KODIKU I 100-TË, I FIERIT
(I REGJISTRUAR ME KONTRATA FEJESASH TË POPULLATËS SË MYZEQESË)
Materiali: Letër.
Përmasat: 22.2 x 15.9 cm.
Sasia e fletëve: 101.
Në vend të kapakëve kodiku ka dy fletë letre dhe sipër tyre një fletë pergamene për ta mbrojtur.
Kodiku përmban vetëm kontratat e fejesave, të cilat fillojnë më datën 1 të muajit maj 1819
dhe mbarojnë më 12 të muajit dhjetor 1843.
Nga të dhënat që gjenden në këtë kodik rezulton se zakoni i regjistrimit të kontratave të
fejesave, ndonëse fillon nga gjysma e parë e shekullit të 19-të, ka shumë të ngjarë që të jetë
trashëguar nga shekujt e mëparshëm mesjetarë, madje jo vetëm në Myzeqe, por dhe në
krahina të tjera të vendit tonë. Këto kontrata të regjistruara ishin një lloj akti juridik, sepse
nënshkruheshin dhe prej dëshmitarëve që ishin po ata që shkruanin kontratat.
Studimi i këtyre kontratave ka rëndësi të veçantë për të dhënat e tyre zakonore kanunore dhe
etnografike gjuhësore. Duke studiuar veshjet që u jepeshin të fejuarve si bazë materiale në
martesën e tyre mund të bëhen edhe vlerësime të tjera. Këto janë një material me të dhëna
ekonomike etnografike që venë në dukje faktorët e jetës shoqërore të krahinës së Myzeqesë
në këtë periudhë historike.
Kodiku në fjalë përmban akte të ndryshme që lidheshin midis prindërve të djalit e të vajzës që
do të martoheshin, për pajën e detyrimin në të holla që do t’i jepte djali vajzës. Në bazë të
këtyre akteve jepej prej priftit leje e martesës dhe paguhej prej prindërve taksa përkatëse për
Mitropolinë e Beratit. Këto raste regjistroheshin në manastirin e Shën Kozmait, për të mos
shkuar njerëzit gjer në Berat, nga varej Manastiri.
Në çdo akt shënohen veshjet që do t’i bënte djali nuses, emër për emër, si dhe shuma e
parave.
Materiali që përmban kodiku ka karakter më tepër etnografik.
Mendojmë që mund t’u jepet studiuesve, qoftë të vendit apo të huaj, për studim.
* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve