MBROJTJA NË PUNË


MBROJTJA NË PUNË
✤ Tërësia e masave teknike, higjienike, organizative e juridike, që sigurojnë kushte të përshtatshme për jetën dhe shëndetin e punonjësve në vendet e punës. Pas Çlirimit PPSH dha orientimet që shëndeti dhe jeta e punonjësve të ruhen në të gjitha rrethanat e me të gjitha mjetet. Për M. në P. flitet posaçërisht për herë të parë, në Ligjën (9.8.1945) «Mbi kohën e shërbimit, mbrojtjen dhe shpërblimin e punës» . Me dekretin e v. 1946 u vunë bazat e institutit të M. në P., i cili u përsos më tej krahas zhvillimit të vendit. Problemet e M. në P. janë analizuar posacërisht në Plenumin X të KQ të PPSFI (1970). M. në P. ligjërohet në Kushtetutën e RPSSH. Në kodin e Punës ka rregulla të caktuara për shkurtimin e orarit të punës dhe për dhënien e pushimit plotësues, për kushtet lehtësuese e favorizuese për gratë (veçanërisht ato shtatzëna), për punëtorët që punojnë në procese pune, që paraqitin rrezik për jetën e shëndetin etj. Në M. në P. përfshihen dhe rregullat e posaçme të sigurimit teknik dhe të sanitetit në prodhim (shih: Inspektorati i sigurimit teknik). Minierat, uzinat fabrikat, ngrehinat dhe veprat e ndërtimit projektohen, ndërtohen dhe shfrytëzohen sipas rregulloreve të sigurimlt teknik, rregullave sanitare dhe higjienës së punës. Në ndërmarrje, institucione dhe organizata shoqërore ngrihen vepra shoqërore-kulturore në shërbim të punëtorëve e nëpunësve si garderoba, dushe, dhoma higjienike ose çlodhjeje, mensa etj. Në vendet e punës vendosen pajisje për largimin e gazeve, avujve e të pluhurave të dëmshëm dhe për krijimin e një mikroklime të përshtatshme. Për përmirësimin e kushteve të punës shteti shpenzon shuma të mëdha.

(J. Pr.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Mbrojtja Në Punë


[cite]