INSTITUTI I ENERGJETIKËS
✤ Institucion kërkimor-shkencor dhe projektues në fushën e elektroenergjetikës, në varësi të Ministrisë së Energjetikës. U krijua më 1982 mbi bazën e Byrosë dhe të grupeve të studimeve për termoenergjetikën të Drejtorisë së shfrytëzimit të sistemit energjetik, si dhe të sektorëve të studimit dhe të projektimit të nënstacioneve e të linjave elektrike të tensionit të lartë të Institutit të Studimeve dhe Projektimeve të Hidrocentraleve. Ka disa sektorë që merren me studimet prognozë të zhvillimit të sistemit elektroenergjetik të vendit si dhe me studime për një shfrytëzim në baza sa më shkencore të këtij sistemi; me projektimin e linjave dhe të nënstacioneve elektrike të tensionit të lartë; me studimin dhe projektimin e anës teknologjike të TEC-eve ekzistuese dhe që ndërtohen. Ndër punimet më kryesore janë: studimi dhe projektimi i linjës elektrike të tensionit të lartë 400 kV dhe i nënstacioneve përkatës, që do të lidhin në paralel sistemin tonë elektroenergjetik me atë të vendeve të tjera.
(P.Va.—Ll.P.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Instituti I Energjetikës
[cite]