LUGINA E MATIT
✤ Luginë në rrethin e Matit, midis vargut Malor Qendror në L dhe vargjeve perëndimore në P, me drejtim JL-VP, me gjatësi 97.5 km dhe me gjërësi rreth 1 km. Ka prejardhje tektoniko-erozionale, është e ndërtuar në krahët nga shkëmbinj gëlqerorë e magmatikë dhe në pjesën qendrore nga molasa. L. e M. ka shpate më tepër asimetrike dhe ngushtime e zgjerime të shumta. Ngushtimet janë formuar në gëlqerorët dhe shkëmbinjtë ultrabazikë në sektorët Martanesh-Klos dhe Ulëz-Shkopet, kurse zgjerimet në molasën e në sektorët KlosUlëz dhe Shkopet-Milot. Në ngushtimin ndërmjet Ulëzës e Shkopetit janë ndërtuar HEC «K. Marks» dhe «F. Engels». L. e M. ka klimë mesdhetare me ndikim të ndjeshëm detar. Temp. mesatare vjetore është 13.3°C (Burrel). Sasia mesatare vjetore e reshjeve, kryesisht shi është 1300-1360 mm. Rritet dushku deri në 1000 m. Shkurret po zëvendësohen nga tokat e bukës dhe blloqet me drurë frutorë (kumbulla, hardhi etj). Tokat janë kryesisht të hinjta kafe dhe të kafejta, të mbjella me drithëra (misër, grurë). Është e zhvilluar edhe blegtoria, sidomos rritja e dhisë. Qendrat kryesore të banimit janë Burreli, Ulëza, Klosi, Shkopeti etj.
(S. S.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Lugina E Matit
[cite]