MATI
✤ (Mathis). Lumë në Shqipërinë Veriore, me gjatësi 115 km, sipërfaqe të pellgut ujëmbledhës 2441 km2 e lartësi mesatare 746 m. Nga burimi në Kaptinën e Martaneshit e deri në afërsi të fshatit Klos kalon nëpër gryka të ngushta dhe më tej, hyn në luginën e gjerë të M. ku është krijuar liqeni artificial i Ulzës dhe ai i Shkopetit. Në vazhdim të rrjedhjes M. merr ujërat e lumit Fan (shih) dhe, pasi del në fushë derdhet në Adriatik, në V të gjirit të Rodonit. Pellgu i M. është i përbërë nga shkëmbinj gëlqerorë e magmatikë, si dhe nga molasa ranore-deltinore miocenike, që mbush gropën e Burrelit. Në malin e Manes, M. formon një kanion të vërtetë, ku drenojnë të gjitha ujërat e pllajës karstike që ndodhet në L, ndërsa ujërat e Bjeshkëve të Oroshit derdhen në 1. e Urakës, ku derdhet edhe burimi i madh i Shutrisë. Në rrjedhjen e poshtme të M. ka ujëra të zhavorreve të kuaternarit si dhe ujëra arteziane. Prurja mesatare shumëvjeçare ‘e M. është 103 m3/sek me një modul rrjedhjeje të lartë prej 42.6 1/sek për km2. Prurja maksimale natyrore me përsëritje 1 herë në 100 vjet është 3400 m3/sek. Sasia e lëndëve të ngurta pezull është e vogël (afro 2 milionë tonë në vit) në krahasim me lumenjtë e tjerë të vendit. Ujërat e M. kanë mineralizim të ulët, mesatarisht 222 mg/1, me temp. që lëkundet nga 5.3°C në janar deri 19,9°C në gusht. Në M. janë ndërtuar HEC «K. Marks» në grykën e Ulzës dhe «F. Engels» në Grykën e Shkopetit (shih).

(N. P.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Mati


[cite]