MBLEDHJA E BUKURESHTIT


MBLEDHJA E BUKURESHTIT
✤ (5 nëntor 1912). Mbledhje e përfaqësuesve të kolonisë shqiptare të Bukureshtit e kryesuar nga Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, e cila përeaktoi masat që duheshin marë për shpëtimin e atdheut. Shpërthimi i Luftës I Ballkanike dhe fitoret e shpejta të aleatëve ballkanikë kishin krijuar një situatë shumë të ndërlikuar dhe kritike për shqiptarët. Në këto kushte patriotët që ndodheshin jashtë atdheut, vendosën të ndërmerrnin një veprim të ri politik, krahas atij të Shoqërisë së Zezë për shpëtim (shih) e të rretheve të tjera patriotike brenda vendit. Etapa e parë e këtij veprimi ishte M. e B. ku u vendos të formohej sa më parë në Shqipëri një komitet drejtues, që të merrte në dorë qeverinë e vendit, të krijohej një komision që do të shkonte në Evropë për të mbrojtur përpara Fuqive të Mëdha të drejtat kombëtare të popullit shqiptar dhe një komitet në Bukuresht që do të bashkërendonte veprimet e komiteteve të tjera brenda e jashtë Shqipërisë për t’i ardhur atdheut në ndihmë. M. e B. mobilizoi koloninë shqiptare të atjeshme për ta ndihmuar me të gjitha mënyrat zgjidhjen e drejtë të cështjes shqiptare.

(Ka. N.)

✤ (E PËRFAQESUESVE TË PARTIVE KOMUNISTE E PUNËTORE TË VENDEVE TË KAMPIT TË SOCIALIZMIT PJESËMARRËSE NË KONGRESIN E PARTISË PUNËTORE TË RUMANISË 1960). U mbajt më 24-26 qershor 1960, sipas marrëveshjes së arritur, në të do të diskutohej për vendin e datën e një mbledhjeje të përfaqësuesve të partive komuniste e punëtore për problemet e gjendjes ndërkombëtare. Por udhëheqja revizioniste sovjetike me Hrushovin në krye kërkoi të bëhej mbledhja e delegacioneve të të gjitha partive që merrnin pjesë në kongresin e PP Rumune, ku të diskutoheshin menjëherë mosmarrëveshjet që kishin lindur në mes të PKBS dhe PKK në bazë të një materiali të mbushur me padi kundër kësaj të fundit dhe që iu shpërnda delegacioneve vetëm disa orë përpara. Qëndrimi i udhëheqjes së PPSH për mosmarrëveshjet midis dy partive më të mëdha komuniste ishte që këto të zgjidheshin sa më parë në rrugën marksiste-leniniste në mes të PKBS e PKK. Po të mos zgjidheshin dot në mes tyre, atëhere të shqyrtoheshin në një mbledhje ndërkombëtare të partive komuniste. Këtë qëndrim mbajti në Mbledhjen e Bukureshtit delegacioni i PPSH i kryesuar nga shoku Hysni Kapo. Ai, duke zbatuar udhëzimet e KQ të PPSH dhe personalisht të sh. Enver Hoxha, e quajti këtë një mbledhje të parakohshme e shumë të dëmshme, krejt në kundërshtim me rregullat organizative e me praktikat e njohura në marrëdhëniet në mes partive komuniste e punëtore. Me gjithë përpjekjet këmbëngulëse, udhëheqja sovjetike në mbledhjen e Bukureshtit nuk ia arriti dot qëllimit. Aty u vendos të thirrej një mbledhje e rregullt e të gjitha partive komuniste e punëtore në nëntor 1960. Në Bukuresht grupi revizionist i Hrushovit pësoi disfatën e tij të parë. Mbledhja e Bukureshtit shënon fillimin e acarimit të hapur të marrëdhënieve midis PPSH dhe udhëheqjes revizioniste sovjetike. (S. Pi.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Mbledhja E Bukureshtit


[cite]