KODIKU I 26-TË, I BERATIT
(KATËRUNGJILLËSH)
Materiali: Pergamenë.
Përmasat: 18 x 14 cm.
Sasia e fletëve: 185.
Teksti: Në një kolonë, me 19 rreshta për kolonë.
Grafia: Në ngjyrë kafe në të kuqe. Pikëzimet mbi fjalët janë të kuqe, me përjashtime
ku rezultojnë me të njëjtën ngjyrë si teksti. Titujt me shkronja të vogla të kuqe. Stili i grafisë
është i tipit të vonë, gjë që na ndihmon për datimin e kodikut.
Në fletën 13 ruhet një shënim anësor me shkronja edhe më të imëta nga ato të tekstit, në të
cilin autori korrekton një profeci në tekst, duke thënë se nuk i përket profetit Eremia, por
profetit Zaharia.
Kodiku nuk ka pasur kapakë. Eshtë pajisur me kapakë të rij nga restauratorët e AQSH.
Para tekstit të çdo ungjilli është renditur lista e perikopeve, përveç Ungjillit sipas Mateut, që
nuk e ruan listën e perikopeve, as faqet fillestare, deri tek tregimi i “gjyqit të fundit“.
Kodiku ruan nga një vinjetë mbi faqet fillestare të tre ungjillorëve, veç atij të Mateut, që është
zhdukur. Vinjetat janë në formën e germës “p”-pi greke – me motive vizuale të bardha, vendosur
mbi sfond të kuqërremtë, që variojnë. Janë të bukura, por shumë të zbehta.
Dëmtimet: Ungjillit sipas Mateut i mungojnë fletët e kreut të fundit. Fletët 3 e 4 e kanë të
brejtur një pjesë në cepin e sipërm të pergamenës. Fleta 15, faqja verso, ka të dëmtuar rreth
6 rreshta. Fleta 39, në pjesën e poshtme të tekstit, ka një të ngrënë të pergamenës, që, për
më tepër, duket se është ngjitur në fletën tjetër. Edhe fleta 47, pjesa poshtë tekstit, gjithashtu
është grisur. Fletët 57-61 janë të shkëputura nga lidhja dhe ka rrezik të zhduken, prandaj
duhet të rilidhen. Fleta 66, në një pjesë të madhe, i ka të zhdukur rreshtat në një pjesë të
madhe nga lagështia, në faqen recto dhe në atë verso. Fleta 82 dhe ajo 83, si dhe fleta 84,
kanë një grisje nga lagështia në cepin e poshtëm. Fletëve 86, 87, 94, 106, 113 dhe 114 deri
117 u janë fshirë pjesë të rëndësishme nga shënimet anësore të tekstit. Ato kanë gjithashtu
dhe një të grisur jashtë tekstit. Kjo grisje del edhe në fletën 151. Prej fletës 179 deri në atë 184
pergamena është brejtur nga mola në pjesën anësore të fletëve, duke mos dëmtuar tekstsin.
Fletët e fundit të Ungjillit sipas Gjonit mungojnë, që prej kreut 17, stihu 2 (vargu 2), deri në
fund të ungjillit, që ka kreun 21. Fleta e fundit e kodikut është shumë e zbehtë dhe ka disa fjalë
të zhdukura. Dy copa të vogla të shkëputura nga ky kodik, që vërtetohet nga krahasimi i
grafisë së tyre me atë të kodikut, është konstatuar se u përkasin fletëve të zhdukura nga
Ungjilli sipas Gjonit: aty janë fjalë pikërisht nga përshkrimi i gjykimit të Krishtit nga Pilati.
Ky kodik ka pësuar dëme nga lagështia, e cila, pasi është tharë, i ka lënë fletët e pergamenës
të zhdrejta, të shtrembëruara. Nga ky shkak nuk është lidhur mirë kodiku.
Mendojmë që kodiku ka nevojë për një restaurim të plotë, që të mund t‘i drejtohen fletët, gjë
mund të realizohet pa shumë vështirësi. Duhet të pastrohen shumë fletë të ndotura, si dhe
lidhja të bëhet më e fortë, që kodiku të mund të përdoret lehtë nga ata që do ta studiojnë.
Kodiku në fjalë, duke u mbështetur në grafinë e tij, duhet t’i atribuohet me përafërsi fundit të
shekullit të 14-të.
Kodiku nuk ruan asnjë zbukurim.

 

* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve

 

[cite]