KODIKU I 93-TË, I KORÇËS
(KATËRUNGJILLËSH)
Materiali: Pergamenë.
Përmasat: 15.3 x 12 cm.
Sasia e fletëve: 309.
Forma e tekstit: Rreshtat e shkrimit janë radhitur në formë kryqi deri në fletën 281.
Prej fletës 282 teksti është në një kolonë, deri në fletën e fundit, 308.
Grafia: E tipit të mesëm dhe në ngjyrë kafe.

Titujt e perikopeve janë mbi faqen ku fillon perikopeja. Inicialet e çdo ungjilli, gjithashtu,
janë në ngjyrë ari, por të pikturuara dhe në format të madh.
Stolisja e kodikut: Përveç që kodiku në fjalë stoliset me grafinë e tij bukurshkrimore,
me titujt kryesorë të çdo ungjilli me shkronja kapitale ari, si dhe me titujt e perikopeve,
dekoracioni kryesor i tij qëndron në katër figurat e ungjillorëve, të pikturuara në faqen para
faqes fillestare të çdo ungjilli. Secila figurë ungjillori është kompozuar në një mjedis shkrimtari
mesjetar, ndenjur mbi frone me mbështetëse të lartë ose të ulët, me ungjillin të hapur në
pëqi, para tyrezës së shkrimit, e cila mban orenditë e shkrimit, si dhe të një pulti, që mban
ungjillin e ungjillorit me faqe të shkruara. Kompozimi i tyre thuajse është krejt i njëjtë, por me
gjeste e lëvizje natyrore të ndryshme. Mateu është i ulur, si dhe të tjerët, por me dorën në
mjekër dhe i menduar. Marku është dhënë ndenjur, duke mbajtur ungjillin me të djathtën,
Luka me kallamin e shkrimit në dorë, kurse Gjoni duke vështruar segmentin qiellor të hapur
dhe duke e treguar atë me gishtin e së djathtës. Vetëm Gjoni e Luka, fronet mbi të cilët janë
ulur i kanë me mbështetëse të ulët e të kuqe, kurse Mateu dhe Marku kanë ndenjur mbi frone
me mbështetëse të lartë, por të harkuar nga sipër e me mbështetëse.
Të gjitha figurat janë modeluar me plastikë të mirë dhe pjesët e trupit janë trajtuar në mënyrë
reale, si dhe modelimi i portreteve: Mateu stoliset me një hiton të gjerë prej palash natyrore,
ngjyrë violetë të çelët gracioze. Përdorimi i ngjyrave është arritur me shkallëzim, duke i vënë
mirë në dukje format e trupit. Kjo plastikë mjaft reale bie në sy dhe në modelimin e portreteve,
të duarve e të këmbëve në mënyrë reale në të gjitha figurat.
Këto figura të bukura evidentohen mirë mbi sfondin prej ari të ndritshëm, duke e vënë në
dukje mjaft mirë talentin e këtij piktori tonë anonim. Ndonëse trajtimi i këtyre figurave është
arritur me vlerë të lartë artistike, në atë të Mateut dhe atë të Lukës nuk është arritur në tërësi
harmonizimi i ngjyrave në skenë, për arsye se fronet e tyre janë dhënë në ngjyrë të zezë, që
stonon me ngjyrën violetë të hitonit dhe ngjyrën e artë të sfondit.
Përveç figurave dhe vinjetave, nuk janë pa vlerë artistike disa dekoracione të tjera prej lulesh
të ndryshme të stilizuara, të cilat, megjithatë, qëndrojnë larg nga ana artistike në krahasim
me vinjetat e kodikëve të shekujve të 11-të dhe të 12-të.
Na rezulton se mosha e kodikut duhet t’i atribuohet fillimit të shekullit të 12-të ose dekadave të
para të po këtij shekulli.

* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve

[cite]