PLIOCENI
✤ Epoka e fundit e periudhës neogjenetike, e përfshirë ndërmjet miocenit dhe pleistocenit (kuaternari i hershëm), që ka zgjatur në kohë rreth 3 milionë vjet (nga para 5 milionë e
deri në para 2 milionë vjet) dhe gjatë së cilës janë formuar shkëmbinjtë që përbëjnë seksionin pliocenik.
Në Albanidet dhe në tërë trevën mesdhetare, gjatë P. filloi ftohja e ngadalshme e klimës, që parapriu akullimet kuaternare dhe që solli zhdukjen e shumë llojeve të bimëve subtropikale. U zhvillua më tej fauna e flora, duke iu afruar në tiparet kryesore asaj së sotmes. Nga gjitarët u zhvilliuan shumë kuajt, elefantët, rinocerontët etj. U shfaqën buajt, u shumuan mishngrënësit, ndërmjet të cilëve qeni. Nga bimët mbizotëruan ato farëveshurat.
Vazhduan lëvizjet tektonike të ciklit malformues alpin, që i dhanë përvijime të ngjashme me të sotmet trevës mesdhetare si dhe Albanideve, duke e kthyer në sterë pjesën më të madhe të tyre. Si pasojë e një tejshtrirjeje të përgjithshme të detit Mesdhe, u mbuluan nga ujëra të thella Ultësira Pranadriatike dhe një pjesë e Ultësirës së Tiranës, që lidheshin me detin Adriatik të sapoformuar. Në këto ultësira u formuan depozitime terrigjene, që përbëjnë ciklin e dytë të molasës detare neogjenike: në fillim një shtresnajë e trashë deltirrash (Facia piaçenziane) dhe më vonë një shtresnajë po e trashë ranorësh e konglomeratesh (Facia astiane), të cilët përmhajnë vende-vende shtresa e thjerrëza bitumi natyral (Selenicë). Ndërkohë në Alhanidet e brendshme u veçuan disa pellgje liqenore, që mbulonin gropat e sotme të Burrelit, Korçës, Kolonjës etj. dhe në të cilat u formuan shtresa deltinore e ranore të molasës kontinentale. Disa prej këtyre liqeneve si ai i Ohrit e i Prespës vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.
(A.P.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Plioceni