LIBERALIZMI
✤ Shprehje e oportunizmit ideologjik e politik borgjezo-revizionist, që në thelb predikon heqjen dorë nga lufta klasore konsekuente kundër armiqve të jashtëm e të brendshëm, kundër njollave të shoqërisë së vjetër dhe ndikimeve të sotme të ideologjisë së huaj, që pranon bashkëjetesën paqësore me ideologjinë armike. Socializmi në vendin tonë e ka zhdukur bazën ekonomiko-shoqërore të liberalizmit. Me gjithë rezultatet e arritura, shfaqjet e tij mbeten një rrezik serioz për partinë e shtetin proletar dhe lufta ‘kundër tij mbetet gjithnjë aktuale në shumë fusha të veprimtarisë ekonomike, politike e kulturore të shoqërisë sonë socialiste.
PPSH ka zbuluar rrënjët e liberalizmit dhe ka demaskuar natyrën klasore antisocialiste të tij. Duke përgjithësuar përvojën e vet revolucionare e duke mbajtur parasysh përvojën negative të BS e të vendeve të tjera revizioniste, ku liberalizmi i përgatiti shtratin kundërrevolucionit revizionist, PPSH ka marrë një varg masash konkrete për të luftuar çdo shfaqje të tij të mundshme dhe për të zhdukur çdo lloj baze ideo-materiale për gjallërimin e tij. Në këtë proces është kalitur e mbrojtur vetë Partia dhe diktatura e proletariatit dhe është rritur vigjilenca revolucionare e masave.
(N.Gj.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Liberalizmi
[cite]