeve dhe e mjeshtërive. Si e tillë, ajo mbeti mjet i
drejtuar ndaj interesave të një pakice elitë, qoftë shoqërore, klerikale apo politike. Me kalimin
e kohës, ajo e humbi aftësinë për të shprehur ëndrrat dhe aspiratat e popullit shqiptar. Venitja e
traditës myslimane në letërsinë shqiptare erdhi krahas kalbëzimit të Perandorisë Osmane dhe
lindjes së lëvizjes kombëtare shqiptare gjatë së cilës shqiptarët zunë t’i kthejnë shpinën
gjithshkaje që ishte osmane dhe orientale. Turqishtja ishte gjuha e pushtuesit, kurse shkrimi
arab erdhi e po shihej nga shumë si tipar i invadimit kulturor të huaj ndaj një populli që
dalëngadalë po zgjohej e po luftonte për vetëvendosje. Vetëm një alfabet perëndimor, ide
perëndimore e, si pasojë, edhe një letërsi më fort e orientuar nga Evropa mund ta ndihmonte
Shqipërinë për t’i bërë ballë asimilimit kulturor nga ana e turqve. Si rrjedhim, letërsia e
bejtexhinjve mori qëndrim të kundërt dhe shfaqi në gjysmën e dytë të shekullit të
nëntëmbëdhjetë një orientim edhe më të madh fetar, sidomos në traditat kulturore bektashiane.
Madje kjo letërsi erdhi e hyri edhe në shekullin e njëzetë. Tradita myslimane vazhdoi sidomos
në Kosovë, ku deri në vitin 1947 shkruheshin ende vargje me shkrim arab.
Nga të gjitha periudhat e shkrimeve letrare shqiptare, ajo e bejtexhinjve mbetet ndoshta
më pak e njohura, si nga studiuesit ashtu edhe nga lexuesit shqiptarë. Dorëshkrimet, sikundër u
tha më sipër, në pjesën më të madhe kanë humbur ose nuk gjenden më, dhe ka një mungesë të
dukshme specialistësh të kualifikuar, të aftë për t’u marrë me atë që mund të gjendet. Sot nuk ka
fare specialistë shqiptarë me njohje të mjaftueshme të osmanishtes e të shkrimit arab, kurse
shumë të paktë janë orientalistët e huaj me njohje të mjaftueshme të shqipes, që mund ta
trajtojnë me kritere shkencore këtë letërsi. Ajo nuk pati gëzuar ndonjë interesim të veçantë të
kritikëve dhe lexuesve në Shqipërinë socialiste për shkak të përqëndrimit kryesisht në tema
fetare, autorësisë elitare, konvencioneve klasike e formës së huaj (gjuha e pushtuesit). Për
lexuesin e sotëm gjuha e asaj letërsie, përzierje e shqipes, turqishtes dhe persishtes, është tejet
e mbingarkuar dhe e mërzitshme, për të mos thënë më tepër. E, megjithatë, letërsia myslimane
e shekujve të tetëmbëdhjetë e nëntëmbëdhjetë është pjesë përbërëse e trashëgimisë kulturore të
Shqipërisë, element që mbetet për t’u vlerësuar siç duhet e madje, në një masë të madhe edhe
për t’u zbuluar.
Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia