LUFTA E GJORMIT


LUFTA E GJORMIT
✤ (30.12.1942-2.1.1943.). Një nga luftimet më të mëdha, me pjesëmarrje të gjerë të forcave partizane dhe të popullit të qarkut të Vlorës gjatë fazës së parë të Luftës ANÇ. Më 30 dhjetor 1942 komanda italiane hodhi në drejtim të Mesaplikut dy regjimente milicësh e karabinierësh fashistë dhe më se një mijë mercenarë të tradhtarëve Halil Alija e Selim Kaloshi, të përforcuar me artileri, autoblinda dhe të mbështetur nga aviacioni, nën komandën e konsullit (kolonelit) Klementis. Operacioni, më i madhi deri atëherë, kishte për detyrë të asgjësoheshin partizanët, të çarmatosej dhe të terrorizohej popullsia. Komiteti qarkor i Partisë për Vlorën dha kushtrimin që armiku të pritej me luftë. Së bashku me partizanët, u ngritën më këmbë me armë në dorë rreth 1500 fshatarë trima të Vlorës, të Kurveleshit e të Mallakastrës dhe me qindra të tjerë u vunë në gatishmëri. Forcat kryengritëse u drejtuan nga Hysni Kapo (shih). Luftimet më të ashpra u zhvilluan në afërsi të fshatit Gjorm. Me luftën heroike të partizanëve dhe të popullit të armatosur, me gjithë tradhtinë e një çete balliste që dezertoi nga fronti i luftës, mësymja e armikut u ndal dhe u thye më 1 janar. Forcat partizane më 2 janar kaluan në sulm kundër forcave armike, që ishin rrethuar në fshatin Gjorm. Fashistët pësuan disfatë duke lënë në fushën e betejës më se 60 të vrarë bashkë me komandantin e operacionit, Klementis. Nga forcat kryengritëse mbetën 7 të vrarë e disa të plagosur. Lufta e Gjormit qe një shembull i shkëlqyer i qëndresës popullore dhe i lidhjes së ngushtë të forcave partizane me popullin e armatosur. Një ndihmesë të shquar dhanë në këtë luftë gratë labe, që luftuan

krah për krah me burrat dhe djemtë e tyre. Kjo luftë, «epopeja e Vlorës», siç e quajti «Zëri i popullit», pati jehonë të thellë në gjithë Shqipërinë. Ajo i dha vrull luftës çlirimtare dhe thelloi krizën në radhët e fashizmit.

(M. II.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Lufta E Gjormit


[cite]