LOREKJO ANSELMO


LOREKJO ANSELMO
✤ (Anselmo Loreechio, 1843-1924). Publicist arbëresh. U dallua si veprimfar i lëvizjes kulturore e politike të arbëreshëve të Italisë, përkrahu përpjekjet e qeverisë italiane për ta vënë atë në shërbim të politikës së saj në Shqipëri. Mori pjesë në Kongresin gjuhësor në Koriliano-Kalabro më 1895, ku u zgjodh edhe sekretar i «Shoqërisë Kombëtare Shqiptare» që u themelua atje. Më 1897 kryesoi Kongresin tjetër gjuhësor në Lungro të Kalabrisë. Bashkëpunoi me organe të ndryshme të shtypit italian, është autor i një sërë artikujsh dhe i disa studimeve për çështjen kombëtare shqiptare, ku është shprehur për vendosjen e marrëdhënieve të gjithanshme italo-shqiptare dhe për forcimin e ndikimit të imperializmit italian në Shqipëri. U bë i njohur si drejtor i gazetës së përdyjavshme La nazione albanese (Kombi shqiptar 1897-1924), e cila i bëri jehonë të gjerë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Botoi një përmbledhje me akte të Rilindjes Shqiptare Memorandume (1919, 1920, 1922).

(A. Ko.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Lorekjo Anselmo


[cite]