KODIKU I 87-TË, I ELBASANIT
(OKTOIH)
Materiali: Letër.
Përmasat: 20.3 x 15 cm.
Sasia e fletëve: 168 fletë.
Grafia: Si e notave, dhe e tekstit, është me shkrim kaligrafik të dorës së parë. Notat
janë në ngjyrë të zezë, grafia e tekstit në ngjyrë kafe të çelët. Titujt e këngëve janë shkruar në
ngjyrë të kuqe dhe shenjat theksuese (pikëzimet) të notave janë të kuqe.
Kapakët: Prej dërrase të veshur me lëkurë, të stolisur me zbukurime floreale, motive
të stilizuar, realizuar me reliev me anë të presimit.
Datimi i këtij dekori mund të bëhet me përafri, duke e krahasuar me dekoret e kësaj gjinie arti
në kodikët e tjerë. Ka të ngjarë që kapakët prej lëkure të këtij kodiku të jenë të ndonjë libri më
të vjetër. Kapakët e kodikut janë grisur e dëmtuar aty ku lidhen me fletët.
Ky kodik përmban poezi të ndryshme kishtare bizantine, të anotuara, që këndohen në kishë
gjatë gjithë vitit në shërbimet e kultit të ritualit Lindor.
Kodiku fillon me psalmin e parë të Davidit, i cili është vënë në nota. Nga fleta 11 fillojnë këngët
e quajtura “Zbritësore”, kompozuar në nota. Këto janë këngë të festave të mëdha që festohen
gjatë vitit, si zbritësoret e Krishtlindjes, të Pashkës etj. Prej fletës 42 fillojnë poezitë e “javës
së madhe”. Këtu vërehen poezi që përdoren në shërbimet e kultit, por me interes është fakti
që në shumë prej tyre figuron dhe emri i autorit:
Në fletën 97 është himni kerubik me autor Vasil Stefanin e Bizantit.
Në fletën 105, në disa poezi të shërbesës së mëngjesit, përmendet si autor “kir Petri”-zoti
Pjetër. Po ky autor përmendet në fletën 112, ku ka dhënë doksologjinë, duke e shenjuar të
plotë emrin e tij, Pjetër Lambadari.
Në fletën 116 verso, gjithashtu, doksologjia është kompozuar nga Pjetër Lambadari.
Në fletën 124 poezia është e Petro Bizantinit, po ashtu dhe ajo në fletën 129. Kurse muzika
e fletës 147 është e “kir Kirillit”-zotit Ciril, peshkop në një ujdhesë greke. Ndër kompozitorët
përmendet dhe zoti Meleti, si dhe Daniel protopsalti i Kishës së Madhe (është Kisha e Shën
Sofisë në Kostandinopojë).
Autori që ka shkruar këtë kodik, duke e plotësuar dhe me kompozime të të tjerëve, përmendet
në mbishkrimin që është brenda vinjetës në formën e germës “p”-pi greke – si pason: “Ky
libër u konceptua prej kryepsaltit të Kishës së Madhe të Krishtit, në kohën kur ishte patrik zoti
Grigor Peloponezioti, me ndihmën e tij, më 1810”.
Kodiku në fjalë me muzikë bizantine, ndonëse nuk është shkruar e kompozuar në vendin
tonë, ka vlerën e vet për arsye se njerëzit tanë gjithashtu kanë kompozuar muzikë bizantine
kishtare, e cila mund të krahasohet me kompozime të këtij kodiku dhe të nxirren përfundime
interesante, për të mos përmendur muzikantin tonë të famshëm, Jan Kuzelin nga Durrësi,
që njihet ndër më të mëdhenjtë kompozitorë të muzikës bizantine në përgjithësi.
Jam i mendimit që kodiku ka nevojë për riparimin e kapakëve, duke i lidhur mirë me tekstin,
që të mos pësojë dëmtime.
Fleta e frontespicit, që përmban titullin e librit, vendin e shkrimit e të tjera, nuk i përket këtij
kodiku. Ky dorëshkrim fillon me fletën 1, që përmban vinjetën në formë të germës “p” (pi
greke), me motivet e thurjes së shiritave të kuq, të bardhë e të verdhë, brenda së cilës
qëndron shënimi i dhënë më sipër.
* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve