KODIKU I 96-TË, I KORÇËS
(LITURGJI)
Përmasat: 19.7 x 14.3 cm.
Sasia e fletëve: 33.
Kodiku, deri në fletën 6 recto, përmban lutje të mbrëmësores. Në fletën 7 fillon shërbesa e
meshës, me lutjet që thotë meshari para se të fillojë mesha. Kjo vazhdon deri në fletën 13
recto dhe mbyllet në fletën 33 recto.
Kapakët e kodikut janë prej lëkure dhe brenda një katërkëndëshi kapaku i sipërm ka të presuar
në reliev shenjën „deizis“, ku përfytyrohen Shën Mëria dhe Gjon Pagëzori më këmbë, anash
Krishtit të kryqëzuar. Në kapakun e poshtëm është dhënë një motiv prej linjash të kurbëta,
brenda një katërkëndëshi të presuar.


Para se të fillojë teksti i meshës, janë lidhur 15 gjysma fletësh prej letre, me poezi kishtare.
Kjo pjesë është shumë e dëmtuar. Kurse në fund të tekstit liturgjik vazhdojnë përsëri të tilla
fletë me tekst, si dhe ato para tekstit liturgjik, edhe këto shumë të dëmtuara.
Fashikujt e kodikut thuajse janë të shkëputur krejt nga lidhja. Fleta 31 është e grisur në mes
horizontalisht, por jo e shkëputur fare. Pas fletës së fundit me tekst, është një fletë që ka
pësuar grisje pikërisht mbi një si mbishkrim, që sipër mban datën 1753 dhe fjalët: “Mikro
Sarandari“, „Dhimas-Maria“.

Në fletën 6 verso është një figurë e Krishtit, pikturuar pa art. Në fletën 7 recto, anash titullit me
shkronja kapitale të kuqe, janë pikturuar lule të stilizuara me ngjyra të rënda: të gjelbër, blu e
të kuqe.
Grafia është në ngjyrë të zezë, inicialet të kuqe, të tipit të shekujve të 16-të dhe 17-të.

 

* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve

[cite]