9.8 Lindja e gazetarisë shqiptare
Në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë Shqipëria po lëngonte nën kandilin që
po fikej të Perandorisë Osmane. I Sëmuri i Bosforit nuk kishte më çfarë t’i ofronte këtij populli
që tani po kërcënohej më shumë se kurrë nga asimilimi kulturor. Ishte lëvizja e Rilindjes, e
zgjimit kombëtar, ajo që, sikundër e pamë, shprehu vullnetin e Shqipërisë për të mbijetuar. Në
rrethana të tilla të vështira është e lehtë të vihet re e të çmohet fakti se shtrati kryesor i letërsisë
në këtë periudhë ishte vetëm ai kombëtar dhe politik. Nuk ishte koha për ushtrime artistike e
letrare abstrakte pa lidhje me realitetin kombëtar e politik. Shkrimtarët dhe intelektualët
shqiptarë para së gjithash shqetësoheshin për çlirimin e popullit të tyre nga ‘zgjedha turke’, për
arsimimin dhe përparimin kulturor të një populli të lënë prapa në pluhurin e historisë, për të
ushqyer ndjenjën e identitetit kombëtar në mendjet dhe zemrat e bashkëkombasve shqiptarë, të
ndarë sikundër qenë në fe të ndryshme e në sfera të ndryshme kulture të huaj. Fryma e
romantizmit kombëtar në letërsinë që po lindte në këtë periudhë, pati vërtet ndikimin e vet në
masat e gjera. Thirrja poetike e Pashko Vasës drejtuar bashkatdhetarëve për të shpëtuar
Shqipërinë, nënën e tyre të “rrëxue e të bamun trok,” ishte dëgjuar kudo, kurse vjershat
patriotike të Naim Frashërit këndoheshin e pëlqeheshin gjithandej. E vërtetë është se poezitë
politike do të zgjonin deri diku mendjet dhe zemrat e shqiptarëve, por ato nuk do të mjaftonin.
Përhapja e informacionit, e ideve, e veprave të letërsisë artistike të shkruara shqip, të
gjitha këto tipare të një kulture të re në zhvillim, kërkonin gazeta dhe mjete botimi. Kjo është
arsyeja që gazetaria luajti një rol vendimtar në letërsinë e Rilindjes të çerekut të fundit të
shekullit të nëntëmbëdhjetë. Në vitet tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë, organe periodike në gjuhën
shqipe shpërthyen e lindën në të gjitha qytetet më të mëdha të Ballkanit, si në Konstantinopojë,
Bukuresht, Sofje, Selanik dhe Athinë, dhe i çuan idealet e Rilindjes edhe në qoshet më të
humbura të trevave ku flitej shqip60.
Botimet në gjuhën shqipe në fillim qenë të rralla. Disa organe shtypi të vjetra në gjuhë
të huaja në Ballkan botonin nganjëherë ndonjë artikull në gjuhën shqipe: Pellazgos, një e
përjavshme politike shoqërore në gjuhën greke për shqiptarët dhe grekët, që u botua në Lamia
nga Anastas Byku; Ishkodra, organi zyrtar në gjuhën turke i vilajetit të Shkodrës, që dilte çdo
javë më 1879 e që një vit më pas u vu në shërbim të Lidhjes së Prizrenit; dhe e përjavshmja që
e kemi përmendur e Anastas Kulluriotit, Hê fônê tês Albanias (Zëri i Shqipërisë), 1879-1880,
që dilte në Athinë dhe kërkonte një Shqipëri të bashkuar e të pavarur.
Vetë botimi i gazetave në gjuhën shqipe e ka zanafillën në Konstantinopojë me organin
Drita, që më pas mori emrin Diturija, e cila u botua nga Shoqëria e të shtypuri shkronja shqip
nga gushti 1884 deri në korrik 1885. Kryeredaktori i kësaj gazete të parë shqiptare në
Perandorinë Osmane qe Pandeli Sotiri (1852-1890) nga fshati malor Selckë afër Gjirokastrës,
i cili luajti një rol të dorës së parë në themelimin e shkollës së parë shqipe në Korçë më 1887.
Në punën e botimeve, veçanërisht aktive, sikundër kemi theksuar, kanë qenë kolonitë shqiptare të Rumanisë61. Pikërisht këtu filloi shtypjen e librave më 1886 e para shtypshkronjë
në gjuhën shqipe, e ngritur nga Jani Vretoja. Më 15 maj 1887 në Braila, në Danubin e poshtëm,
doli numri i parë i së përjavshmes Drita, më vonë në rumanishte Lumina. Një vit pas Dritës doli
me katër faqe Shqipëtari/Albanezul, që u botua në Bukuresht më 7 gusht 1888 nga shoqëria
Drita nën redaktimin e Nikolla Naços (1843-1913) nga Korça, i cili më vonë do të themelonte
një institut kulturor shqiptaro-rumun për përgatitjen e mësuesve shqiptarë. Kjo e përjavshme,
me artikuj në shqipe, rumanishte dhe frëngjishte, doli me ndërprerje pesë vjet deri më 1903, me
një jetëgjatësi të shënuar për organet e shtypit shqiptar të kohës. Një e përjavshme tjetër e
Bukureshtit, ku u shpallën qartë qëllimet e lëvizjes kombëtare, ishte Shqipëria, 1897-1899, në
katër faqe, që botohej shqip, rumanisht, frëngjisht e greqisht nga një komitet i shoqërisë Dituria,
vazhduese e shoqërisë Drita, e kryesuar nga Vissar Dodani dhe Jorgji Meksi. Ajo jep të dhëna
të shkëlqyeshme për lëvizjen kombëtare në Rumani dhe gjetiu gjatë atyre dy viteve edhe për
studiuesit e sotëm.
Botuesi i gazetës Shqipëria Vissar Dodani62 (rreth v. 1857-1939) prej Korçe u frymëzua
ndër të tjera nga botimi i ‘Bletës shqiptare’ të Thimi Mitkos më 1878, për t’ia kushtuar energjitë
e veta lëvizjes kombëtare. Në mars 1880 emigroi në Bukuresht, ku kishte xhaxhanë, për të
gjetur punë si tregtar, kurse më 1884 u bë anëtar i shoqërisë Drita. E përjavshmja e tij, më pas
e përdyjavshme, Shqipëria, që doli në gjashtëdhjetenjë numra nga 10 maj 1897 deri më 18
qershor 1899, kishte për qëllim forcimin e unitetit të shqiptarëve të të gjitha besimeve fetare.
Por Vissar Dodani nuk qe vetëm botues. Ai qe autor i një letërkëmbimi të vëlllimshëm me
figura të tjera udhëheqëse të Rilindjes, si dhe i një libri me titullin Mialt’ é mblétese, Bukuresht
1898 (Mjalti i bletës), një antologji 244-faqesh me poezi, fjalë të urta dhe përralla popullore, që
jo rastësisht të kujton ‘Bletën shqiptare’ të Thimi Mitkos të botuar njëzet vjet më përpara. Në të
Dodani mblodhi poezinë e tij si dhe poezi të shkrimtarëve të tjerë të Rilindjes, ndër ta Jani
Vreto, Pashko Vasa, Faik Konica, Thimi Mitko, Zef Skiroi dhe Naim Frashëri. Një pjesë e mirë
e materialit të ‘Mjaltit të bletës’ ishte botuar më përpara në Shqipëria. Dodani botoi gjithashtu
një poemë satirike me 1332 vargje me titullin Tringëllim a Serb’e zuzarëvet, Bukuresht 1903,
dhe përktheu vepra mjaft të ndryshme nga njëra-tjetra, që nga përrallat arabe të Dervish Abdul
Bekirit deri te libreti i operës së Verdit Trovatore, Bukuresht 1910. Më 1915, Dodani u
shpërngul në Gjenevë dhe shërbeu në dhjetor 1918 si sekretar i komitetit kombëtar shqiptar të
kryesuar nga Turhan pasha, kryetar i qeverisë së përkohëshme të Durrësit, e cila kërkonte njohje
ndërkombëtare në Evropën pas Luftës së Parë Botërore. Në vjeshtë 1919 Dodani u kthye në
Rumani. Më pas ai ka botuar librin 200 faqesh Memoriet e mija – kujtime nga shvillimet e para
të rilindjes të kombit shqipëtar ndë Bukuresht, Konstancë 1930, ku përfshiu letërkëmbimin e tij
me shumë figura udhëheqëse të periudhës së Rilindjes. Vdiq në kryeqytetin rumun më 16 mars
1939.
Jorgji Meksi63 (1860-1942), kishte studiuar gazetari në Athinë para se të emigronte në
Bukuresht për të themeluar së bashku me Vissar Dodanin periodikun Shqipëria, ku botoi mjaft
artikuj për gjuhën shqipe, arsimin dhe politikën. Gaetano Petrotta (1882-1952) e ka quajtur
Nestor të gazetarisë shqiptare64. Më pas Meksi bashkëpunoi në Gjirokastër me gazetën e
përjavshme Demokratia të Xhevat Kallajxhiut (1904-1989), e cila doli nga 1925 deri 1939. Nga janari 1932 deri në korrik 1934 si dhe nga shkurti 1938 e deri në fund këtë gazetë e redaktoi
vetë Meksi.
Jashar S. Erebara (1872-1953) ka qenë gazetar, politikan dhe atdhetar nga Dibra, i cili
pati emigruar për t’iu shtuar radhëve të shumta të bashkësisë shqiptare të kolonisë së
Bukureshtit. Atje ndoqi studimet në institutin kulturor shqiptaro-rumun për përgatitje
mësuesish, i themeluar në vjeshtë 1892 nga Nikolla Naçoja (1843-1913), e më pas punoi në
administratën osmane derisa u dëbua për shkak se jepte mësim gjuhën shqipe. Erebara
bashkëpunoi me një numër organesh shtypi shqip, sidomos me Shqipërinë e Vissar Dodanit. Në
qershor 1902 themeloi gazetën e vet Albanija në Beograd, e cila doli deri më 1906. Motoja e
këtij organi ishte ‘Shkipnija e Shkiptarvet’. Erebara mori pjesë aktive në komitetet revolucionare
anembanë Ballkanit në mbrojtje të interesave shqiptare ndërkohë që gadishulli dalëngadalë po
hynte në luftë. Në gusht 1911 themeloi një gazetë tjetër, Shkupi, në Shkup për të mbrojtur
interesat e kombit. Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në nëntor 1912, Jashar Erebara u bë
deputet në parlamentin shqiptar dhe u përpoq për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Aktiv si botues dhe figurë e lëvizjes kombëtare në Bukuresht, e më pas gjetiu, ka qenë
edhe Dervish Hima65 (1873-1928), pseudonimi i Ibrahim Mehmet Naxhiut nga Struga në breg
të liqenit të Ohrit. Hima ndoqi shkollën në Manastir e Selanik, dhe studioi dy vjet mjekësi në
Konstantinopojë, ku në fillim mbështeti lëvizjen e xhonturqve dhe nisi të mendojë për zgjidhjen
e çështjes shqiptare. Nga viti 1895 e deri në Luftën I Botërore u end pa u lodhur nga njeri vend
në tjetrin, duke propaganduar çështjen shqiptare me artikuj e pamflete. Dervish Hima ishte
kundërshtar i papajtueshëm i sundimit turk në Shqipëri dhe autor i një numri manifestesh
radikale që bënin thirrje për luftë të përgjithshme kundër Portës. Si i tillë, ai u ndoq këmbakëmbës
nga autoritetet osmane kudo që shkonte dhe u burgos disa herë. Në Bukuresht botoi
gazetën jetëshkurtër Pavarësia e Shqipërisë, e cila doli më 1898 shqip, frëngjisht dhe
rumanisht. Në tetorin e vitit tjetër u shtrëngua të ikë nga Rumania në Romë, ku bashkëpunoi me
Mehmed bej Frashërin në të përdyjavshmen Zën’ i Shqipënisë, që dilte frëngjisht dhe shqip. Më
1903 Dervish Hima botoi të përdyjavshmen L’Albanie në Gjenevë, e cila vazhdoi si e
përmuajshme nga 1905 deri më 1906 në Bruksel. Më 1909 e gjejmë në Konstantinopojë ku
nxirrte të përjavshmen Shqipëtari-Arnavud me Hilë Mosin, një organ periodik turqisht dhe
shqip i financuar nga Austro-Hungaria. Kjo gazetë zgjati derisa u ndalua më 1910. Dervish
Hima mori pjesë aktive në jetën publike edhe pas shpalljes së pavarësisë në nëntor 1912. Në
vjeshtën e vitit 1917 u emërua nga autoritetet austro-hungareze inspektor arsimi për qarkun e
Tiranës, kurse më 1920 u bë i pari drejtor i zyrës së shtypit në Shqipëri.
Brenda Shqipërisë, i vetmi organ shtypi në gjuhën shqipe në shekullin e nëntëmbëdhjetë
ka qenë e përmuajshmja fetare, e përmendur më parë, Elçija i Zemers t’Jezu Krisctit, që shtypej
në Shkodër në Shtypshkroja e Zojës s’Paperlyeme, të ngritur nga jezuitët më 1870. Botimi i
kësaj reviste, në fillim me katër faqe, filloi në mars 1891. Pak e nga pak faqet u shtuan në tetë,
dymbëdhjetë e në fund në gjashtëmbëdhjetë, kurse nga 1908 deri më 1914 pati edhe një shtojcë
letrare e kulturore. Më 1914 titulli u ndryshua për të tingëlluar më shqip, Lajmtari i Zemers
t’Jezu Krishtit. Po atë vit, shtojca letrare e kulturore doli si revistë mujore më vete, Përparimi,
që zgjati nga janari 1914 deri më 1916. Lajmtari i Zemers t’Jezu Krishtit qe themeluar nga
padër Domeniko Pasi66 (Domenico Pasi, 1847-1914) nga Verona, i cili kishte themeluar edhe
qendrën misionare jezuite në Shkodër më 1888 dhe bashkëpunoi me revistën me përkthime të
një numri himnesh në shqipe deri në fund të jetës së tij. Por Lajmtari i Zemers t’Jezu Krishtit mbeti një dukuri e veçantë, sepse në Shqipëri nuk kishte qendra banimi aq të mëdha sa të
ofronin infrastrukturën e nevojshme për botim. As Shkodra e Korça, të vetmet qytete për të cilat
mund të flitej në Shqipëri, nuk mund të krahasoheshin me ato qytete jashtë ku shqiptarët po
emigronin në numër përherë e më të madh.
Kryeqyteti i Bullgarisë Sofje, ashtu si Bukureshti, ishte bërë qendër e emigracionit
shqiptar në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë67. Edhe këtu udhëheqësit e bashkësisë
shqiptare, të nxitur nga kultura e zgjimit kombëtar, nisën të organizojnë veprimtari kulturore
kombëtare. Ndër figurat udhëheqëse të lëvizjes kombëtare në Sofje ishte Shahin bej Kolonja68
(1865-1919) nga Starja e Kolonjës afër Korçës. Ai kishte kryer më 1895 Mülkijen, një shkollë
e njohur e administrimit publik në Konstantinopojë, dhe kishte qenë mësues në disa shkolla të
mesme turke. Mbahet mend sidomos si botues i së përdyjavëshmes Drita69, që e nxori në Sofje
në 101 numra nga nëntori 1901 deri më 1908 për të mbrojtur të drejtat e kombit shqiptar.
Kolonja ua shpërndau këtë gazetë shtatëqind pajtimtarëve në mbarë Perandorinë Osmane me
ndihmën e konsullatave austro-hungareze. Drita, e shtypur në gjuhën shqipe me ndonjë artikull
të rastit greqisht, turqisht apo frëngjisht, luajti rol në zgjimin e identitetit kombëtar ndër
shqiptarët. Në këtë gazetë Sami Frashëri ribotoi manifestin e tij politik Shqipëria – Ç’ka qënë,
ç’është e çdo të bëhetë? e po aty Kolonja e përktheu atë në turqishte dhe e botoi me titullin
Arnavutluk ne idi, ne dir ve ne olacak; ai botoi në disa numra edhe tregimin Oxaku (Oxhaku) të
Mihal Gramenos.
Veprimtaria publicistike gazetare e Kolonjës qe lehtësuar mjaft nga shtypshkronja
Mbrothësia e ngritur prej Kristo Luarasit (1875-1934) nga fshati Luaras i Kolonjës. Kristo
Luarasi mësimet e para i mori në shkollën e fshatit Hotovë nga mësuesi dhe botuesi Petro Nini
Luarasi. Më 1892, pasi autoritetet osmane i mbyllën shkollat në gjuhën shqipe, emigroi në
Rumani dhe gjeti punë si tipograf. Më 1896 u shpërngul në Sofje dhe ngriti shtypshkronjën
Mbrothësia, e cila do të luante një rol të jashtëzakonshëm në përhapjen e letërsisë shqiptare. Së
bashku me Kosta Jani Trebickën dhe Mid’hat bej Frashërin (1880-1949), botoi almanakun
kulturor Ditërëfenjës ose Kalendari kombiar, i cili doli çdo vit, me disa ndërprerje të gjata, nga
1897 deri 1928. Kalendarët kombëtarë qenë vepra relativisht të rëndësishme në historinë e
letërsisë shqiptare përderisa, ashtu si almanakët familjarë të shekullit të nëntëmbëdhjetë në
bashkësitë fshatare të prerive të Amerikës së Veriut, lexoheshin në mjaft shtëpi. Këta almanakë
e bënin publikun e gjerë ta ndiente se ekzistonte një letërsi shqiptare, publik që përndryshe
kishte pak kontakt me veprat bashkëkohore të prozës dhe poezisë shqiptare. Por për Kristo
Luarasin ky qe vetëm fillimi. Në shtypshkronjën Mbrothësia ai botoi edhe tridhjetë e shtatë
monografi nga letërsia shqiptare, ndër to veprat e Spiro Dines, Mihal Gramenos, Papa Kristo
Negovanit, Mid’hat bej Frashërit [Lumo Skëndo] dhe Hilë Mosit. Ai gjithashtu ribotoi veprat e
Naim dhe Sami Frashërit, duke e mundësuar shpërndarjen masive të këtyre veprave të
rëndësishme. Kristo Luarasi kreu udhëtime në Korfuz, Itali dhe Konstantinopojë për të
bashkërenduar punët e lëvizjes kombëtare e për të nxitur botimet në gjuhën shqipe. Në Sofje
bashkëpunoi me Shahin Kolonjën në themelimin e organit Drita, që përmendëm më lart. Pas
revolucionit të xhonturqve Luarasi e transferoi shtypshkronjën në Selanik, ku gjatë një viti
nxori rreth gjashtëdhjetë vepra: libra, gazeta, revista dhe mbi 10.000 abetare, që i shpërndau
falas në popullsinë shqipfolëse. Në mars 1910, pasi autoritetet turke kishin filluar ta shihnin me dyshim veprimtarinë e tij, e ktheu prapë shtypshkronjën në Sofje. Këtu ai botoi gazetën e
përjavshme Liria e Shqipërisë nga 1911 deri më 1915. Më 1921 u kthye në Shqipëri dhe
themeloi Shtypshkronjën Luarasi, e cila do të bëhej shtypshkronja më e madhe në vend.
Kosta Jani Trebicka (vd. 1944) ishte partner i Luarasit në themelimin e shtypshkronjës
Mbrothësia dhe në botimin e Kalendarit kombiar, që pati një ndikim të madh në mbarë vendin.
Trebicka është edhe autor i disa poezive që u botuan në Albania të Faik Konicës, dhe
përkthimeve të një proze në tri pjesë me titull Fushatë e vdekura të Sibirit70 Bukuresht 1896,
dhe pjesës në pesë akte Gjenoveva, Sofje 1908. Më 1901 ai ishte kryetar i shoqërisë Dëshira,
një klub patriotik i themeluar në Sofje më 1893 për përgatitje mësuesish të shqipes. Dihet se pas
një viti Trebicka dha gjuhë shqipe në një shkollë nate të hapur nga kjo shoqëri.
Ndër shqiptarët aktivistë të lëvizjes kombëtare në Sofje në vitet e para të shekullit të
njëzetë ka qenë Josif Jovan Bageri71 (1870-1915), gazetar dhe poet nga Nistrova e Rekës në
krahinën e Dibrës. Më 1887, në moshën shtatëmbëdhjetë vjeç, Bageri u shpërngul në Sofje për
të kërkuar punë dhe, pasi kaloi vështirësitë e para, filloi të punojë si këpucar për të nxjerrë
bukën e gojës. Në kryeqytetin bullgar mësoi së pari gjuhën amtare dhe u lidh me figura të tjera
të lëvizjes kombëtare shqiptare që jetonin atje, ndër ta ishin Dervish Hima dhe Jashar S. Erebara
nga krahina e tij e Dibrës. Më 1893 u bë anëtar aktiv i shoqërisë atdhetare Dëshira. Botimet e
tij të para qenë vjersha me tema kombëtare me frymëzim të zakonshëm rilindës, të cilat dolën
në faqet e organeve Kalendari kombiar, Drita e Sofjes dhe Shpnesa e Shcypeniis e Nikolla bej
Ivanajt nga 1899 deri më 1909, kur Bageri nxirrte gazetën e vet të përdyjavshme. Shqypéja e
Shqypënis ishte një revistë e vogël por e bujshme, e cila nisi të botohej në Sofje më 15 maj 1909
dhe vazhdoi më vonë me një ndryshim të vogël në emër – Shqiponja e Shqipënis. Aty
botoheshin lajme dhe shkrime të redaksisë shqip e bullgarisht për çështje të ditës, si dhe mjaft
poezi me përmbajtje shoqërore e politike. Me gjithë përpjekjet e tij, Shqiponja e Shqipënis
falimentoi dhe nuk shkoi më përtej muajit prill 1911. Në janar 1914, më shumë se një vit pas
shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, Bageri u shpërngul në Durrës për të nxjerrë të
përjavshmen Ushtimi i Krujës, për të cilën kishte filluar punën nga nëntori i vitit të kaluar ‘për
të mbrojtur të drejtat e kombit shqiptar’. Po edhe Ushtimi i Krujës pas pak kohe ndeshi në
vështirësi financiare dhe u shtrëngua të ndërpresë botimin më 1914. I varfër e i këputur, i
sëmurë nga tuberkulozi dhe i pafuqishëm për t’i bërë ballë rrëmujës politike e shoqërore të
vendit që tani kishte kryeqytet portin Makiavelian të Durrësit, Bageri vendosi të largohet nga
Shqipëria e të kthehet në Sofje. Vdiq rrugës për në Prishtinë më 1915. Josif Bageri ishte jo
vetëm botues dhe gazetar, por edhe autor i një vëllimi modest me poezi e prozë në frymë të
Rilindjes, shkruar në dialektin e vendlindjes, me titull Kopësht malsori, msime të shqyptarueta
dhe vjersha, Sofje 1910.
Thoma Abrami (1869-1943) ose Thoma Avrami ishte gazetar e poet nga Korça, që
luajti një rol më aktiv në botimet shqipe në zgrip të shekullit. Bëri mjaft udhëtime nëpër
ngulimet shqiptare jashtë (Sofje, Bukuresht, Egjipt dhe Konstantinopojë) duke punuar si gazetar
dhe redaktor për zgjimin kombëtar. Më 1903 u bë redaktor i së përdyjavshmes Vetëtima që doli
vetëm një numër në Sofje, dhe po atë vit i së përdyjavshmes Përlindja shqiptare që botohej në
Bukuresht. Më 1904 themeloi revistën mujore Besa në Kajro me Milo Duçin (1870-1933), e
cila u shpall si organ i bashkimit të atdhetarëve të vërtetë shqiptarë. Bashkëpunoi edhe me
organe të tjera të kohës: me Dritën e Shahin Kolonjës në Sofje, me Shqipërinë e Vissar Dodanit
në Bukuresht, me Albanian e Faik Konicës në Bruksel e më pas në Londër. Më 1908 përfaqësoi
Korçën në Kongresin e Manastirit. Më pas Abrami botoi një revistë arsimore 16 faqesh në Korçë me titull Përlindja arësimtare, numri i parë i së cilës doli në qershor 1922. Përveç
veprimtarisë publicistike, Thoma Abrami ishte edhe autor proze e poezie, si dhe përkthimesh
nga greqishtja dhe arabishtja. Këto të fundit u botuan më 1925. Poezitë e tij lirike, shpesh me
tema kombëtare, u botuan në disa nga organet e sipërpërmendura.
I angazhuar për qëllimet e larta të zgjimit kombëtar në Sofje ishte edhe botuesi dhe
shkrimtari Nikolla Lako (1880-1962) nga Korça. Ai botoi mjaft prozë e poezi si dhe një numër
artikujsh në Kalendari kombiar, kurse vetë themeloi një tjetër revistë me emrin Shqipëria në
Sofje më 1907. Shqipëria e Lakos ishte një revistë që nuk pati jetë të gjatë megjithëse u
kushtohej çështjeve politike e shoqërore, kulturës, letërsisë dhe folklorit, përfshirë dhe
ilustrime. Objektivi i shpallur i saj ishte mbrojtja e të drejtave të kombit shqiptar dhe nxitja e
qytetërimit dhe përparimit të tij. Pasi u vendos me banim në Francë, Lakoja botoi një abetare e
një gramatikë për shkollat fillore shqiptare që tani po ngriheshin anembanë Ballkanit:
Stërvitjetore për nxënësit shqipëtarë, Paris 1909, dhe Shkronjëtore e gjuhësë shqip, Paris 1910.
Ai ka gjasa të jetë edhe autor i rrëfenjave Miresia dhé ligesia dhe Te nghiarat’ e nje hajduti
ndene sundim të Haldupit, botuar në Paris më 1910 me pseudonimin Gjin Kroja72. Më 1919
Lako nisi botimin e revistës politike dhe letrare Opinga në Paris (Boulogne/Seine), e cila u
dallua si një organ i popullit shqiptar që kërkonte një Shqipëri autonome. Revista përmbante
artikuj shqip dhe frëngjisht. Pas kthimit në Shqipëri bashkëpunoi me periodikun Gazeta e
Korçës e më pas u vendos me banim në Tiranë. Lako mbahet mend për veprimtarinë kombëtare
e botuese në periudhën e fundit të Rilindjes, e më pas si bamirës bujar për shkollat dhe
bibliotekat e Korçës, ndërkaq edhe si botanist i shquar.
Një gazetë tjetër shqiptare që propagandoi idealet e pavarësisë e të arsimit në gjuhën
shqipe në mbarë Ballkanin ishte e përjavshmja Shpnesa e Shcypeniis, e botuar nga 1905 deri më
1908 në shqip, italisht dhe serbo-kroatisht nga botuesi, shkrimtari dhe figura kombëtare Nikolla
bej Ivanaj (1879-1951). Në fillim doli në Dubrovnik, më pas në Trieste e në fund në Romë.
Ivanaj pati lindur në Grudë, në rajonin e sotëm kufitar shqiptaro-malazez, dhe u rrit në
Podgoricë të Malit të Zi. Thuhet se ka ndjekur studimet në Beograd, Vjenë, Zagreb dhe
Dalmaci. Ivanaj ka mbajtur funksione të ndryshme nëpunësie në Serbi, ndër to edhe atë të
sekretarit dhe përkthyesit të Ministrisë së Jashtme të Serbisë. Pas pavarësisë së Shqipërisë
Ivanaj botoi në Shkodër gazetën e përjavshme Lidhja kombëtare më 1915 në mbrojtje të
vetqeverisjes dhe të drejtave kombëtare të Shqipërisë. Më 1919 mori pjesë në Konferencën e
Paqes në Paris dhe u kthye në Shqipëri për të themeluar dhe botuar gazetën e përdyjavshme
Koha e re më 1919 dhe 1925, si dhe të përjavshmen Republika nga 1923 deri më 1925, të dyja
në Shkodër. Gjatë Luftës së Dytë Botërore botoi librin autobiografik Historija e Shqipëniës së
ré. Vuejtjet e veprimet e mija. Pjesa e parë, Tiranë 1943; Historija e Shqipëniës së ré, Pjesa e
II-të, Tiranë 1945, i cili merrej kryesisht me rolin e klerit katolik, si dhe një vëllim me vjersha
po në Tiranë, ku edhe vdiq.
Veprimtaria letrare dhe publicistike e figurës kombëtare Risto Siliqi73 (1882-1936)
mbulon periudhën 1905-1915. Siliqi lindi më 10 gusht 1882 në një familje ortodokse në
Shkodër, ku ndoqi mësimet në një shkollë fillore serbe e më pas në një shkollë të mesme turke.
I frymëzuar nga leximi i veprave të Naim dhe Sami Frashërit, që në moshë të re mori pjesë në
lëvizjen kombëtare shqiptare dhe, ashtu si shumë shqiptarë të tjerë të veriut, u shtrëngua të ikë
në Malin e Zi të pavarur për të kërkuar strehë nga gjendja e rrëmujshme politike në atdheun e
tij nën pushtimin turk. Në Cetinjë, asokohe kryeqytet i Mbretërisë së Malit të Zi, Siliqi gjeti
punë në kuzhinën e një hoteli, dhe falë arsimit fillor që kishte marrë në serbishte, mundi të përfundojë shkollën. Vitet 1905-1907 ishin vite veprimtarie të madhe revolucionare e të fshehtë
të intelektualëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Kudo po ngriheshin komitete revolucionare
për të përgatitur një kryengritje të përgjithshme kundër sundimit osman. Shumë shqiptarë në
veri të vendit i shikonin si me dyshim këto veprime, dhe kjo për vetë synimet e njohura të Malit
të Zi ndaj Shqipërisë. Risto Siliqi hapi në Cetinjë një han me emrin ‘Albania’, që shërbeu si vend
takimesh për luftëtarët kombëtarë shqiptarë. Ai gjithashtu bëri mjaft udhëtime në emër të
komiteteve revolucionare për organizimin e qëndresës. Më 1911 mori pjesë aktive në
kryengritjen e armatosur, e cila më në fund shpërtheu kundër sundimit turk në malësinë e
Shqipërisë së veriut. Ngjarjet e kësaj kryengritjeje i hodhi në kronikën e tij Pasqyra diteve
pergjakshme në të pêstin shekull Shqypêniis të robënume, Trieste 1912, e cila përmban edhe një
shtojcë me trembëdhjetë vjersha patriotike. Pas pavarësisë, së bashku me shkrimtarin dhe poetin
Hilë Mosi dhe Karlo Sumën, botoi në Shkodër gazetën e përjavshme Shqypnia e re, gazetë që
pa dritën më 15 qershor 1913 e që vazhdoi deri më 1914. Më pas punoi si avokat në Shkodër ku
dhe vdiq më 1 maj 1936. Siliqi është edhe autor i rreth 4,000 vargjeve kryesisht patriotike me
frymëzim të zakonshëm kombëtar, disa prej të cilave janë botuar në organe të kohës si
Kalendari kombiar dhe Liria e Shqipërisë në Sofje.
Shekulli i nëntëmbëdhjetë provoi emigrim të shqiptarëve jo vetëm në Rumaninë e
Bullgarinë fqinje, por edhe në Egjipt, i cili asokohe, ashtu si vetë Shqipëria, ishte pjesë e
Perandorisë Osmane74. Më 1805, Muhamed Aliu (1769-1849), i njohur edhe me emrin Mehmed
Ali, me prejardhje shqiptare nga Kavalla në Greqinë veriore, u bë pasha apo guvernator në
Egjipt, i cili kishte qenë nën sundimin osman, të paktën sa për emër, që më 1517. Atje ai mundi
të ngrejë një shtet me të vërtetë autonom, duke e kthyer sundimin turk në diçka formale, dhe
themeloi një dinasti mbretërore që sundoi vendin deri me rrëzimin e mbretit Faruk (1920-1965)
më 1952. Egjipti, asokohe, ashtu si në lashtësi, hambar i Mesdheut lindor, kishte përfituar nga
rritja e tregtisë që erdhi prej hapjes së kanalit të Suezit nga Ferdinand de Lessepsi (1805-1894)
më 1869. Në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në dhjetëvjeçarët e parë të
shekullit të njëzetë, shumë shqiptarë emigruan nga atdheu në brigjet e Nilit për të gjetur punë e
për të siguruar një jetë më të mirë. Ata zunë vend jo vetëm në Aleksandri e në Kajro, por edhe
në qytetet e Egjiptit të poshtëm si El Mansûra, Shibîn el Kôm, dhe Minya el Qamh, si dhe në
bashkësi përgjatë luginës së Nilit si Beni Suef, Biba, El Fashn, Maghâgha, Manfalût dhe
Er-Rodha. Nën suzerenitetin osman e më pas nën protektoratin britanik të vendosur më 1883,
emigrantët shqiptarë, mjaft prej të cilëve kishin punuar shumë dhe u kishte ecur me tregtinë e
pambukut, formuan bashkësi të mëdha. Prandaj nuk është për t’u habitur që disa prej
shkrimtarëve dhe figurave kryesore të lëvizjes së Rilindjes kombëtare do të dilnin nga lugina e
Nilit. Spiro Dine na thotë: “Karakollët e Kajros qenë plot gegë e toskë. Këngët e vallet nukë
reshtnin; bozuku, tamburja e ballamaja buçisnin më në katër anët. Na dukej sikur gjindeshim
në Shqipëri, tregu i armëve Suk el-silah përveç shqiptarëve tjetër nuk kish, me të shumët gegë
musliman e të krishterë mirëditas…” Në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit të njëzetë, ky ngulim
mërgimtarësh u shqua sidomos për veprimtari kombëtare e botuese.
Një nga organet më të hershme të shtypit shqiptar në Egjipt ka qenë Bashkim i
Shqiptarëvet, që u botua për një kohë të shkurtër si e përdyjavshme nga shtatori 1900 shqip,
frëngjisht dhe turqisht nga Ismail Haki bej. Po atë vit në tetor doli gazeta Besa-Besën, që e
nxirrte Milo Duçi75 (1870-1933), i njohur edhe me emrin Mihal N. Duçi. Duçi, nip i poetit
rilindës Loni Logori (1871-1929), e kaloi pjesën më të madhe të jetës në Kajro ku dhe mbështeti aktivisht lëvizjen kombëtare shqiptare. Më 1897 u bë kryetar i shoqërisë Vllazëria,
qendër ku mblidheshin gjithë shqiptarët e atjeshëm. Besa-Besën, e para në radhën e gazetave
jetëshkurtra që botoi, zgjati katër vjet. Më 1901 Duçi nxori një revistë mujore me titull Toska
në Minya el Qamh. Kjo gazetë me tetë faqe në gjuhën shqipe e ndonjë shkrim në frëngjishte,
zgjati deri më 1902. Më 1904, së bashku me Thoma Abramin, botoi një tjetër, kësaj radhe një
revistë të përmuajshme me 24 faqe me titullin Besa, e me nëntitullin: organ i bashkimit të
patriotëve të vërtetë shqiptarë. Në tetor 1906 Duçi gjithashtu botoi Shqipëria në Kajro, organ i
ortodoksëve shqiptarë. Me formimin e qeverisë së parë të Shqipërisë së pavarur Duçi u kthye në
atdhe, ku botoi për një kohë të shkurtër, nga qershori deri në gusht 1914 gazetën e
përdyjavshme Zâna në Durrës. Por grindjet vëllavrasëse midis grupeve të ndryshme politike në
shtetin e saposhpallur, e shtrënguan pas pak kohe të ikë në Itali, nga ku u kthye përsëri në
Egjipt. Më 1922 themeloi një shtëpi botuese në Kajro, me emrin Shoqeria botonjesé shqipetaré
ose Société albanaise d’éditions, e cila botoi jo vetëm veprat e tij, por edhe përmbledhjen e
vargjeve sanskritishte, të bërë nga Çajupi, Lulet e Hindit. Më 1925 në kryeqytetin egjiptian, ai
botoi edhe një gazetë tjetër me emrin Bisedimet, një e përjavshme kombëtare që zgjati deri në
fillim të vitit tjetër. Duçi vdiq në Kajro më 25 nëntor 1933.
Milo Duçi nuk ishte vetëm botues dhe figurë kombëtare, por edhe poet e dramaturg,
sidomos në periudhën e fundit të jetës. Dyzet e gjashtë vjershat e tij patriotike e të dashurisë,
botuar pjesërisht me pseudonimin Lulo Malësori, dolën në organe të ndryshme midis viteve
1897 dhe 1925. Ai është edhe autor i të paktën gjashtë pjesëve teatrale. Më të mirënjohurat nga
këto përpjekje modeste janë pjesa me tri akte Nderi, Konstancë 1921, me dy akte I bir’ i begut,
Kajro 1921, me sa duket sipas një origjinali frëngjisht, dhe me tri akte, pjesërisht
autobiografike, E thëna, Kajro 1922. Pjesët e tjera teatrore të Duçit, si për shembull ajo me
katër akte Nora, drama në vargje Gjaku dhe tragjikomedia me një akt Të vdekurit e të gjallët,
kanë vlera letrare të kufizuara. Më me interes është Midis dy grash, Kajro 1922, një trekëndësh
melodramatik dashurie i shfaqur në pesë letra si të dërguara prej autorit nga Napoli në verën e
vitit 1922. Gjon Voda nuk di si t’ia bëjë, ndodhet midis së shoqes dhe së dashurës Suzanë.
Historia me letrat përfundon kur Gjon Voda vret Suzanën në një çast tërbimi xhelozie dhe
pastaj vret veten.
Publicisti dhe figura kombëtare Jani P. Vruho (1863-1931) ishte nga Vërtopi i krahinës
së Beratit. Që në moshë të re vajti e u ngul me banim në oazin pjellor të El Faiyûmit në Egjiptin
e Epërm, ku edhe kaloi pjesën më të madhe të jetës derisa vdiq në shtator 1931. Shumë nga
artikujt e tij polemikë dhe vjershat me frymë kombëtare dolën në organe periodike të kohës si
Kalendari kombiar i Kristo Luarasit dhe Liria e Shqipërisë, të dyja në Sofje. Vruhoja ishte një
propagandist i palodhur i çështjes shqiptare. Edhe pse gjatë shembjes përfundimtare të
Perandorisë Osmane vetëqeverisja politike për atdheun e tij në Ballkan dukej tepër e pasigurt,
ai vërente me kënaqësi se ndjenja e identitetit kombëtar kishte zënë rrënjë, fakt ky që përbënte
një nga parakushtet për një shtet shqiptar. Më 1907 Jani Vruhoja botoi gazetën satirike shqip-greqisht
Shkopi në Kajro, bashkë me Athanas Tashkon (1863-1915), një gazetë që i shërbeu
bashkësisë shqiptare në Egjipt për dy vjet. Shtypej me alfabetin e Stambollit dhe kishte për
synim mbrojtjen e të drejtave të kombit shqiptar, duke lëvduar ata që meritojnë të lëvdohen e
duke qortuar ata që meritojnë të qortohen për çështjen kombëtare. Më 1909 Jani Vruhoja botoi
një gazetë të dytë në gjuhën shqipe në El Faiyûm me emrin Rruféja. Meqë xhonturqit e ndaluan
këtë të përmuajshme të qarkullonte në Shqipëri, Vruhoja ia ndryshoi titullin e ia bëri Sëpata në
prill 1910, dhe kështu u bë i mundur botimi dhe shpërndarja për një kohë të shkurtër.
Ndër gazetat dhe revistat e tjera shqiptare të botuara në Egjipt në fillim të shekullit të
njëzetë mund të përmenden e përdyjavëshmja Pellazgu dhe Zghimi, të dyja të botuara në Kajro
më 1907 nga Sami Kulla Përzëreni, e përmuajshmja Vatra e botuar në Minya el Qamh më 1909,
dhe e përjavshmja Shkreptima, e redaktuar më 1910-1911 nga gjuhëtari dhe mësuesi Aleksandër Xhuvani (1880-1961). Ndonëse mjaft prej tyre dolën për shumë pak kohë, organet e shtypit
shqip në Egjipt dhanë ndihmesë për zgjimin e identitetit kombëtar jo vetëm ndër shqiptarët
banues në brigjet e Nilit, por edhe brenda Shqipërisë, ku gazetat hynin shpesh kontrabandë
fshehurazi doganierëve osmanë.
Ndërkohë që shumë shqiptarë në shekullin e nëntëmbëdhjetë emigruan në Egjipt e në
vise të tjera të Perandorisë Osmane për të gjetur punë dhe jetë më të mirë, të tjerë iknin një herë
e mirë për në tokën e premtuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në kulmin e emigrimit
evropian në Amerikën e Veriut në dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë e në
dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të njëzetë, shumë shqiptarë, sidomos nga krahina e Korçës, e
lanë vendin e tyre të varfër dhe u bashkuan me valën e emigrantëve grekë që niseshin me anije
nga Selaniku e Pireu për lundrimin e gjatë e të lodhshëm drejt brigjeve lindore të Shteteve të
Bashkuara, me shpresën për të filluar një jetë të re e për të gjetur atje liri e begati. Në fillim u
ngulën në Nju Jork, Boston e përreth tyre, ku edhe sot gjenden ngulime jo të vogla shqiptare, si
dhe në mbarë shtetet Masaçusets, Konetikët, Pensilvenia dhe Nju Xhërsi. Më pas valët e
emigrantëve shqiptarë u shtynë më tutje, sidomos në Misuri, Miçigan e Ilinois, ndonëse
shumica mbetën në bregun lindor. Zonat metropolitane të Nju Jorkut, Bostonit dhe Detroitit tani
përbëjnë qendrat kryesore të ngulimeve shqiptaro-amerikane në Shtetet e Bashkuara. Mu në
Boston më 28 prill 1912 u themelua federata panshqiptare Vatra për të bashkuar shoqërinë
Besa-Besën dhe trembëdhjetë klube të tjera shqiptaro-amerikanësh në një organizatë. Kjo
federatë, që ka arritur të ketë deri rreth shtatëdhjetë degë gjithsej, u kryesua në fillim nga Faik
bej Konica (1875-1942) dhe Fan Noli (1882-1965). Edhe në Shtetet e Bashkuara u themeluan
një numër gazetash shqiptare me rëndësi, roli i të cilave nuk do të kufizohej kurrsesi vetëm me
shqiptarët që banojnë në Amerikën e Veriut.
Gazeta e parë shqiptare në gjuhën shqipe në Amerikën e Veriut ishte Kombi i Bostonit,
botuar nga Sotir Peci (anglisht Sotir Pettsy, 1873-1932) nga Dardha, një fshat afër Korçës.
Numri i parë i kësaj së përjavshmeje politike, kulturore e letrare në gjuhhën shqipe, me ndonjë
artikull në anglishte, frëngjishte apo italishte, doli më 15 qershor 1906. Peci e propagandoi si ‘të
parën dhe të vetmen gazetë shqiptare në Amerikë’ dhe si ‘organ të interesave shqiptare’. Kombi
zgjati tre vjet deri më 1909, kur e pasoi Dielli, themeluar nga Fan Noli dhe Faik bej Konica në
shkurt 1909. Dielli qe organi i federatës së rëndësishme panshqiptare Vatra në Boston, dhe si i
tillë ishte edhe zëdhënës i bashkësisë shqiptare në përgjithësi.
Periodikë të tjerë shqiptarë të botuar në Shtetet e Bashkuara para Luftës së Parë Botërore
ishin: Flamuri i Bostonit, që doli vetëm pak kohë më 1910; po aq jetëshkurtër Trumbeta e
Krujës e Sejnt Luisit (St. Louis) më 1911; dhe Zër’ i popullit i Nju Jorkut më 1912-1913.
Vitet e luftës 1914-1918 patën një vërshim të tërë gazetash jetëshkurtra shqiptare saqë
duket sikur puna e parë e emigrantëve shqiptarë sapo vinin këmbën në Amerikë ishte të nxirrnin
një gazetë. Ndër këta periodikë qenë Adriatiku botuar në Framingham, Masaçusets, më 1914;
The Albanian era, 1915-1916, botuar në Denver e më pas në Çikago nga John Adams;
Vullnetari në Natik (Natick), Masaçusets, shtypur më 1916-1917; Përparimi në Nju Jork, që
zgjati nga 1916 në 1920; Mprojtja shqipëtare në Sejnt Luis më 1916; Luftëtari i drejtësisë në
Boston më 1917; e përdyjavshmja Yll’ i mëngjezit e Parashqevi Qiriazit në Boston, të cilën ajo
e drejtoi nga 1917 deri më 1920; Përlindja më 1917 doli në Framingham, Masaçusets; Sazani
dyjavor në Uuster (Worcester), Masaçusets, nga 1917 deri më 1918; Albania, ‘organ zyrtar i
partisë politike e kombëtare shqiptare’, themeluar edhe kjo në Uorçester, dhe botuar në Nju Jork
nga A. G. Naçe (Nache) nga 1918 deri më 1920, Shqipëria ‘e përkohëshme e shoqërisë fetare
muhamedane’ në Uatërbëri (Waterbury), Konetikët, më 1918, si dhe e përmuajshmja e Fan Nolit
The Adriatic Review e federatës Vatra në Boston, që doli nga shtatori 1918 deri më 1919.
Edhe pse në zgrip të shekullit gazetat në gjuhën shqipe nuk ishin më diçka e pazakontë,
botimet brenda vetë Shqipërisë, për shkaqe të kuptueshme, mbetën të rralla dhe vazhduan të jenë të kufizuara deri në shpërbërjen e Perandorisë Osmane. Gazetat dhe revistat qenë të
shtrënguara të hynin fshehurazi nga jashtë. Një nga figurat e para që përfitoi nga shtimi i
rrëmujës në Perandorinë Osmane e që filloi të botojë në Shqipëri në dhjetëvjeçarin e parë të
shekullit të njëzetë, ishte Mihal Grameno76 (1871-1931), botues, shkrimtar dhe figurë e shquar
politike, veprimtaria letrare dhe atdhetare e të cilit kap periudhat e Rilindjes e të Pavarësisë.
Gramenoja pati lindur në Korçë në një familje tregtare dhe ndoqi shkollën greke para se të
emigronte djalë fare i ri në Rumani më 1885. Në Bukuresht ai mori pjesë në lëvizjen kombëtare
dhe më 1889 u bë sekretar i shoqërisë Drita, që po zgjerohej. Mihal Gramenoja nuk ishte vetëm
ideolog i lëvizjes së Rilindjes, por edhe njeri i veprimit. Më 1907 ai u bashkua me çetën e
Çerçiz Topullit, një çetë e vjetër luftëtarësh kundër trupave turke në Shqipërinë e jugut. Me sytë
e zjarrtë e mjekrën e lëshuar ai ishte vetë simboli i luftëtarit të lirisë dhe komitit ballkanas. Si
mjaft figura të tjera kombëtare të periudhës, Gramenoja në fillim e përshëndeti revolucionin e
xhonturqve, por shumë shpejt u vu përsëri kundër sundimit osman kur u bë e qartë se xhonturqit
donin të mbanin regjimin e centralizuar. Për veprimtarinë e tij politike u arrestua disa herë. Më
10 korrik 1909 botoi numrin e parë të gazetës Lidhja orthodhokse në vendlindje, Korçë, një e
përdyjavshme e re me frymë kombëtare që zgjati deri në qershor 1910, kur u mbyll nga censura.
Të njëzet e dy numrat e Lidhjes orthodhokse, me nëntitullin gazetë ‘politike, leterare dhe fetare’,
u bënë zëdhënës sidomos i kundërshtimit ndaj hierarkisë së kishës ortodokse greke, e cila vajti
shumë larg me masat e saj për ta mbytur veprimtarinë kombëtare. Më 1 shkurt 1911 Gramenoja
nisi të botojë një tjetër gazetë në Korçë, atë me emrin Koha, e përjavshme politike dhe letrare
për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve. Më 1915, Mihal Gramenoja emigroi në Shtetet e
Bashkuara dhe vazhdoi ta botojë të përjavshmen në Xhejmstaun (Jamestown), Nju Jork, deri më
1919. Të shqetësuar thellë për fatin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe gjendjen e saj pas tronditjeve
të Luftës së Parë Botërore e për mungesën e vazhdueshme të një qeverie të qëndrueshme atje,
bashkësia shqiptaro-amerikane dërgoi Mihal Gramenon dhe pesë delegatë të tjerë shqiptarë për
të marrë pjesë në Konferencën e Paqes të Parisit më 1919 e për të përfaqësuar interesat e
Shqipërisë. Gramenoja e ndoqi konferencën si korrespondent i gazetës së Nju Jorkut Albania që
botonte A. G. Naçe. Vitin tjetër u kthye në Shqipëri dhe më 10 korrik 1920 rifilloi botimin e
gazetës Koha në Korçë. Gazeta jetoi deri në nëntor 1926. Koha mbrojti interesat e Shqipërisë
kundër xhonturqve para Pavarësisë, edhe më pas kundër aspiratave ekspansioniste të shteteve
fqinjë e të Austro-Hungarisë. Në fillim të viteve 1920 ajo mbështeti demokracinë dhe barazinë
dhe shprehu miratimin e vet për qeverinë jetëshkurtër të Fan Nolit të vitit 1924. Por në vitet e
fundit të saj, gazeta erdhi e u pajtua me qeverinë antidemokratike të Zogut, të cilën e pati
kundërshtuar në fillim. Përveç organeve me influencë të shtypit, që nxori, Mihal Gramenoja
bashkëpunoi edhe me një gamë të gjerë organesh të tjera shqiptare, ndër to me Albania të Faik
Konicës në Bruksel e në Londër, Drita të Shahin Kolonjës në Sofje, Shpnesa e Shcypeniis të
Nikolla bej Ivanajt në Dubrovnik, Kombi të Sotir Pecit në Boston, Shqipëria të Milo Duçit në
Kajro, Korça në Korçë, Përlindj’ e Shqipëniës në Vlorë, Gazeta e Korçës në Korçë, Albania e
A. G. Naçe në Uorçester dhe Nju Jork, Shqipëri’ e re në Bukuresht e Konstancë, dhe Dielli në
Boston. I dëshpëruar, u tërhoq nga jeta publike rreth vitit 1927. Dihet se ra mjaft shpirtërisht në
vitet e fundit të jetës dhe iu vu përherë e më shumë alkoolit. I sëmurë rëndë për ca kohë, vdiq në
qytetin e lindjes Korçë më 5 shkurt 1931 në moshën pesëdhjetetetëvjeçare.
Si figurë letrare Mihal Grameno u bë i njohur së pari më 1903 me vjershën atdhetare
Vdekja, ndonëse frymës së lartë politike të kësaj vjershe dhe të tjerave më pas nuk iu përgjigj
kurrë një nivel po aq i lartë gjuhësor. Më të lexueshme janë pjesët e tij teatrale dhe tregimet.
Grameno është autor i komedisë me tri akte në vargje Mallkimi i gjuhës shqipe, Bukuresht 1905, subjekti i së cilës shtjellohet në Korçën e vitit 1886 dhe ku ai satirizon orvatjet greke për
‘të civilizuar’ shqiptarët; si edhe autor i tragjedisë me temë historike në katër akte Vdekja e
Piros, Sofje 1906, për mbretin Piro (319-273 para erës sonë) të Epirit, humbjet e të cilit në
beteja mbetën në histori me frazën ‘fitore si e Piros’. Vepra përmban një përkushtim ‘të
pavdekurit vjershëtor edhe të madhit mëmëdhetar Naim be Frashërit’, i cili qe burim i madh
frymëzimi për të gjithë shkrimtarët shqiptarë në fillim të shekullit të njëzetë. Gramenoja botoi
edhe një numër tregimesh të shkurtra me frymë sentimentale e me ndjenjë romantike
kombëtare. Ndër to janë: Oxaku, Selanik 1909 (Oxhaku), në fillim botuar në disa numra në
periodikun e Shahin Kolonjës Drita më 1904-1905, një histori dashurie midis djalit të një beu
dhe një vajze fshatare, me subjekt që shtjellohet më 1821, në kohët e përgjakshme të Ali pashë
Tepelenës; E puthura, Selanik 1909, kushtuar Hilë Mosit, një histori dashurie në pesë kapituj
midis pjesëtarësh klasash shoqërore të ndryshme, me ngjarje që zhvillohen më 1815 e me
shumë përshkrime të zakoneve vendore të asaj kohe; dhe Var’ i pagëzimit, Korçë 1909, një
satirë therëse kundër hierarkisë ortodokse greke, e cila e kishte shpallur gjuhën shqipe të
mallkuar nga Zoti. Në këtë novelë pesëkapitujsh, me ngjarje të vendosura në Vithkuq më 1751,
një prift ortodoks nuk pranon të thotë formulën e pagëzimit në gjuhën shqipe, dhe kësisoj
shkakton rënimin e një familjeje të tërë. Në prag të pavarësisë së Shqipërisë, Gramenoja shtypi
një vëllim me vargje të flakta kombëtare me titull Plagët, Manastir 1912, e më pas botoi
kujtimet nga koha kur kishte qenë komit në Kryengritja shqiptare, Vlorë 1925.
Mihal Grameno ishte figurë tipike e kulturës së Rilindjes së vonë, plot ndjenjë
romantike kombëtare e energji krijuese për të ndryshuar fatin e dhimbshëm të popullit e për të
mbrojtur të drejtat e tij. Ai personifikon shkrimtarin-hero kombëtar të kohës dhe prandaj gëzon
simpati të madhe nëpër Shqipëri. Ndërsa pjesët teatrore dhe tregimet lexohen me kënaqësi si
dokumente të kohës, megjithëse ato nuk dëshmojnë ndonjë talent letrar të veçantë në krahasim
me shkrimtarë të tjerë bashkëkohorë. Prandaj me gjithë gamën e gjerë të gjinive letrare që
trajtoi, vendi i Gramenos në letërsinë shqiptare është kryesisht si publicist e pamfletist i jetës
politike.
Një figurë tjetër e shquar, tek e cila veprimtaria publicistike dhe angazhimi politik për
përmbushjen e qëllimeve të lëvizjes kombëtare lë në hije talentin letrar, ishte publicisti,
politikani dhe prozatori Mid’hat bej Frashëri77 (1880-1949), i shfaqur shpesh me pseudonimet
Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka. Mid’hat bej Frashëri qe i biri i politikanit dhe ideologut të
Rilindjes Abdyl Frashëri (1839-1892) dhe nip i figurave po aq të shquara Naim dhe Sami
Frashëri. Mendohet se ka lindur në Janinë dhe është rritur në Stamboll, ku familja e tij u bë
qendër e lëvizjes kombëtare. Në moshën shtatëmbëdhjetë vjeç ndihmoi Kristo Luarasin (1875-
1934) dhe Kosta Jani Trebickën për botimin e almanakut kulturor të njohur me emrin Kalendari
kombiar, që shtypej në shtypshkronjën Luarasi në Sofje. Një vit pas vdekjes së të ungjit, Naim
Frashërit, botoi një biografi të shkurtër të tij me titull Naim be Frashëri, Sofje 1901, me
pseudonimin Mali Kokojka. Nga 1905 deri 1910 punoi në administratën osmane në vilajetin e
Selanikut si drejtor për çështje politike. Në korrik 1908, kësaj radhe me pseudonimin Lumo
Skëndo, nisi botimin e gazetës së përjavshme Lirija në Selanik, që zgjati deri më 1910. Ai ishte
në drejtim të Kongresit të Manastirit më 14-22 nëntor 1908, kurse në janar të vitit tjetër nisi të
botojë një revistë mujore me emrin Diturija, organ periodik i ilustruar me interes kulturor, letrar
e shkencor që doli më 1909 në Selanik, më 1916 në Bukuresht dhe nga 1926 deri 1929 në
Tiranë. Mid’hat Frashëri luajti rol të madh në klubin patriotik të Selanikut, i cili shquhej për
qëndrimin relativisht pajtues ndaj xhonturqve e që më pas pati kundërshtimin e figurave
kombëtare më radikale. Veprimtaria politike e Mid’hat Frashërit mori një karakter më kombëtar
gjatë luftërave ballkanike dhe shembjes përfundimtare të Perandorisë Osmane, kur Shqipëria ndodhej para rrezikut që të gllabërohej nga fqinjët e saj ballkanikë. Pas pavarësisë në nëntor
1912, u bë i pari ministër i vendit për punët botore, kurse më pas konsull i përgjithshëm i
Shqipërisë në Beograd dhe drejtor i përgjithshëm i postave. Me shpërthimin e Luftës së Parë
Botërore u internua në Rumani për një farë kohe, por, pasi u lirua, iu kthye përsëri botimeve.
Nga 5 maji 1916 drejtoi të përdyjavëshmen e Bukureshtit L’indépendance albanaise, një nga të
shumtat organe jetëshkurtra të lëvizjes kombëtare shqiptare gjatë Luftës së Parë Botërore. Më
pas e shohim në Lozanë, ku banoi me kushëririn Mehdi Frashëri (1874-1953) e ku shkroi një
numër artikujsh publicistikë e studimorë. Më 25 nëntor 1920 u emërua kryetar i delegacionit
shqiptar në konferencën e paqes në Paris, ku jetoi deri më 1922. Në Paris vazhdoi veprimtarinë
publicistike në shtypin francez për të propaganduar qëndrimin e Shqipërisë në ristrukturimin e
Evropës së pasluftës. Artikujt e tij të kthjellët e racionalë dolën në organe si France-Orient,
L’Europe nouvelle, Mercure de France, Revue de Genève dhe Les Peuples libres. Më pas mbajti
disa poste minister dhe ishte ambasador i Shqipërisë në Greqi nga 1923 deri në 1926. Në
periudhën e diktaturës Zogiste ai e la politikën për një farë kohe dhe hapi një librari në Tiranë.
Vetë kishte një bibliotekë private jashtëzakonisht të pasur, me rreth 20,000 vëllime, më e
madhja në Shqipëri në atë kohë, të cilën në shkurt 1938 e ofroi për krijimin e një Instituti
Studimesh Shqiptare. Për fat të keq ky projekt nuk u realizua në vitet më pas. Në fund të vitit
1942 rihyri në arenën politike për të luftuar kundër pushtimit të vendit nga Boshti, dhe u caktua
udhëheqës i Ballit Kombëtar, lëvizje antikomuniste e qëndresës, që rivalizonte për pushtet me
partizanët komunistë. Në vjeshtë 1944, kur pa se në Shqipëri po fitonin komunistët, iku në
Italinë e jugut. Biblioteka e tij në Tiranë u konfiskua dhe përfundoi në Bibliotekën Kombëtare
në Tiranë. Vitet e para të luftës së ftohtë e gjetën Mid’hat Frashërin në Perëndim në përpjekje
për të formuar një koalicion të forcave opozitare antikomuniste në Angli e në Shtetet e
Bashkuara. Vdiq nga një krizë zemre në hotelin Lexington në avenynë Lexington në Nju Jork
më 3 tetor 1949.
Mid’hat bej Frashëri është autor i një game të gjerë veprash edukative: tekste shkollore,
përkthime, artikuj gazetash, broshura politike dhe rrëfenja didaktike. Deri më 1926 kishte
botuar rreth njëzet vepra shqip. Nga botimet joletrare, në mund t’i quajmë kështu, në veçanti
mund të përmenden: Istori e shkrimit shqip, botuar më 1901 në revistën Diturija, një nga
historitë më të para të letërsisë shqiptare; Këndime për shkollat e para, Selanik 1910; Istori e
mbretëris otomane, Konstantinopojë 1912; Letra mi një udhetim në Svicrë, Sofje 1915; dhe
Plagët tona. Çë na mungon? Çë duhet të kemi?, Tiranë 1924, një traktat 61 faqesh për gjendjen
morale, materiale dhe psikologjike të Shqipërisë. Kalendari kombiar për vitin 1926, Tiranë
1926, që ai e shtypi në shtypshkronjën Luarasi në kryeqytetin në zhvillim të Shqipërisë, mbahet
mend për ribotimin e fjalorit greqisht-shqip të Marko Boçarit (1790-1823), të hartuar më 1809.
Ndër përkthimet në shqip të Frashërit mund të veçojmë Gjyjom Telli prej Lamartin,
Sofje 1898 (Guillaume Tell) të poetit dhe shtetarit frëng Alfons de Lamartin (1790-1869), i cili
pati jetuar vetë ca kohë në Ballkan, dhe Bëj-e të mirën pa hith-e në det, Sofje 1900 (Thust du
was gutes, wirf’s ins Meer), një rrëfenjë moralizuese gjermane e Franc Hofmanit. Ai përktheu
edhe pjesë nga Robenson, Selanik 1909 (Robinson Crusoe) i Daniel Defosë (1660-1731); Über
die Geschichte und Sprache der Albaner und der Wlachen nga studiuesi suedez Johan Tunman
(Johann Thunmann, 1746-1778); dhe Psikologji e edukatësë, Tiranë 1923 (Psychologie de
l’éducation), nga psikologu frëng Gustave Le Bon (1841-1931).
Në fushën e letërsisë origjinale Mid’hat bej Frashëri ishte një nga shqiptarët e rrallë të
kohës që nuk botoi ndonjë vjershë, çka sjell një farë lehtësimi kur sheh shpërthimet nga të gjitha
anët të vrullit kombëtar dhe thirrjeve poetike nga moria e poetëve rilindës me talent të kufizuar.
Sidoqoftë, ai botoi një përmbledhje me poezi në prozë, tregime të shkurtra dhe përsiatje me
titullin Hî dhe shpuzë, Sofje 1915. Këto tregime për vuajtjet nën zgjedhën turke, për
gjakmarrjen mes shqiptarëve dhe për luftërat në Ballkan janë interesante, megjithëse përshkohen nga një notë pakëz e tepruar didaktike.

___________
60 Për shtypin e Rilindjes, kr. Daka 1971-1974, Sokolova 1979, dhe Körner 1982.
61 Për një vështrim mbi shtypin shqiptar në Rumani, kr. Bala 1964.
62 kr. Petrotta 1950b, f. 198-200.
63 kr. Petrotta 1950b, f. 200-201.
64 kr. Petrotta 1950b, f. 200.
65 kr. Kaleshi në: Bernath (red.) 1974-, f. 161-164, Prifti 1987, dhe Kaleshi 1991, f. 88-97.
66 kr. Cordignano 1933-1934, dhe Jesuits… 1988, f. 72.
67 Për emigracionin shqiptar në Rumani e Bullgari e për kulturën e Rilindjes atje, kr. Dërmaku 1987 dhe Maksutovic 1992.
68 kr. Zallëmi 1962, dhe Tako 1984.
69 kr. Behri në: Bihiku (red.) 1981, f. 578-609.
70 kr. Falk 1896.
71 kr. Mata 1983, dhe Berani 1988.
72 kr. Gjika, Studime filologjike, Tiranë 1980, 4, f. 83; Hetzer 1991a, f. 145.
73 kr. Fullani 1956, dhe R. Siliqi 1956.
74 Për shqiptarët në botën arabe, kr. Mufaku 1981a, 1983, 1990, dhe Azemi & Halimi 1993.
75 kr. Fullani 1963.
76 kr. Spasse 1956, Zallëmi 1963, Gjika 1972, 1974b, 1976, 1978, 1980, 1981, Grameno 1974, 1979, dhe Xhiku 1989, f. 153-159.
77 kr. Petrotta, f. 316-320, Mann 1955, f. 51-55, dhe Bethell 1984, 1993.

Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia

[cite]