LIDHJA E KOMBEVE


LIDHJA E KOMBEVE
✤ (1920-1946). Organizatë ndërkombëtare, e krijuar nga fuqitë fituese të Luftës I Botërore, me qëllimin e shpallur për të siguruar paqen dhe bashkëpunimin midis shteteve. Në të u përfshinë 44 shtete të botës. Selia e saj u vendos në Gjenevë (Zvicër). V.I.Lenini denoncoi që në fillim karakterin demagogjik të L. së K. dhe e cilësoi si një vegël të Fuqive të Mëdha imperialiste, në orvatjen e tyre për të kundërbalancuar jehonën që patën idetë e mëdha të Revolucionit të Tetorit. Qeveria shqiptare e dalë nga Kongresi i Lushnjës i drejtoi në vjeshtë 1920 një kërkesë L. së K. për pranimin e Shqipërisë si anëtare të saj. Pasi u kapërcye kundërshtimi i Itali.së dhe i shteteve fqinje ballkanike, Shqipëria u pranua si anëtare e L. së K., në dhjetor 1920. Kjo e forcoi pozitën ndërkombëtare të shtetit shqiptar të rimëkëmbur. Pranimi ishte një njohje e gjendjes së krijuar në Shqipëri nga lufta fitimtare e popullit shqiptar që hodhi poshtë Traktatin e Fshehtë të Londrës të prillit 1915 dhe pazarllëqet e Konferencës së Paqes më 1919-1920 për copëtimin e ri të tokave shqiptare. Iluzionet që kishin mjaft patriotë, ndër ta edhe F.S. Noli, lidhur me të nuk u vërtetuan. Në mjaft raste L. e K. lejoi ndërhyrjet imperialiste e shoviniste në punët e brendshme të Shqipërisë. Në kundërshtim me statutin e saj L. e K. e la në heshtje ankesën e qeverisë së F.S. Nolit lidhur me ndërhyrjen e trupave jugosllave në dhjetor 1924. Shkeljen më të rëndë ajo e kreu në prill 1939 kur jo vetëm nuk ndërmori jasnjë sanksion, por nuk shqiptoi as edhe një fjalë dënimi kundër agresionit të Italisë kundër Shqipërisë. L. e K. mbaroi së vepruari në fakt me fillimin e Luftës II Botërore, kurse formalisht u shpërnda pas saj.

(A.Pu.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Lidhja E Kombeve


[cite]