Kozma Qirjo

shqiptar ortodoks Kozma Qirjo (1922-2000) ka lindur në Bestrovë të Vlorës më 10 dhjetor 1922. Babai i tij quhej Jorgji ndërsa e ëma Zoica. Pasi përfundoi shkollën në Nartë u mor me punë të ndryshme. Më 25 prill të vitit 1945 u hirotonis dhjak nga Imzot Visarioni, në Kishën e “Shën Vlashit” në qytetin e Vlorës. Po atë vit më 29 prill u dorëzua në gradën priftërore në Kishën e “Shën e Dielës” në Nartë. Atë Kozmai ishte famulltar në Kishën e “Pesë Martirëve” në Bestrovë, ku ka shërbyer deri në mbylljen e kishave, në shkurt të vitit 1967. Pas kësaj punoi si punëtor, në ullishtë për 14 vjet, por në fshehtësi nuk i ndërpreu për asnjë çast Shërbesat e Shenjta, jo vetëm në Vlorë, por edhe në qytete të tjera, si në Korçë, Tiranë etj, ku ishte në lidhje të ngushta me të gjithë ata besimtarë që guxuan të sfidonin ateizmin e imponuar të shtetit komunist. Gjatë viteve të persekutimit ateist (1967-1991) ka pagëzuar në fshehtësi rreth 3000 besimtarë nga e gjithë Shqipëria. Hapjen sërish të kishave në vitin 1991 ai e priti me gëzim të madh, duke falenderuar nxehtësisht Perëndinë, që i dha mundësinë të rivishte rrobën e nderuar të klerikut ortodoks. Ardhja e Fortlumturisë së Tij, Imzot Anastasit, ishte një moment i shënuar jo vetëm për rimëkëmbjen e shpejtë të ortodoksisë shqiptare, por edhe sepse i dha mundësinë të jepte përvojën e tij, sa në seminar aq edhe në Këshillin e Përgjithshëm Kishtar etj. Më pas u bë Ikonom Stavrofor dhe gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë zëvendës episkopal për Dioqezën e Beratit. Më 23 korrik ai u hirotonis Episkop i Apollonisë. Episkop Kozmai fjeti më datën 12 gusht të vitit 2000. Shërbesa e përmortshme u zhvillua në Kishën e “Shën Todrit” në qytetin e Vlorës, me pjesëmarrjen e Kryeepiskopit Anastas, Mitropolitit të Beratit, Ignati, Imzot Joanit, klerikëve të zonës dhe besimtarëve të shumtë. Episkop Kozmai u varros në fshatin e lindjes, Bestrovë, pranë hierores së kishës së “Pesë Martirëve”.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-At Spiro Bulika, Bariu i mirë (Episkop Kozmai), botim i K.O.A.Sh-it, Tiranë 2005, faqe 60- 62.

Besimi — Ortodoks
Persona

[cite]