11.5 Poezia e sotme në Shqipëri
Ai përpunim dita-ditës i formës dhe një larmi e temave, që u panë në prozën shqiptare
të viteve shtatëdhjetë e tetëdhjetë, bie në sy edhe në poezinë e sotme. Veshi prej natyre për
harmoni gjuhësore nuk ka qenë kurrsesi thesar vetëm i rapsodit malësor pa shkollim të rregullt.
Ndjenja estetike e gjuhës poetike, liria relative e shprehjes që ofron poezia, si dhe mundësia për
t’i dhënë flatra imagjinatës në një shoqëri të kapluar nga ideja e prodhimit industrial, nga
statistikat e prodhimit dhe nga ndërtimi i digave, vazhduan të tërheqin një numër të mirë
shkrimtarësh më fort nga poezia se nga proza. Këtë prirje e dëshmojnë edhe statistikat e
botimeve: në Tiranë rreth 40% e botimeve letrare gjatë disa viteve të kaluar kanë qenë poezi,
kurse në Prishtinë deri në 70%, diçka krejt e papërfytyrueshme në Perëndim.
Megjithatë, ideja politike e sociale, e veshur herë-herë në mënyrë më të hollë, ka qenë
aq e pranishme në botimet poetike të Tiranës. Deri në rënien e diktaturës bazë për të gjitha
botimet në vend ishte doemos kuadri i përcaktuar nga realizmi socialist. Por, vetvetiu nga
natyra, poezia mbetet individuale dhe shpesh është vështirë të përputhet me shoqërinë e
planifikuar. Në një shoqëri të tillë, jo më pak se prozatorit, poetit i duhej në fakt të përshtatej me
atë detyrë që i kishin caktuar. Kritiku Dalan Shapllo (l. 1928) e përcaktonte misionin e poezisë
në Shqipërinë komuniste si një mjet që t’u shërbente masave, t’u jepte ushqim shpirtëror dhe
kënaqësi emocionale79. Ky mision ishte i gjithë poezisë së sotme shqiptare, ndonëse, për fat të
mirë, nga mesi i viteve gjashtëdhjetë e këndej, ai u bashkërendua më fort me individualitetin e
poetëve dhe e shpëtoi vjershërimin e sotëm shqiptar nga ai panegjirizmi shterp i viteve të para,
që dogmatikët partiakë vazhdonin ta kishin për zemër.80
Më i mirënjohuri ndër poetët e sotëm shqiptarë, që e kanë zgjidhur dilemën e poetit me
mision të paracaktuar është Fatos Arapi81 (l. 1930) nga Zvërneci të Vlorës, autor poezie
filozofike, lirikash dashurie dhe elegjish prekëse për vdekjen. Arapi ndoqi studimet për
ekonomi në Sofje dhe më tej punoi në Tiranë si gazetar e deri vonë si pedagog i letërsisë së
sotme shqiptare. Në dy përmbledhjet e para, Shtigje poetike, Tiranë 1962, dhe Poema dhe
vjersha, Tiranë 1966, përdori forma poetike më bashkëkohore se kolegët dhe i dha tonin
rinovimit të poezisë shqiptare pas vitesh qëndrimi në vend. I kritikuar me spastrimet e vitit 1973
për vëllimin Më jepni një emër, Tiranë 1973, i cili ‘u kthye në karton’ krahas shumë veprave të
tjera letrare, ra në heshtje për një farë kohe si poet dhe nuk botoi gjë me peshë deri më 1989.
Ndër përmbledhjet e tij poetike është vëllimi modest Ritme të hekurta, Tiranë 1968, refleks i
Revolucionit Kulturor; Kaltërsira, Prishtinë 1971; Drejt qindra shekujsh shkojmë, Tiranë 1977,
Fatet, Prishtinë 1979; Duke dalë prej ëndrrës, Tiranë 1989; Ku shkoni ju, statuja, Tiranë 1990;
dhe Dafina nën shi, Prishtinë 1991.
Fëmijë i bregdetit, Arapi nuk e ka humbur kurrë magjepsjen nga ujërat vezullues të detit, nga shija e ajrit të njelmët dhe nga dielli i fortë i Mesdheut, të cilat vërshojnë dhe njomin
vargun e tij. Madje, prapa këmbimit plot patos të temave të prodhimit e të ndërtimeve
industriale apo atyre politike në vëllimet e mëvonëshme, vokacioni i vërtetë poetik i tij mund të
hetohet në krijimin e një baraspeshe midis harmonisë së valëve të detit dhe rrahjeve ritmike të
qenies së tij.
“U krodha në ujrat e Jonit,
Në ngjyrat dhe dritat e tij.
Notoj mes përflakje mirazhesh.
Kthjelltësia e tyre më prek
E më rrënqeth trupin… Dhe ndiej:
Nëpër shpirtin tim,
Si rryma të kaltra gëzimi
Shkojnë dritat e ngjyrat e Jonit.
Si rryma të kaltra gëzimi.”
Ndonëse kryesisht poet, Arapi nuk i ka nënçmuar prozën dhe kritikën letrare, edhe pse
në një pjesë të tyre nuk ka qenë fort bindës. Pas novelës Patat e egra, Tiranë 1970, vijnë
romanet Dhjetori i shqetësuar, Tiranë 1970, dhe Dikush më buzëqeshte, Tiranë 1972. Romani
Shokët, Tiranë 1978, rrëfen për brengat e Azem Bungës, fshatar nga bregu i Labërisë, dy bijtë
e të cilit janë vrarë njëherësh në luftën e rezistencës, kurse ai vetë e ndjeu detyrim të paktën t’i
varrosë në mënyrë të duhur. Kritikët e interpretuan romanin si një kundërpërgjigje ndaj romanit
Nëntori i një kryeqyteti të Kadaresë, të cilin Arapi e kritikonte ashpër. Deti në mes, Tiranë 1986,
ka vënë në qendër vuajtjet dhe fundin tragjik të një njësie ushtarësh italianë në vjeshtën e vitit
1943. Duke u munduar t’i shpëtojnë një kasaphane tjetër pas kapitullimit të trupave italiane në
Shqipëri, ky grup djemsh ushtarë, të braktisur në rrugë të madhe diku buzë bregdetit jugor të
Shqipërisë, gjen strehë në kishën e Trinisë së Shenjtë me shpresën e kotë se mos gjejnë ndonjë
varkë që t’i shpjerë shëndoshë e mirë në Itali. Fatos Arapi ka dhënë ndihmesë edhe me dy
përmbledhje studimesh mbi poezinë shqiptare: Këngë të moçme shqiptare, Tiranë 1986, dhe
Fjalë për poezinë, Tiranë 1987.
Dritëro Agolli (l. 1931) në fillim bëri emër si poet para se të shkruante në prozë më pas.
Ndërkaq, ai pëlqehet nga lexuesit në të dy gjinitë. Përmbledhjet e para me vjersha Në rrugë
dolla, Tiranë 1958, Hapat e mija në asfalt, Tiranë 1961, dhe Shtigje malesh dhe trotuare, Tiranë
1965, e paraqitën te lexuesi si poet lirik të çiltër e të talentuar të tokës, si mjeshtër të vargut me
teknikë të përpunuar. Në krijimet e para ndihet ndikimi i shkollimit në Bashkimin Sovjetik,
sidomos fryma e Eduard Bagrickit (1895-1934) dhe Dmitri Kedrinit (1907-1945). Lidhja e fortë
me prejardhjen e shpuri në formimin e kredos së tij poetike, sidomos në Devoll, Devoll, Tiranë
1964, e cila nis me këto vargje:
“Po, Devoll,
I tillë qenkam unë,
Paskam marrë baltën tënde arave,
Në një trastë leshi
ndënë gunë,
Për t’ia sjellë
Lidhjes së Shkrimtarëve.”
Me gjithë karrierën politike dhe funksionet si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe
Artistëve të Shqipërisë, Agolli, i cili gjen kënaqësi te rima dhe figurat e ligjërimit, ia ka dalë
mbanë t’i mbesë besnik prejardhjes dhe traditës fshatare. Poezia e tij e freskët, e njomë, e kthjellët dhe konkrete, me ngjyrën e shkumës së qumështit të lopëve murra të kooperativës
bujqësore, me kallëzat e grurit të luginës së Devollit e me brazdat e tokës së zezë të lëruar, nuk
ka humbur asgjë nga boshti bukolik, i cili mbetet fuqia e poetit, e të cilin e mban në mënyrë të
vetëdijshme, si fjala vjen në vjershën Lopa:
“Lopa përtypet në grazhdin e mbushur me bar,
Unë mbështes faqen në shpatullën e saj të madhe
Dhe ndiej nga thellësi e qenies së saj një zjarr:
Ky zjarr erdhi me barin që u mblodh në livadhe.
Mbi brirët e murmë ndrit llamba elektrike
E drita bie në kusinë me qumësht.
Mua nga lopa s’më iket,
Me faqe në shpatull ndjej qumështin me shkumë.
Mjelësja kusinë ngadalë merr
Dhe me duar me qumësht pret.
Më thotë:
– Ju jeni veteriner?
Unë faqen nga lopa e heq:
– Jo, poet!
Ajo buzëqesh dhe më vështron me sytë e kaltër,
Të bukur e të urtë si paqe;
Diçka mendon, diçka sjell në hatër
Dhe e kupton se unë pa lopë nuk shkruaj dot vargje…”
Me ciklin Baballarët, Tiranë 1969, vargu i Agollit nisi të humbë diçka nga spontaneiteti
i vet dhe të anojë nga një poezi ‘zyrtare’ në shërbim të ideologjisë. Shembull kuptimplotë i një
panegjiriku partiak, që gëzoi propagandim të gjerë dhe miratim zyrtar, ishte poema me temë
kombëtare Nënë Shqipëri, Tiranë 1974, e cila është përkthyer italisht (Tiranë 1975, Savona
1984), gjermanisht (Tiranë 1977), serbokroatisht (Tiranë 1979), suedisht (1980) dhe anglisht
(Tiranë 1985). Agolli kishte zëvendësuar Dhimitër Shuteriqin si kryetar i Lidhjes së
Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë pas spastrimit Paçrami dhe Lubonja dhe, si poeti
laureat kombëtar i ri, prej tij pritej diçka madhështore për tridhjetëvjetorin e ‘çlirimit’, diçka që
nxënësit e shkollave të mund ta mësonin përmendsh. Nga kjo kërkesë buruan dhjetë këngët e
Nënës Shqipëri’ të cilën koha do ta tregojë si dokument të asaj periudhe. Ndër përmbledhjet
poetike të mëvonëshme kemi: Fjala gdhend gurin, Tiranë 1977; Të pagjumët, Prishtinë 1980;
dhe Udhëtoj i menduar, Tiranë 1985, e përkthyer frëngjisht me titullin Je marche pensif, Tiranë
1987, dhe greqisht, Tiranë 1989.
Ismail Kadare (l. 1936) e filloi karrierën letrare si poet në vitet pesëdhjetë me librin
modest Frymëzimet djaloshare, Tiranë 1954, dhe me vëllimin e ndier Ëndërrimet, Tiranë 1957.
Këto dy përmbledhje poetike jepnin prova jo vetëm të një ‘frymëzimi djaloshar’, por edhe të një
talenti dhe origjinaliteti poetik, sidomos po të shihet në lidhje me mungesën e një krijimtarie
poetike serioze në atë kohë. Shkrimtarin e ri shqiptar, i cili do të linte fuqishëm vulën e vet në
letërsinë shqiptare të dekadave të ardhshme, e dërguan në fund të viteve pesëdhjetë për studime
në Institutin Gorki të Letërsisë Botërore në Moskë, ku shpirti sentimental sllav i Nënës së
Shenjtë Rusi vazhdonte të gjallonte mes atij realiteti të zymtë të komunizmit sovjetik nën Nikita
Hrushçovin. Këtu Kadareja pati njohje të ngushta me intelektualë rusë, shkrimtarë e poetë, dhe
prandaj nuk na vjen si befasi që në poezinë e tij të ndihet ndikimi i tyre, siguria e Jevgeni
Jevtushenkos (l. 1933) dhe ndjeshmëria e Andrej Voznesenskit (l. 1933). Më 1959, gjatë një
vizite në Jaltë, Kadareja shkruante kështu për poezinë:
“Poezi,
Udhën gjer tek unë si e gjete?
Mamaja ime shqipen mirë s’e di,
Letrat si Aragoni i shkruan, pa pikë dhe presje.
Babaj u end në rini në të tjera dete;
Po ti erdhe
Duke ecur nëpër kalldrëmin e qytetit tim të gurtë të qetë,
Trokite drojtur në shtëpinë trekatëshe
Nr. 16.
Shumë gjëra kam dashur dhe çdashur në jetë,
Për shumë dëshira kam qenë ‘Çita aperta’,
Por prapë
Si ai djali që kthehet vonë në shtëpi,
I lodhur dhe i shqyer nga bredhjet e natës;
Ashtu dhe unë, i lodhur përsëri
Pas çdo amatorije, jam kthyer tek ti.
Dhe ti,
Pa më mbajtur mëri për tradhëtitë,
Më ke përkëdhelur flokët me ëmbëlsi,
Stacioni im i fundit,
Poezi.”
Por qe përmbledhja e fuqishme e Kadaresë Shekulli im, Tiranë 1961, ajo që, së bashku
me Hapat e mija në asfalt, Tiranë 1961, të Dritëro Agollit dhe Shtigje poetike, Tiranë 1962, të
Fatos Arapit, do të ndihmonte për të çuar më tej rinovimin e poezisë shqiptare. Vargu i
Kadaresë ishte më pak i fryrë se poezia e mëparshme dhe ngjiti më shpejt në zemrat e lexuesve,
të cilët ndien aty frymën e kohës dhe vlerësuan larminë tematike. Me poezinë e tij brenda një
kohe të shkurtër u bë shumë i dashur për rininë e Shqipërisë. Me spontaneitetin dhe çiltërsinë e
vargut, Kadare dha ndihmesë sidomos për evoluimin e lirikës së dashurisë, zhanër ky
tradicionalisht i lënë pas dore në letërsinë shqiptare. Ja vjersha Edhe kur kujtesa nga
përmbledhja Shekulli im:
“Edhe kur kujtesa ime e lodhur,
Ashtu si ato tramvajet e pasmesnatës
Vetëm në stacionet kryesore do të ndalojë,
Unë ty s’do të harroj.
Do të kujtoj
Mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu,
Dënesën e mbytur, rrëzuar mbi supin tim
Si një dëborë të pashkundshme.
Ndarja erdhi,
Po iki larg prej teje.
Asgjë e jashtëzakonshme,
Veç ndonjë natë
Gishtat e dikujt do pleksen në flokët e tu
Me të largëtit gishtat e mi, me kilometra të gjatë.”
Ismail Kadare ishte me kurajë në çështje të formës, por ndoshta jo dhe aq në ato të
përmbajtjes. Një pjesë e mirë e krijimtarisë poetike në vitet gjashtëdhjetë ishte me frymëzim
politik. Përse mendohen këto male, Tiranë 1964, është një himn prej njëzetekatër këngësh, që
erdh e u bë një nga shprehjet më të spikatura të vetë imazhit të Shqipërisë nën regjimin e Enver
Hoxhës. Poema të tjera të këtyre viteve me krijimtari poetike të bollshme si Ëndërr industriale
1960, Poemë e blinduar 1962, dhe Shqiponjat fluturojnë lart 1966, bashkonin ato që
parapëlqente partia – patosin kombëtar me entuziazmin revolucionar.
Pikërisht në këtë kohë Kadareja nisi t’ia kushtojë energjitë krijuese prozës. Megjithatë,
poezinë nuk e braktisi fare, dhe këtë e dëshmojnë përmbledhjet e tjera poetike – Motive me diell,
Tiranë 1968, dhe Koha, Tiranë 1976. Një përmbledhje me poezi të tij gjendet në frëngjishte –
Poèmes 1958-1988, Paris 1989. Edhe pse më novator në formë se bashkëkohësit, Ismail Kadare
në tërësi nuk qe poet më i madh se Dritëro Agolli në vitet e para të krijimtarisë së tij ose se
Fatos Arapi gjatë gjithë karrierës së vet poetike. Veçse ai ka arritur diçka tjetër – ka mbushur
hendekun midis poezisë dhe prozës dhe ka kaluar shumë elemente të së parës në tregimet dhe
romanet e tij.
Ndër poetët që arritën pjekurinë artistike në vitet tetëdhjetë është Koçi Petriti (l. 1941)
nga Korça. Filloi të botojë vjersha që në moshë të re, madje para se të kryente studimet në
Universitetin e Tiranës, pas të cilave punoi për një kohë si mësues letërsie në Librazhd. Për
arsye familjare, Petriti u mor me sy të keq politikisht për një periudhë, por u rehabilitua nga
Todi Lubonja rreth vitit 1968. Vargu me metrikë solide, rimat mjeshtërore dhe fuqia shprehëse,
herë herë jo pa nota humori, e kanë vendosur atë midis lirikave të fuqishme emocionuese të Fan
Nolit (1882-1965) dhe temperamentit realist, tokësor e fshatar të Dritëro Agollit, me të cilin e
bashkon edhe dashuria për fshatin e zonës juglindore të Shqipërisë. Pas vëllimeve të para si
Lirikat e majit, Tiranë 1962, dhe Përsëri në udhë, Tiranë 1967, vargu i tij fitoi pjekuri dhe u bë
më i sigurt, çka u duk më qartë në Firma e popullit tim, Tiranë 1974, Prush nëpër shekuj,
Tiranë 1979, dhe sidomos në Të dashurova ty, Tiranë 1988, në të cilën ai heton dhe mediton
mbi historinë, legjendat dhe figurat e të së kaluarës.
Nga skaji tjetër gjeografik i Shqipërisë vjen Ndoc Papleka (l. 1945), i cili u bë poet i
njohur në vitet tetëdhjetë. I lindur në Tropojë në alpet e Shqipërisë së Veriut, ai ka ruajtur të
paprekur diçka nga temperamenti individualist gegë i fiseve malësore të ashpra të së kaluarës.
Papleka ka studiuar gjuhë e letërsi në Tiranë dhe tani punon në Institutin e Kulturës Popullore.
Jo pa ngjashmëri me magjepsjen e Arapit pas detit, Papleka priret nga lumi dhe digat që ngrihen
në krahinën e thellë të vendlindjes së tij. Figuracioni i freskët e i gjallë, të shprehurit gati heroik
në vëllimin e parë Zëri im, Tiranë 1971, Ecim, Tiranë 1974, dhe Njatjeta diell, Tiranë 1976, i
kanë dhënë vargut të tij një notë që të kujton gjallërinë dhe forcën e poezisë gojore të Shqipërisë
së veriut. Arkitektura e dritës, Tiranë 1981 kishte në qendër ndërtimin e hidrocentralit ‘Drita e
Partisë’. Më pas vijnë vëllimet Djepi i klithmave, Prishtinë 1982, Rrathët e lisit, Tiranë 1984,
dhe Lumi e di ku buron, Tiranë 1988, që i dallon kërkimi i vazhdueshëm për forma të reja
shprehjeje. Megjithatë duhet vënë në dukje se mjaft nga ‘poezia industriale’ euforike e tij është
disi e larguar nga realiteti, sikundër mund të konfirmojë çdo punëtor që ka jetuar mes tymrave
e blozave të Kombinatit Metalurgjik ‘Çeliku i Partisë’ në Elbasan. Krijimet e Paplekës kanë
mjaft dallime nga njëri-tjetri për nga niveli artistik, po ata më të mirët hyjnë në poezinë më të
bukur shqiptare të krijuar në vitet tetëdhjetë në Shqipëri.
Krahina e Skraparit rrëzë malit të lartë të Tomorrit, legjendarit Baba Tomorr të
mitologjisë shqiptare, është shquar për rakinë e shkëlqyer. Kjo krahinë është edhe vendlindja e
Xhevahir Spahiut (l. 1945), një nga poetët më të fuqishëm, më energjikë e më të talentuar të
Shqipërisë së sotme, që mund të quhet një zë i mbijetesës. Gjatë spastrimeve të shkrimtarëve
dhe intelektualëve në vitin 1973, diktatori Enver Hoxha e përmendi Spahiun me emër pse kishte
shkruar vjershën Jetë. Kjo vjershë82 përmbante vargjet Jam ai që s’kam qenë, do të jem ai që
nuk jam, që të kujton, edhe pse fare rastësisht, një varg të Zhan Pol Sartrit (Jean-Paul Sartre,
1905-1980). Ndonëse poeti nuk e kishte pasur kurrë mundësinë për të shijuar frytet e ndaluara
të filozofit frëng (sikundër, me sa duket, kishte pasur mundësi diktatori shqiptar), ai u demaskua
si ekzistencialist, baraz me tradhëti të lartë. Shpëtoi për qime, duke i kanalizuar energjitë e tij
në hullinë e entuziazmit revolucionar. Pas pak vjetësh, për fatin e mirë të tij dhe të vetë letërsisë
shqiptare, iu lejua përsëri botimi. Tani që vala e kuqe ka rënë, ai mund të merret përsëri me
punët e poezisë, punë që i bën me kënaqësi të madhe. Në vjeshtën e vitit 1990, në grahmat e
fundit të diktaturës, ai hodhi në letër vjershën Historia jonë, historia e Shqipërisë së fundit të
shekullit të njëzetë, me dy vargje:
“Tehut të shpatës kemi ecur rrufé,
Pastaj shpata ka ecur mbi ne.”
Energjiku Xhevahir Spahiu nuk është poet-murg dhomash të mbyllura apo i një vetmie
të humbur në mendime. Ai e ndien veten më së miri vetëm mes njerëzish. Tamam atëherë
fillojnë e i shndrijnë sytë si shqarth, kurse zëri nis të përcjellë gjithë atë emocion që vetëm
poezia e vërtetë është në gjendje të shprehë. Dëgjuesit mbeten përherë të magjepsur. Në një
vend ku deri vonë çdo vjershë, çdo fjalë, çdo mendim i nënshtrohej një filtri të dendur
konformizmi ideologjik e personal, ky zakon deklamimi të zjarrtë e spontan, e bënte atë një farë
dukurie unikale nëpër rrugët e zymta të Tiranës. Poezia e këtij ‘enfant terrible’ të letrave
shqiptare është e fuqishme dhe solide, por njëkohësisht është poezi e ngjyrimeve dhe
shkallëzimeve kuptimore, ndonëse nganjëherë me një frymë artificialiteti.
“Dashuria është e gjitha këtu.
Tek këta sy,
Tek këto fjalë,
Tek paksa heshtje midis tyre është dashuria.
Edhe atëherë kur të dy s’kishim lindur,
Të prisja! Të prisja!
Të prisja!”
Kënaqësi e Spahiut është të hetojë dhe të zbulojë skajet e gjuhës poetike. Është autor i
shumë përmbledhjeve poetike: Mëngjes sirenash, Tiranë 1970; Vdekje perëndive, Tiranë 1977;
Agime shqiptare, Tiranë 1981; Nesër jam aty, Tiranë 1986; Tek rrënja e fjalëve, Prishtinë 1988;
Heshtje s’ka, Tiranë 1989; Kohë e krisur, Tiranë 1991, dhe me siguri shumë të tjerë do të
pasojnë në të ardhmen.
Nga Korça, qytet relativisht i begatë në Shqipërinë juglindore, që i ka dhënë vendit
shumë shkrimtarë, intelektualë e njerëz me talent, vjen Natasha Lako (l. 1948). Poezinë e parë
Lako e botoi më 1964 kurse përmbledhja e parë poetike, Marsi brënda nesh, Tiranë 1971, doli
shtatë vjet më vonë. Tani ajo është autore e pesë vëllimeve me vjersha, një romani dhe
skenaresh të suksesshëm të Kinostudios Shqipëria e Re.
Natyrë e qetë, Tiranë 1990, është një përmbledhje me tetëdhjetë e një lirika të shkurtra,
poezia më e arrirë e Lakos. Gjejmë aty metafora dhe imazhe të freskëta ndërkohë që e shohim
të udhëtojë në krahët e kohës e të hapësirës: Vezuvi, Athina homerike në një zyrë postare,
Prishtina e munduar në ashensorin e hotelit Bozhur, e doemos kthimi në Korçë. Lako nuk është
vetëm poete grua por edhe poete e gruas, dhe ky aspekt duket më fort në përmbledhjen Natyrë e qetë, si në natyrën femërore ashtu edhe në aftësinë femërore për të ndier ngjyrimin emocional
dhe për të vrojtuar imtësitë. Natasha Lako e heton botën nga tryeza e saj e punës, e shoqëruar,
ose më mirë me thënë e armatosur, me gjilpërën qepëse të saj:
“Jeta ime prej gruaje
Ka vizatuar në hapësirë natyrën time të qetë:
Një libër të bibliotekës, një laps, ca fletë
Dhe një gjilpërë të vogël për të qepur.
Kur librin marr për të lexuar,
Ose kur në fletë me ju flas,
E vetme mbetet gjilpëra ime e praruar
Në hapësirën e madhe.”
Shqipëria nuk ka pasur kurrë një ‘grande dame’ të poezisë sikundër e kanë fqinjët, një
Elisaveta Bagrjana të bullgarëve, a një Desanka Maksimoviq të serbëve, për të shprehur shpirtin
e kombit e për të pasqyruar ndjenjat e tij, dhe ka ndodhur kështu për arsyen e thjeshtë se deri
vonë nuk ka pasur fare shkrimtare femra. Jo më larg se një brez më parë, praktikisht të gjitha
femrat shqiptare qenë analfabete, një shakull për me bajtë, sikundër i përcakton Kanuni i Lekë
Dukagjinit. Megjithatë kohët në Shqipëri kanë ndryshuar ashtu si kudo. Natasha Lako ka
meritën të ketë vendosur gurë të qendrueshëm në themelet poetike të letërsisë shqiptare.
Bardhyl Londo (l. 1948) nga Lipa afër Përmetit mori emër si ndër poetët kryesorë të
Shqipërisë në vitet tetëdhjetë. Studioi për gjuhë e letërsi në Universitetin e Tiranës, punoi disa
vjet si mësues në rrethin e Përmetit, në vendlindje, e më pas në gazetën letrare Drita. Në
qershor 1992 u zgjodh kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, në vend të Dritëro
Agollit që kishte dalë në pension në janar të atij viti. Lirikat e Londos frymëzohen nga fakte
konkrete: ato ndërtohen me imtësi e çaste nga përvoja e jetuar dhe e përjetuar intensivisht duke
u shndërruar në poezi në një mënyrë të matur dhe erudite. Poezia e tij, e shkruar dhe me varg të
rregullt e kryesisht me rimë, kumbon në mënyrë melodioze me traditat e pasura të poezisë
toske, saqë kritiku Razi Brahimi (l. 1931) e ka vendosur në mes të poetit klasik dhe mendimtarit
rilindës Naim Frashëri (1846-1900) dhe poetit të fuqishëm Dritëro Agolli. Me rastin e vdekjes
së Lazgush Poradecit (1899-1987), bardit të moshuar të liqenit të Ohrit, Londo shkroi:
“Vdekja e kish harruar. E mahnitur
Kish humbur rrugën në vargun e tij erëmirë.
Atë ditë që mbylli sytë
Gjoli i Pogradecit nga habia
Si një lot i madh kish ngrirë…”
Poezinë e Bardhyl Londos e gjejmë në disa përmbledhje: Krisma dhe trëndafila, Tiranë
1975, e cila mund të cilësohet si produkt i periudhës së spastrimeve 1973-1975; Hapa në rrugë,
Tiranë 1981; Emrin e ka dashuri, Tiranë 1984; Si ta qetësoj detin, Tiranë 1988, i cili u nderua
me çmimin Migjeni 1989; Vetëm Itaka, Prishtinë 1989, dhe Ditë njerëzore, Tiranë 1990. Londo,
sikundër ndodh me verën e mirë, me kalimin e kohës e ka ngritur nivelin.
Rudolf Marku (l. 1950) nga Lezha ka punuar për disa vjet në gazetën letrare Drita, në
faqet e së cilës i paraqiti lexuesit shqiptar shumë poetë të rinj apo të ndaluar më parë. Në vjeshtë
1991 u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme për problemet e marrëdhënieve kulturore me
botën e më pas u bë deputet. Marku vetë është poet intelektual, i meditimeve dhe gjykimeve të
urta. Vëllimi i tij i parë me vjersha, me titullin Shokët e mi, Tiranë 1974, bëri që në atë kohë të
syrgjynosej në fshat. Më pas vijnë vëllimet Rruga, Tiranë 1977; Sërishmi, Tiranë 1982; E dashur, Tiranë 1985; dhe Udhëtim për në vendin e gjërave që njohim, Tiranë 1989, i cili u prit
mirë.
Ndër poetët e tjerë të kohës janë meditativi Sulejman Mato (l. 1941) nga Fterra afër
Sarandës; poeti i lindur në Kosovë Adem Istrefi (l. 1942), poezia e të cilit, më fort tradicionale,
është gatuar me traditat epike të poezisë gojore të Kosovës; Ndoc Gjetja (l. 1944), një poet lirik
transparent nga Lezha, poezitë e bukura satirike e politike të të cilit të kujtojnë Brehtin dhe
Agollin; Betim Muço (l. 1947) nga Tirana; arkeologu Moikom Zeqo (l. 1949) nga Durrësi,
poezia mjaft metaforike dhe intelektuale e të cilit është frymëzuar në një pjesë të mirë nga
madhështia e dikurshme e humbur e Dyrrakiumit të lashtë; Agim Spahiu (1952-1993) nga
Kukësi, Agim Isaku (l. 1955) nga Korça; tregimtari dhe poeti Preç Zogaj (l. 1957), ministër i
kulturës në qeverinë e stabilitetit më 1991; Bujar Xhaferri (l. 1956) nga Lushnja; Ilirian
Zhupa (l. 1957) nga Tepelena; Besnik Mustafaj (l. 1958) nga Bajram Curri; dhe Elsa Ballauri
(l. 1959), aktive tani në komitetin e mbrojtes të të drejtave të njeriut. Nga poetët e brezit më të
ri, me një fillim premtues, mund të përmenden: e talentuara Mimoza Ahmeti (l. 1963) nga
Kruja, një tjetër ‘enfant terrible’ e kulturës shqiptare dhe pa dyshim poetesha më origjinale;
Ridvan Peshkëpia (l. 1965) nga Tirana; Luljeta Lleshanaku (l. 1968); Blendi Fevziu
(l. 1969); Andi Bejtja (l. 1969) nga Tirana; Alban Bala (l. 1970) nga Tirana; Lindita Arapi
(l. 1972) nga Lushnja; Gert Pashaj (l. 1972) nga Tirana; Ervin Hatibi (l. 1974) nga Tirana;
dhe Agron Tufa nga Dibra.
Në një vështrim për letërsinë e sotme shqiptare nuk bën të harrohen shumë poetë të
talentuar që humbën në vitet e gjata të diktaturës. Janë shfaqur përsëri vetëm disa prej tyre dhe
ende nuk është e mundur të vlerësohet vendi që zënë në letërsinë e sotme shqiptare.
Visar Zhiti (l. 1952) hoqi përndjekje të tmerrshme pa kurrfarë shkaku tjetër, veç
poezisë. Lindur më 2 dhjetor 1952 në Durrës, bir i aktorit të teatrit dhe poetit Hekuran Zhiti
(1911-1989), Visar Zhiti u rrit në Lushnjë, ku dhe kreu shkollën më 1970, e pastaj punoi si
mësues në fshatrat afër qytetit verior të Kukësit. Që herët e tërhoqi poezia dhe botoi disa vjersha
në organe letrare. Më 1973, ishte duke përgatitur për botim përmbledhjen Rapsodia e jetës së
trëndafilave, kur shpërtheu fushata për spastrimin e intelektualëve e Plenumit të Katërt të
Partisë. Zhiti, babai i të cilit kishte pasë rënë më parë në konflikt me autoritetet, do të ishte një
nga ata që u përzgjodhën si kurbane për të trembur shtresën e intelektualëve. Dorëshkrimi i
përmbledhjes me poezi, që i kishte dorëzuar redaksisë së shtëpisë botuese Naim Frashëri, u gjet
që përmbante gabime ideologjike të rënda dhe u ekspertizua se nxinte realitetin. Sa subjektive
dhe idiote ishin gjykimet politike për veprat letrare, mund të shihet nga reagimi ndaj vjershës së
mëposhtme të Zhitit:
“Jo, jo,
Nuk i lyej kurrë këpucët
te llustraxhinjtë!
S’i dua njerëzit te këmbët e mia.”
Ndonëse shprehet këtu një kritikë për shoqërinë e ndarë me klasa, Zhiti u akuzua mbi
bazën e këtyre vargjeve se ishte kundër klasës punëtore. Dorëshkrimi i paraqitur u interpretua
si agjitacion e propagandë antikomuniste, kurse poetit, për të provuar pafajësinë, nuk mbetej gjë
për t’u thënë hetuesve.
Pas vitesh pasigurie me shpatën e Damokleut të partisë mbi krye, Visar Zhiti në fund u
arrestua më 8 nëntor 1979 në Kukës, ku qe ende mësues, dhe kaloi muajt më pas në izolim të
plotë. Për të mos e pësuar nga mendja, krijoi dhe mësoi përmendsh nëntëdhjetë e shtatë vjersha.
I dënuar në prill 1980 me dhjetë vjet burg, Zhiti u transferua në burgun e Tiranës e prej këndej në kampin famëkeq të minierës së bakrit në Spaç e në kampin e akullt malor të Qafë-Barit, ku
dhe punoi derisa u lirua më 28 janar 1987. Më pas u lejua të punojë në një fabrikë tullash në
vendbanimin e tij, Lushnjë. Në vjeshtë 1991 Zhiti dërgohet në Itali dhe punoi si gazetar në
Milano deri në korrik 1992. Më vonë u bë drejtor i po asaj shtëpie botuese Naim Frashëri që
dikur e kishte lënë në dorë të fatit.
Fati tragjik i Visar Zhitit kurrsesi nuk përbën një shembull të veçuar përndjekjesh. Mjaft
poetë të talentuar humbën burgjeve apo në internim nëpër fshatra të thella e të izoluara në
fushën e Myzeqesë, kurse pak janë kthyer.
I riu Kujtim Aliaj u burgos që në moshën 16 vjeçare dhe kaloi tridhjetë e një vjet në
burg. Poeti dhe përkthyesi Jorgo Bllaci (l. 1938) bëri plot dhjetë vjet burg. Viktor Qurku
(1941-1983), një poet modest nga Çorraj i Kurveleshit botoi mjaft poezi në fund të viteve
gjashtëdhjetë e në fillim të viteve shtatëdhjetë, para se të binte viktimë e spastrimeve të 1973-
shit. Humbi pasi e kishin demaskuar për poemën Shkëlqimi, dhe vrau veten duke u hedhur nga
një shkëmb. Faslli Haliti (l. 1936) nga Lushnja e pa veten të akuzuar për nxirje të realitetit
socialist e për thirrje për përmbysjen e qeverisë popullore për shkak të një poeme me titull
Dielli dhe rrëkerët, të botuar në dhjetor 1972. U transferua për katër vjet në Shegan afër Fierit
dhe iu hoq e drejta e botimit me vite. Në burgun e Spaçit nga marsi 1978 deri në nëntor 1982 ka
qenë poeti Zyhdi Morava (l. 1946), që më pas do të bëhej anëtar i grupit themelues të së parës
sindikatë të pavarur në Shqipëri. Një nga poetët e veriut më të talentuar e më befasues, i lindur
në Shkodër, Frederik Rreshpja (l. 1941), autor i tre vëllimeve me vjersha dhe i një romani,
bëri nja shtatëmbëdhjetë vjet burg në kampe të ndryshme rreth vitit 1972 deri më 1989 sepse
gjoja kishte fyer figurën e Stalinit. Letrari i ri Ferdinand Laholli (l. 1960) kaloi gjithë jetën në
kamp të internimit në Savër të Lushnjës, sepse i ati kishte ikur në Shtetet e Bashkuara
pesëmbëdhjetë ditë para se ai të lindte. Në korrik 1990 Laholli iku në Gjermani dhe që atëherë
ka botuar dy vëllime me vjersha si dhe proza. Ndër poetët e tjerë të përndjekur janë: Gjergj
Komnino (l. 1918) nga Brezhani i Këlcyrës; Trifon Xhagjika (1932-1963) nga Përmeti, i cili
u pushkatua në moshën tridhjetë e një vjeç; Uran Kostreci (l. 1938) nga Elbasani; Daut
Gumeni (l. 1943) nga Tepelena; Genc Leka (vd. 1977) dhe Vilson Blloshmi (vd. 1977) të
pushkatuar me aktekspertizë kolegësh; Jozef Radi (l. 1957) tani në Tiranë; Shane Mudaj (l.
1962) nga Peshkopia; dhe Hydajet Bajri (l. 1966) nga Buçaj në krahinën e Tropojës. Kjo listë
vazhdon dhe mund të themi se nuk ka të mbaruar.
_________________
79 Parathënie për Anthologie de la poésie albanaise, Tiranë 1983, f. 7.
80 Për një shembull klasik vjershash ‘me partishmëri’, kr. Shapllo (red.) 1983.
81 kr. Galica 1990.
82 kr. Nëntori, Tiranë, 1972, nr. 12.
Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia