LUGINA E DRINOS


LUGINA E DRINOS
✤ Luginë në rrethin e Gjirokastrës, me gjatësi 60 km, e gjerësi nga 300-400 rn në 5-6 km, medrejtim JL-VP, ndërmjet maleve të Lunxhërisë e Buretos nga L dhe Malit të Gjërë nga P. Ka prejardhje tektonike-erozive dhe është ndërtuar nga shkëmbinj gëlqerorë (krahët), flishi dhe molasa (fundi dhe pjesërisht krahët). Ka profil tërthor në formë «govate» me fund të gjerë e të sheshtë dhe shpate kufizuese të pjerrëta e të larta. Pjesa e sipërme e L. së D. deri në Hundëkuq ka fund të gjerë e të rrafshtë, me gjerësi më të madhe deri 5 km, shtrat të cekët, lumare të zhvilluar dhe shpate të pjerrëta. Lugina zgjerohet dhe ngushtohet disa herë duke formuar disa pellgje si ai i Dropullit, i Gjirokastrës dhe i Kardhiqit, që janë tarraca të vjetra të lumit dhe jan’ë zonat kryesore bujqësore të rrethit të Gjirokastrës. Në pjesën e poshtme deri në derdhjen në Vjosë të Drinosit lugina ka funa të ngushtë, profil tërthor në formë «V», shpate asimetrike dhe 3 nivele tarracash. Klima e L. së D. është mesdhetare me temp mesatare vjetore 14°C. Sasia mesatare vjetore e reshjeve është 1700-1800 mm. Mbulesa pyjore është e varfër. Tipat kryesorë të tokave janë: livadhore malore, të kafenjta, të hirta-kafe dhe livadhore aluvionale. L. e D. është rajoni kryesor ekonomik i rrethit të Gjirokastrës. Ajo është sistemuar e bonifikuar tërësisht gjatë viteve 1966-1977 në një sipërfaqe prej 5300 ha. U ndërtua një rrjet i gjerë kanalesh kulluese dhe ujitëse (rreth 800 km) dhe rreth 30 ujëmbledhësa, ndër të cilët ai i Doftisë, më kryesori. U bë sistemimi i përrenjve dhe degëve të shumta të lumit Drinos, duke ngritur edhe 63 km penda mbrojtëse. Mbillen drithërat, luledielli, duhani, perimet, është e zhvilluar vreshtaria, frutikultura. Rriten bagëtitë e imëta dhe gjedhët. L. e D. është mjaft e populluar, qendrat kryesore janë Gjirokastra, Libohova etj.

(F. Kr.-Dh. V.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Lugina E Drinos


[cite]